
“Interesi kombëtar,
para atij partiak”
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë një prononcimi televiziv pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor kërkoi vendosjen e interesit kombëtar para atij partiak. “Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të vendosin interesin e vendit mbi interesin e ngushtë partiak dhe do doja të theksoja atë që kam bërë gjatë javëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që të konsiderohet si një synim kombëtar procesi i integrimit të vendit në Europë”, u shpreh ambasadori Sequi, duke e vlerësuar Kolegjin Zgjedhor si autoritetin më të lartë që vendos për ankimimet për procesin zgjedhor, tha se ende nuk e ka lexuar argumentimin ligjor të vendimit të sotëm, ndaj nuk mund të bëjë komente lidhur me të. “Nuk e kam lexuar argumentimi ligjor të Kolegjit Zgjedhor dhe nuk jam në gjendje të bëj komente të mëtejshme”, u shpreh Sequi.
Braçe u përgjigjet ambasadorëve
Deputeti socialist Erion Braçe iu përgjigj dje deklaratave të ambasadorëve pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Braçe shprehet në profilin e tij në “Facebook” se nuk i beson më ndërkombëtarëve, pas deklaratave që kanë bërë. “Kam prej mëngjesit që lexoj shqiptarë të ‘trishtuar’ e të ‘dëshpëruar’! Nuk dua të dëgjoj më të huaj! Asnjërin prej tyre! Nuk i besoj më! Ishin aty, numëruan deri në votën e fundit, publikisht e llërëjashtë, bënë mbledhjet dhe panë fituesin. E uruan dhe i thanë të përmbahej. Po na tregojnë interesin kombëtar! Vjedhja s’është interes kombëtar ambasador!”, shprehet Braçe.











