Mes zërave të shumtë të merkatos që vijnë nga Anglia, i fundit prej tyre përfshin një prej yjeve të skuadrës së Milanit. Bëhet fjalë për Aleksandre Paton, i cili pas një viti e gjysmë është rikthyer sërish në shënjestrën e klubit të Çelsit. Londinezët, të cilët 16 muaj më parë ofronin 55 milionë euro për talentin brazilian, tashmë janë rikthyer në pistë me një ofertë shumë herë më modeste, 23 milionë euro, plus kartonin e njërit prej sulmuese Nikolas Anelka ose të Salomon Kalu. Nuk është një surprizë fakti që sulmuesi 22-vjeçar konsiderohet i pashitshëm për kuqezinjtë, ose të paktën nuk do të largohej nga Milano pa 55 milionë euro, por siç thonë ekspertët, në merkato gjithçka mund të ndodhë. Mbase, pikërisht mbi këtë fakt shpreson trajneri i ri i bluve të Londrës, Andre Vilas Boas, i cili sheh te Aleksandre Pato partnerin ideal të bomberit spanjoll, Fernando Torres. Për momentin, pankinari 33-vjeçar nuk ka siguruar nga presidenti Roman Abramoviç asnjë përforcim të denjë për një skuadër kampione dhe për më shumë, ka humbur për arsye dëmtimi një lider të mesfushës si Mikael Esien. Në merkato ka humbur dy objektiva të rëndësishëm si Serxho Agueron dhe Falkaon, ndaj tani është rikthyer në sulm me një ofertë të vogël për njërin prej sulmuesve më të fortë në qarkullim.











