Një baba braktisi foshnjën e tij para dy ditësh në Korçë, sepse i vetëm e në vështirësi ekonomike nuk e rriste dot fëmijën e tij. Nëna vdiq pak javë më parë gjatë lindjes në spitalin e qytetit. Historia është shumë më e dhimbshme nga ç’mund të perceptohet në vrullin mediatik apo qytetar në vend. Braktisja e një foshnje vërtet nuk e ka kurrë fuqinë të kapë hapjen e një edicioni lajmesh, por gjesti, gjendja, arsyeja, e vërteta e kësaj braktisjeje specifike dhe e shumë të tjerave të ngjashme janë patjetër një bumerang që njerëzisht nuk mund të neglizhohet.
Braktisja e foshnjave të sapolindura është një fenomen i trishtë, që për çudinë e madhe të këtij vendi nuk vjen dot në vëmendjen tonë e plotë e me gjithë forcën e tragjedisë që ajo mbart. Në Tiranë ka një qendër ku vendosen për pak muaj fëmijë që braktisen nga nënat e tyre menjëherë pas lindjes. Arsyet janë të shumta dhe jo të gjitha duhen paragjykuar. Por drita në sytë e Albës dymuajshe, Gerit disaditësh, Arbit pakjavësh e deri tek Lola 8- muajshe apo buzëqeshja ftuese e Elit 9-muajsh, në atë dhomë të braktisur prindërore, të mbush me drithërimë. Këta fëmijë kanë gjithë përkujdesjen e stafit, infermiereve, punonjëseve sociale, vullnetarëve e vizitorëve rastësorë, por kërkesa e tyre për vëmendje, dashuri e më pas siguri për një jetë brenda një familjeje, është dukshëm shumë më e madhe nga ç’mund të ofrohet në institucionet strehuese.
Përse braktisen foshnjat në Shqipëri? Shifrat flasin për një numër 30-40 foshnja të braktisura në vit vetëm në Tiranë. Në rrethe, rastet e regjistruara janë më të çrregullta, por problemi më i madh qëndron tek mungesa e të dhënave për lindjet dhe braktisjet eventuale. Në mos e dhimbshme, parë nën këndvështrimin gjinor, është pa dyshim fatkeqësi rasti i foshnjës së gjetur në një kuti bananesh buzë lumit Shkumbin para disa vitesh; E as në maternitetin e Elbasanit, as në ato të Tiranës, nuk u gjetën të dhëna për lindjen e asaj foshnje. Rasti ka qenë i përsëritur me foshnje të braktisura në hyrje pallatesh, kthina rrugësh apo rrëzë pemësh nëpër parqe. Këto foshnja vijnë nga lindjet e bëra jashtë materniteteve, nëpër shtëpi apo mjedise të tjera jo-spitalore. Për këta fëmijë nuk ka të dhëna prindërore, as ardhjeje në jetë. E nuk janë fëmijë që i përkasin një shtrese, një ngjyre apo një grupi të caktuar, që mund të stigmatizohet si i pakujdesshëm ndaj lindjeve e regjistrimeve të tyre. Jo. Rastet, si ai i kutisë së bananes apo edhe ky i Korçës, prej nga merr shtysën reagimi i sotëm, janë fëmijë të familjeve shqiptare në vështirësi sociale, ekonomike apo konflikt me kulturën e sotme komunitare, por assesi fëmijë rastësorë të përkatësive të diskriminuara. Në shtëpitë e strehimoret nëpër Shqipëri shikon fëmijë të bukur, të shëndetshëm, të zhvilluar shumë mirë, të zgjuar që në vështrim, aktivë, kërkues vëmendjeje tek të zgjasin duart e nuk e heqin buzëqeshjen e shpresës nga fytyra, derisa ta marrin përqafimin që kërkojnë. Ashtu siç edhe sheh raste fatkeqe të fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike apo deformime gjenetike, që janë edhe arsyet përse prindërit kanë refuzuar t’i pranojnë e t’i bëjnë pjesë të familjeve të tyre.
Të gjithë, pa përjashtim, kërkojnë vëmendje dhe dashuri. Me kalimin e viteve e shtimin e nevojave, ata kërkojnë edhe përkushtim financiar. Jetimoret kanë financime të veçanta nga buxheti i shtetit e janë edhe përfituese (edhe pse jo në masën e nevojshme) të fondeve e donacioneve të ndryshme. Por, nevojat e tyre nuk mbyllen me financimet e dhëna. Nga ana tjetër, adoptimi në Shqipëri është ende nën grupimin e praktikave me komplikacione të mëdha sociale, veçanërisht për psikologjinë e prindërve që detyrohen apo vendosin të birësojnë. Rastet kanë vërtetuar se një fëmijë i birësuar e ka shumë të lartë shkallën e vështirësisë së pranimit pa paragjykime nga të afërmit, familjarët, fqinjët apo edhe të panjohurit që kontribuojnë në rëndesën psikologjike të një familjeje me birësim. Është pothuajse e pamundur që të arrihet mosha 18 vjeç e të jenë vetë prindërit ata që shpjegojnë lidhjen jo-biologjike me fëmijën, sepse ndërkaq, në lagje, shkollë, punë apo komunitet, të gjitha gjasat janë që ky fëmijë do të bjerë pre e komenteve tipike përjashtuese që dimë të bëjmë të gjithë, kur vjen puna tek identiteti i tjetrit.
Në fund, trauma i ngelet për përballim vetë fëmijës. E kjo ndodh për herë të dytë; Së pari në momentin e braktisjes, e së dyti në zbulimin brutal të së vërtetës, që ia servirin pa asnjë lloj përgjegjshmërie njerëzit që këtë fëmijë e rrethojnë rastësisht. Fati i trishtë i këtyre krijesave nis që në momentin që prindërit vendosin t’i braktisin, të mos i njohin, t’i refuzojnë. Nuk ka fillim më të mbrapshtë në jetë, sesa të refuzohesh që sapo vjen në të. Vështirësia fillon e rritet me pritjen e gjatë, shpesh të papërfunduar kurrë, për një adoptim të mundshëm. Nëse ky nuk ndodh, rastet e suksesit janë të pakta. Kurse ato të deformimit të jetës së fëmijëve të braktisur janë më të shpeshta sesa vëmendja kushtuar ndaj tyre. Pas përvjetorit të 18-të, kur ata detyrohen të orvaten për të gjetur zgjidhjet në një jetë ku nuk kanë asnjë mbështetje, shpesh jetimët bëhen pre e ndërrimeve në kontingjent lypësish, prostitucioni, vjedhjesh, krimesh të lehta e të rënda, viktima të akteve të ndëshkueshme civile e penale. E gjitha, sepse që në lindje u refuzohet vendi i tyre në familje, e më pas, edhe në shoqëri.
Në disa raste, familjarë të huaj që jetojnë apo punojnë në Shqipëri, kanë vendosur të financojnë në mënyrë modeste mbajtjen e një apo disa fëmijëve në jetimore. Kjo praktikë ka vazhduar edhe pas largimit të tyre nga Shqipëria. Dërgesa mujore vazhdon të bëhet në emër të fëmijëve pa identitet prindëror. Por, këto praktika pozitive eklipsohen nga abuzimet që të tjerë të huaj kanë bërë me jetimët shqiptarë, e që kanë arritur deri në abuzimet fizike me këto krijesa kaq hapur të ekspozuara ndaj të gjitha fatkeqësive të mundshme. Është e drejtë të raportohen e ndëshkohen ashpër rastet tragjike të dhunës e abuzimit me jetimët. Por, është gjithaq e rëndësishme të vijnë në vëmendje edhe rastet e përkujdesjes ndaj tyre, në mënyrë që perceptimi të ndërrojë kah. Jetimët, foshnjat e braktisura kanë nevojë, më shumë se çdo frymor tjetër, për një shans të dytë. Babai nga Korça është i pari që duhet ta japë këtë shans. Pas tij, gjithkush mundet përmes medias apo aktivitetit e pozicionit publik të ndikojë në lehtësimin e dhimbjes që shkëlqen që në sytë dhe vështrimin lutës të fëmijëve që krijuesit i refuzojnë.
Jeta është ironike, selektive dhe e padrejtë në zgjedhjet që bën, po njerëzit, të paktën, duhet të dalin mbi kapriciot e saj, qofshin këto edhe pengesa mendore, zakonore apo komunitare. Personalisht, e shoh përtej çdo logjike dhe aftësie të kuptuarin mbi aktin e braktisjes së një fëmije, por kujdesin për ta, duke filluar që nga vullnetarizmi financiar e ai publik, e konsideroj të pafalshëm nëse nuk e bëj, unë apo kushdo që ka mundësinë të bëjë një fëmijë të buzëqeshë. Tek e fundit, të lëmë vend edhe për pak humanizëm, se është e pamundur të na ketë reshtur.
© Panorama.al












