
SEJDO HARKA
Zotin s’e nxënë as 7 rrathët e qiellit, as 7 rrathët e tokës, por e nxë zemra e njeriut. Ndaj, mos e landoni atë!
(Kazanzaqis)
Ekonomisti prof. dr. Sherif Bundo ka një jetë të tërë që me punën, intelektin, guximin dhe përkushtimin e tij, spikat në shumë fusha të jetës. Kërkesa e lartë ndaj vetes, kërshëria për të lexuar, studiuar e hulumtuar dhe prirjet në disa disiplina, e kanë motivuar atë të pajiset me një kulturë të gjerë shumëplanëshe. Në kohën, kur ende s’kishin kaluar shumë vite nga mbarimi i Universitetit të Tiranës për financë, ai emërohet pedagog në këtë universitet, ku shkëlqeu, jo vetëm si mjeshtër i mësimdhënies, por edhe me punën e tij të thellë hulumtuese e studimore, në fushën e ekonomisë. Kjo i krijoi atij mundësinë që, në një kohë relativisht të shkurtër të merrte titujt më të lartë shkencorë. Më pas Sherifin do ta shohim jo vetëm si veprimtar të spikatur të shoqërisë dhe të politikës, por edhe si deputet e ministër. Përherë i përkushtuar dhe i lidhur ngushtë me njerëzit, për t’i motivuar e ndihmuar për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre. Për herë të parë e kam njohur nxënës në gjimnazin e Këlcyrës, i cili sot mban emrin “Sejfulla Malëshova”, ku unë hodha hapat e para të mësuesisë. Sherifi ishte një djalë i heshtur, por shumë punëtor, që spikaste gati në të gjitha lëndët, por, veçanërisht në matematikë, e cila do t’i jepte atij krahë të shkëlqente në profesionin e ekonomistit. Me pasion të rrallë, ai do të shkruante 30 libra akademike.
Më pas do të kuptohej, se brenda shpirtit të tij romantik, ruhej edhe një hob i fshehur, i cili, ndoshta priste kohën të shpërthente. Ky pasion ishte letërsia krijuese. Deri tani ka botuar 9 libra me romane, novela, tregime, monografi duke spikatur në të gjitha llojet e prozës dhe publicistikës. Është nderuar me disa diploma nderi dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Edhe pse punoi një jetë të tërë, pedagog në Universitetin e Tiranës, sot vazhdon të punojë dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Luarasi” dhe vazhdon të kontribuojë si anëtar i Akademisë së Shkencave të Artit dhe Letërsisë Shqiptare. Këto ditë, në një nga sallat kryesore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u prezantuan para lexuesve katër nga librat më të mirë artistikë të Sh. Bundos, si: “Dollia”, “Sepetet e Gjyshes” dhe romanet “Fara e Revoltës” e “Brenga e babait”. Në këtë eveniment artistik diskutuan edhe njerëz të njohur të shkencës, diplomacisë, dhe të artit e letërsisë, si ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe artisti Petrit Malaj, akademiku dhe poeti kosovar Agim Vinca, prof. Stefan Qirici etj.. Por, objekt kryesor i këtij shkrimi është bërë libri më ri i këtij autori.
– ROMANI “BRENGA E BABAIT”, PASQYRË E TRANZICIONIT SHQIPTAR, DHE TIPE E KARAKTERE
Sapo nis të lexosh romanin “Brenga e babait” ndjen afshin e gjuhës elokuente dhe të fantazisë së gjallë artistike të autorit. Në këtë roman Sh. Bundo ka mundur, që realitetin ta tjetërsojë në fantazi dhe fantazinë ta kthejë në realitet. Ky roman i ngjan një kombinati artistik, që si lëndë të parë përdor realitetin shqiptar dhe si makineri prodhuese fantazinë e shkrimtarit, nëpërmjet të cilit krijohet një realitet i ri. Në këtë roman ndërthuren bukur disa linja kryesore: Linja e familjes, e biznesit, e dashurisë njerëzore dhe e moralit, të cilat prevalojnë mbi paranë dhe fitimin. Në këtë roman gjen: urrejtje dhe dashuri, gëzim dhe trishtim, besim dhe mosbesim, fitim dhe zhgënjim, ëndrra dhe shpresë. Gjen moral dhe mashtrim, egoizëm dhe cinizëm, etje për t’u pasuruar brenda ditës dhe dëshirë për krijimin e një biznesi të suksesshëm. Brendia e romanit ka një shumëllojshmëri karakteresh nga më të çuditshmit, disa prej të cilëve janë të etur për para. Ndërsa disa të tjerë e shikojnë paranë si mjet të rëndësishëm jetese, por jo si mjet të pasurimit të ethshëm. Për babain paraja është një mushkë xanxare, që, kur rrëmbehet pa djersë, të hedh në greminë. Ky roman është konceptuar i ndarë në 4 pjesë, të cilat, edhe pse secila pjesë përfaqëson një linjë të veçantë, ato në tërësi harmonizohen bukur rreth një boshti qendror. Ky bosht është forcimi i familjes, si themel i shoqërive të të gjitha kohërave. Romani nis me pjesën,
– METAMORFOZA E NJË BIZNESI
Trilli artistik i kësaj pjese është refleksion i realitetit të kohës, i cili, duke e imponuar njeriun të ecë nëpër rrugë të pashkelura, është i destinuar të pësojë fate dhe drama të paparashikuara. Nga padija, konfliktet dhe konkurrenca e pandershme biznesi mund të pësojë edhe metamorfoza të tilla si ajo e biznesit të familjes së Nexhipit, ardhur nga fshati Dragot, në fillim në periferi të Durrësit dhe më pas në Tiranë. Babai, sapo vjen në qytet, menaxhimin e biznesit ia beson djalit të tij të madh, Bekimit. Por biznesi sa vinte e përkeqësohej. Kjo vinte për shkak të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve mes tre djemve të familjes, gjë që e tronditi shumë atë. Ngjarjet e romanit tashmë nisin të rrokullisen si një ortek, i cili sa vinte e bëhej më i fuqishëm. Për zgjidhjen e këtij konflikti babai kishte kërkuar ndihmën e një eksperti të ekonomisë dhe financës, me emrin Eduard Dëshnica. Ai tregon narratori ishte një nga specialistët më të mirë të vendit në fushën e financës dhe kontabilitetit. Kishte aftësi të rralla në fushën e biznesit dhe në punën me njerëzit. Punën time, i tregon ai Eduardit, e nisa si kovaç kooperative. Aty, me bashkëshorten lindëm e rritëm 3 djem. Kur lëvizëm nga fshati në qytet shpresuam për një jetë dhe ekonomi më të mirë. Por biznesi, që ua besova djemve, sa vjen e rrënohet. Shkak janë bërë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes tyre. Grindja mes djemve, i ngjante një shpate, që i grinte shpirtin. Ndaj kam ardhur të kërkoj ndihmën tënde. Bijve të tij u ishin errësuar sytë dhe mendja. Konflikti kishte nisur për shkak të prishjes së barazisë në atë, që quhet kapital. Ai u kishte ngrirë trurin. Djali i madh i familjes, Bekimi, që u bë menaxhuesi i parë i kovaçanës, ishte një djalë i shkathët. Ai kish krijuar disa njohuri praktike për drejtimin e biznesit, por kishte natyrë aventurieri. Kjo bëri, që, për të zgjeruar biznesin, ai mori para borxh nga fajdet. Kjo, se ai nuk e njihte autofrenimin. Por, për shkak se, ai nuk po shlyente dot borxhet, biznesi i tij, sa vinte e rrënohej. Kjo e detyroi të merrte rrugën e arratisë, drejt Greqisë. Takimi e bashkëpunimi me njerëzit e krimit dhe njerëzve, që bënin punë të paligjshme, e rraskapitën më tej. Rrjedha e jetës së tij në mërgim, herë bëhej e rrëmbyeshme dhe herë e vakët. Zhgënjimet ia kishin zbehur shpresën dhe besimin. Herë borxhet e pashlyera dhe herë malli për nënën e fëmijët, e kishin drobitur. Në këto kushte, gjëja që vlente më pak për të, ishte jeta. Aq ishte i pezmatuar, sa në momente të veçanta krize, kish menduar edhe për vetëvrasjen. Kthimi i papritur në Shqipëri, e kishte rrënuar akoma më shumë. Policia dhe njerëzit e fajdeve kishin nisur ta ndiqnin kudo, si qen të tërbuar.
-IRENA DHE DRAMA E ÇIFTIT, PRODUKT I KOHËS
Pjesa e dytë e romanit që mban titullin “Irena”, tregon dramën e familjes shqiptare, në periudhën e tranzicionit të vështirë, në përpjekje për të rritur mirëqenien dhe për të gjetur lirinë e vërtetë. Xhako, në fillim shfaqet si një djalë i këndshëm dhe tërheqës nga vajzat, por jo guximtar. Pasi diplomohet për matematikë, emërohet mësues në Lezhë. Dashurohet marrëzisht me studenten e sociologjisë dhe pasi martohen, lindin djalin e tyre Hanin. Por, fatkeqësisht lumturia e këtij çifti të ri, sa vinte dhe zbehej. Irena kish nisur të bëhej mospërfillëse ndaj bashkëshortit të saj. Dukej qartë, se familja e tyre kish nisur të notonte mbi dallgë të trazuara. Ishte koha, kur Xhako kishte lënë punën e mësuesit dhe kishte nisur biznesin e inerteve. Ndërsa Irena nis punën në fondacionin amerikan për trajtimin e fëmijëve, i cili drejtohej nga Xhoni. Në këtë kohë jeta e çiftit i ngjante dy trenave, që lëviznin në drejtim të kundërt. Simpatia, që kish lindur mes Irenës dhe Xhonit, me kohë, do të trondiste këtë çift të brishtë. Kjo simpati e fshehur do të ndryshonte sjelljen e Irenës me Xhakon. Për zbehjen e dashurisë mes çiftit të ri, do të ndikonte edhe jeta e shthurur që kishte filluar të bënte Xhakua. Ikte herët në punë dhe kthehej në shtëpi i dehur në orët e vona të natës. Nuk donte t’ia dinte fare, as për shtëpinë dhe as për Irenën e djalin. Për të, nderi dhe puna e gruas duhet të mbaronte brenda mureve të shtëpisë. Akoma më i ashpër ky konflikt mes çiftit u bë, kur Xhoni e mori Irenën në një veprimtari në Zvicër, pa mirëkuptimin e bashkëshortit të saj. Atje marrëdhëniet intime mes Irenës dhe Xhonit ishin ngjitur në qiellin e shtatë. Kur Xhako kupton të vërtetën e kësaj lidhjeje të fshehtë, dëshpërohet thellë. Edhe biznesi i tij, sa vinte dhe rrënohej. Incidenti që ndodhi mes këtij çifti natën kur ai kthehet i dehur, e thelloi më shumë. Irena tashmë kish nisur të respektonte lidhjen e re me Xhonin. Erdhi një ditë, që Irena të largohej nga Shqipëria drejt Amerikës për të krijuar familjen e re.
Por shqetësimet e Irenës nuk përfundojnë këtu. Për shkak të trazirës shpirtërore që i shkaktoi ndarja me djalin e saj, Hanin dhe me nënën, ajo pësoi një abort të padëshiruar. Gjendja e saj shpirtërore, atje larg në Amerikë, po përkeqësohej. Brenga po ia copëtonte shpirtin. Në Amerikën e largët po përjetonte ngricat e zhgënjimit. Ajo nuk po e përballonte dot jetën larg Hanit dhe nënës. Kur kujton djalin, zemra i ngrin kallkan. I vinte keq edhe për Xhakon, që e kishte braktisur pa shkak thelbësor. Në letrat që i shkruan, i kërkon falje, por sedra dhe inati e tij prej një burri të braktisur nga gruaja nuk ia hiqte dot inatin, edhe kur ajo i shkruan fjalët përbetuese: “Vetëm ti ke në dorë jetën time…”. Në kohën kur Xhako nuk kishte kohë as të mbyllte punët e biznesit, Irena në Boston nuk e shtynte dot kohën. Tronditej thellë, kur kujtonte Hanin, të cilin nuk mund ta shihte dot. E zhytur në humbëtirën e saj të thellë, duke bërë dush, në gjoksin e saj, papritur prek me dorë një kokërr të frikshme, sa një arrë. Pas zbulimit të kësaj gjendre të frikshme, shëndeti i Irenës sa vinte e përkeqësohej. Edhe pse u kurua, ajo e humbi gjoksin, bashkë me bukurinë e saj të rrallë. E tronditur, tashmë ka nisur të mendojë më shumë, jo vetëm për djalin, por edhe për ish-bashkëshortin e braktisur. Kur ajo, e penduar, i telefonon Xhakos, ai u befasua. Porosia e saj e vetme ishte: “Amanet Hanin!”. Xhako, edhe pse Irena e kishte braktisur, vazhdonte ta donte, duke u treguar i gatshëm të financonte për shërimin e saj. Fatkeqësisht, pas 3 muajsh Irena vdes. Ky ishte fundi dramatik i këtij çifti, i cili simbolizon fatin e keq të çifteve të reja të atyre viteve të vështira të tranzicionit, të cilët, duke ecur përmes udhëve të pashkelura, në emër të një jete më të mirë, bëhen preh e rrugëve të minuara.
-ETHET E KAPITALIT
Kështu e titullon romancieri pjesën e tretë të romanit, të cilin e nis me përshkrimin romantik të borës së parë, që kishte mbuluar Dajtin. Ishte dita që vëllezërit kishin vendosur të krijonin biznesin e tyre të madh, të cilën e emërtuan, Shoqëria “Bora e parë”. Vitet e para kjo shoqëri po forcohej. Por s’kaloi kohë, kur ajo të niste rrënimin e saj. Shkaku kryesor i kësaj rënieje ishte xhelozia mes vëllezërve. Babai, i tronditur nga grindjet mes tyre, kish kërkuar ndihmën e ekspertit të biznesit. Kjo shoqëri ishte kthyer në një koshere bletësh. Ndaj prindërit nuk i zinte gjumi. Babain e trembte edhe fjala shoqëri. Për të, djemtë e tij nuk janë shokë por, vëllezër të një gjaku. Mbase ky emër po i largonte djemtë e tij nga njëri-tjetri. Ata po e shikojnë njëritjetrin si ortakë dhe jo si vëllezër të një nëne. Babai nuk e kuptonte, se kapitali nuk është gjë tjetër, veçse një gur i rëndë, që vendoset në themelet e një godine, që në ekonomi quhet kapital. Janë ethet e kapitalit ato, që kishin prekur thellë shpirtin e vëllezërve dhe si pasojë po sillnin shkatërrimin e biznesit të përbashkët. Një nga shkaqet e grindjeve mes vëllezërve ishte bërë mosnjohja e fitimit të parave të lëna pa tërhequr nga vëllai i tyre Xhakua. Eksperti i thirrur nga babai ishte munduar t’i bindte dy vëllezërit e tjerë, por ata vazhdonin të mos bindeshin. Ata kishin pranuar t’i kthenin Xhakos paratë e patërhequra, por jo fitimet që dilnin prej tyre.
– GJYQI MORAL
Kështu e titullon Sherif Bundo pjesën e katërt të këtij romani. Për shkak, se vëllezërit nuk ranë dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, e vetmja rrugë për zgjidhjen e këtij konflikti, që kishte paralizuar biznesin, do të ishte gjyqi. Përmes kësaj pjese interesante, autori shtron pyetjen: Si do të jetë ky gjyq mes vëllezërish? Kush duhet të prevalonte në gjyqe të tilla, forca e ligjit të ftohtë, apo morali dhe shpirti i njerëzve të një gjaku? Për gjyqtarët nuk pi ujë morali dhe gjaku, ndërsa për mua thotë zëdhënësi i narratorit, Eduard Dëshnica, përveç ligjit të shkruar, ekziston edhe një ligj i pashkruar, që i ka rrënjët te dashuria njerëzore dhe morali i njerëzve të një gjaku. Për ta zgjidhur këtë konflikt brenda familjes, me zemër në dorë, eksperti i kërkoi gjykatës që në këtë gjyq, dëshmitar kryesor të ishte babai i djemve, Nexhipi. Në fund të fundit, kush mund të ishte “gjykatësi” më i mirë në këtë gjyq mes djemve të tij, përveç babait që i donte njëlloj. Poetja e madhe perse T. Safazadeh, babain e quan qiell, ndërsa nënën tokë. Ata japin edhe shpirtin për fëmijët e tyre. Paraja, është një monedhë e ftohtë para shpirtit dhe dashurisë së pakufishme të babait dhe të nënës për fëmijët e tyre.
-BRENGA E BABAIT
Sa më shumë të zvarritej përfundimi i gjyqit, aq më shumë rritej tensioni i mosmarrëveshjeve mes vëllezërve. Ky fakt sillte si pasojë, jo vetëm rrënimin e mëtejshëm të biznesit, por dhe rritjen e brengës së babait. E si mund të zgjidhej kjo mosmarrëveshje, kur në çdo seancë të këtij gjyqi dëgjoheshin vetëm fjalë të tilla të ftohta: ligji, paraja, faktet, duke harruar shpirtin dhe dashurinë vllazërore. Paratë, vërtet janë një mjet i domosdoshëm për jetën e njeriut, por ato nuk mund të qëndronin mbi dashurinë prindërore dhe vllazërore. Verbimi i vëllezërve nga etja për para e xhelozia, papritur, do të shkaktonte një incident të rëndë familjar. Dhe, fatkeqësisht, ky incident ndodhi ditën që nëna e tyre, Leni, festonte 75-vjetorin e lindjes së saj. Përplasja mes djemve, ishte aq e egër, sa rrezikoi dhe përdorimin e armëve. Në këto çaste dramatike, nëna e tronditur thellë, rrëzohet për tokë në gjendje të fikëti. Edhe babai(Nexhipi), në këto çaste të vështira, e kishte ndjerë veten si një ndërtesë e plasaritur nga një tërmet i fuqishëm. Vetja iu duk sikur ishte goditur nga 3 plumba, njëkohësisht: Nga konflikti i ashpër mes djemve; rrëzimi i Lenit dhe prishja e gëzimit familjar. I tronditur thellë, iu drejtohet atyre me ashpër: “Harram e paçi qumështin e nënës suaj”! A nuk mjaftonte dashuria dhe kujdesi, që ajo u ka falur tërë jetën, që në këtë ditë të veçantë gëzimi, të mos na i kishit kthyer në trishtim!? Bukur e ka thënë shkrimtarja me famë botërore Lesing: “Bota është shumë e vogël, përballë zemrës së madhe të nënës”. Në takimin e fundit me djemtë, babai e ndjente veten të lodhur. E kish tronditur një ëndërr e frikshme, sa thoshte me vete: “T’i shoh djemtë mi edhe një herë bashkë, pa le të vdes!”. Ai nuk donte të vdiste pa i pajtuar. Por, si papritur, babait nisi t’i ndalojë fryma. Kishte pësuar infarkt. U desh ky lajm i trishtë, i përdorur nga narratori me intuitë artistike, si “deuss eksmakina”, që djemtë e Nexhipit të mblidhen rreth tij të përqafuar. Sapo babai dëgjon zërat e djemve të pajtuar, nisi të hapë sytë. Atë e kishte shëruar bashkimi i tyre, ashtu si dikur, kur ishin të vegjël. Një javë pas daljes së babait nga spitali, të tre djemtë kishin firmosur marrëveshjen. Shiu i lotëve të djemve të tij jo vetëm i kishte shëruar shpirtin, por dhe i kishte fshirë si me dorë brengat, që e kishin stërmunduar për një kohë të gjatë. Ja, këtej buron mesazhi i ngrohtë, që romancieri Sh. Bundo, kërkon t’u përcjellë lexuesve: “Nuk ka lumturi më të madhe për babain, sesa kur i sheh fëmijët e tij të lumtur dhe të bashkuar”.
-VLERAT E ROMANIT
Ky roman ka një shumëllojshmëri vlerash të tilla si: vlera njohëse dhe didaktike, shkencore dhe filozofike, ideore, morale dhe estetike. Ai përçon te lexuesit njohuri për biznesin dhe ekonominë, për moralin e filozofinë dhe për artin e fjalës. Brendia e këtij romani është sintezë e një harmonizimi mes ekonomisë, biznesit dhe filozofisë. Autori, në këtë roman përdor sentenca filozofike me vlera ekonomike dhe social-estetike të tilla:” Jo të gjithë ata, që kanë para, dinë të qeverisin”. Për autorin sekreti i tregtisë qëndron tek shprehja figurative: “Risku është një gur mbi qafën e biznesit”. E bukur është edhe sentenca social-filozofike: “Kalaja është konflikti mes vëllezërve, që duhet shembur”; “Lumturia nuk është mall, por shpirt, dashuri mirëkuptim”. Pushteti i moralit është më i fuqishëm sesa ligji. Mbi paranë triumfon dashuria njerëzore. Bukur e thotë dhe shkrimtari Nikos Kazanzaqis: “Zotin s’e nxënë as shtatë rrathët e qiellit, as shtatë rrathët e tokës. Atë e nxë vetëm zemra dhe shpirti i njeriut, prandaj kurrë mos e lëndo zemrën e tij!”. Akoma më të rënda ishim fjalët e babait të brengosur drejtuar djemve para gjyqit: “Ju keni harruar njeri-tjetrin, ndërsa Eduardi për t’i bindur vëllezërit që të tërhiqen nga ngushtësia shpirtërore thotë: “Lumturia e njeriut nuk është egërsirë. Ajo ka fytyrë njeriu’’. Për narratorin e romanit ligjet dhe paratë janë të ftohta, para gjakut, që lëvrin në kapilarët e zemrës që rreh në kraharorin e njeriut të gjallë. Në këtë libër, lexuesi mëson si të ndërtojë dhe menaxhojë një biznes të suksesshëm, si të dojë dhe respektojë prindërit dhe njerëzit e një gjaku. Si ta ruajë të shëndoshë familjen, si qelizën bazë të shoqërisë së sotshme moderne. Brendia e këtij romani i jep një mësim të madh edhe drejtësisë dhe gjyqtarëve, të cilët gjatë gjykimit të marrin parasysh edhe anën njerëzore të ligjit, sidomos kur trajtohen konfliktet brenda familjes dhe njerëzve të një gjaku. Gjuha poetike, figuracioni i ngrohtë, ngjarjet e vrullshme, që pasojnë njëra-tjetrën dhe tipat karakteret e çuditshme që rendin në këtë libër artistik të mjeshtrit të fjalës Sherif Bundo, të bëjnë që këtë roman, jo vetëm ta lexosh me një frymë, por dhe të prekësh si me dorë magjinë e një simfonie të bukur.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











