Bregasi: Ndihmë biznesit austriak për burokracitë

Jul 5, 2012 | 13:56
Kreu i BiznesAlbania, Luan Bregasi

Biznesi austriak ka marrë mbështetjen e presidentit të BiznesAlbania, Luan Bregasi, për të investuar në Shqipëri dhe për t’i asistuar këto biznese lidhur me burokracitë. Gjatë një takimi që Bregasi pati dje me ambasadorin austriak Florian Ranuing, ai theksoi se Shqipëria është një vend me barrë fiskale të ulët dhe me interes për të investuar, por nga ana tjetër kërkoi mbështetjen e ambasadorit për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. “Jemi vend i hapur, me legjislacion europian kemi lehtësi fiskale. Duam ndihmën tuaj për përmirësimin e klimës së biznesit. Nëse kanë probleme me burokracitë, jemi gati të ndihmojmë kompanitë austriake”, tha Bregasi gjatë këtij takimi. Në detaje ai i bëri ambasadorit austriak një paraqitje mbi punën që BiznesAlbania ka bërë që nga krijimi i saj, si dhe numrin e madh të bizneseve që janë pjesë e këtij organizmi. “35 mijë ndërmarrje janë pjesë e BiznesAlbania. Projektet tona janë mbështetur disa herë nga Ambasada e BE-së në vendin tonë. Biznesi mbetet burimi kryesor i punësimit, i jep fuqi ekonomisë”, u shpreh Bregasi. Nga ana tjetër, ambasadori austriak ka shprehur mbështetjen e tij lidhur me idenë e nxitjes së tregtisë mes dy vendeve.

© Panorama.al

Te lidhura