Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar dje ashpër lidhur me votimin që është zhvilluar në Këshillin Bashkiak të Beratit. Braçe akuzon për shitje votash brenda PS dhe aleatëve të saj. Si dhe herë të tjera, Braçe ka shprehur indinjatën e tij përmes një statusi në Facebook, ku hedh akuza dhe për shitje, sipas tij, gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit në qarkun e Beratit. “Sot në Berat, këshilltarë socialistë e aleatë të tyre shitën votat: Në qark, PS mori 1 këshilltar, PD&LSI morën 3! Dy batakçinj mes nesh duan të bëhen kryetar qarku! Të dy dogjën ‘rivalin’ e tyre, kryetarin e PS-së të rrethit! Janë po ata që shitën Velabishtin, Lumasin e Perondinë! Edi Rama i qortoi rëndë……me fjalë, ata mbetën po aty!”, shprehet deputeti i qarkut të Beratit në statusin e tij në Facebook. Dy ditë më parë, i mërzitur nga ky votim, Braçe nuk ka qëndruar as në takimin që Edi Rama zhvilloi në qytetin e Beratit me të zgjedhurit vendorë të këtij rrethi. Mësohet se Braçe është larguar para se të nisë takimi pasi ka marrë vesh këtë votim për këshillin e qarkut. Këshilltarët socialistë të Bashkisë Berat kanë zgjedhur Vladimir Kumarakun në këshillin e qarkut, ndërsa pretendent për anëtar këshilli nga ana e socialistëve ishte dhe kryetari i PS-së së rrethit Selman Hodaj. Vetë kryetari socialist Edi Rama, gjatë turit të nisur në qytetet kryesore të vendit, ka kërkuar kujdes për mostrafikim të votave gjatë zgjedhjes së këshillave të qarkut, ashtu siç ndodhi sipas Ramës dhe në 2007-n.











