
Pyeten me telefon të gjithë anëtarët e asambleve të 11 minibashkive.
Në garë edhe Ilir Gjoni, Andis Harasani dhe Ilir Zela.
Dy ditët e fundit janë përcaktuar kandidaturat për kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës. Përmes një urdhri të ardhur nga selia rozë, kryetarët socialistë të 11 minibashkive të kryeqytetit kanë marrë propozimet nga anëtarët e asambleve të njësive përkatëse bashkiake përmes telefonit celular. Anëtarët e këtyre asambleve janë pyetur se cilin do të propozonin për kryetar të degës më të madhe socialiste në vend, ndërsa kanë marrë prej tyre emrin e propozuar. Shumica e propozimeve është dhënë për kryetarin e komanduar të PS së Tiranës, Sajmir Tahiri, i cili që prej shtatorit po merret me organizimin e kësaj partie pas humbjes së zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës dhe në shumicën e minibashkive. Të tjerë emra të propozuar janë deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar socialist Erjon Braçe, Ilir Gjoni, Andis Harasani dhe anëtari i Asamblesë kombëtare, Ilir Gjoni. Tahiri është propozuar maksimalisht nga anëtarët e Asamblesë socialiste të Njësisë Bashkiake Nr.6 në Kombinat, po ashtu dhe në Njësinë Bashkiake Nr.11 në Laprakë. Ndërsa Braçe, Harasani, Gjoni dhe Zela janë propozuar në njësitë e tjera të kryeqytetit. Por kandidatura e Sajmir Tahirit është dhënë nga anëtarët e asambleve nga të gjitha njësitë bashkiake. Kandidati i parë që ka shprehur dëshirën për të kandiduar përballë Sajmir Tahirit, ka qenë deputeti Andis Harasani disa muaj më parë. Më pas, edhe Ilir Zela shprehu gatishmërinë e tij për të qenë në garë, nëse do ta propozonin. Ndërsa propozimet e ditëve të fundit të ardhura nga baza socialiste e kryeqytetit kanë nxjerrë dhe emrat e Ilir Gjonit dhe Erjon Braçes. I pyetur në telefon nëse do të jetë kandidat për kreun e PS-së Tiranë, deputeti i qarkut të Beratit u shpreh se është i angazhuar me punë të tjera. “Jam shumë i impenjuar në këtë kohë me situatën e bllokimeve të banorëve nga dëbora”, ishte përgjigjja e Erion Braçes, njërit prej të propozuarve nga asambletë e Tiranës. Kandidaturat do t’i paraqiten Kryesisë socialiste, e cila pritet të mblidhet brenda kësaj jave për të certifikuar kandidaturat zyrtare për kreun e PS-së Tiranë. Më pas do të jetë Asambleja e zgjeruar e PS-së së Tiranës, që do të votojë për kreun e kësaj dege. Në shtator të vitit të kaluar, ish-kryetari i PS-së Tiranë, Besnik Baraj, dha dorëheqjen e tij pas humbjes së Bashkisë së Tiranës. Edhe pse humbja e Bashkisë u cilësua si rezultat i manipuluar, Baraj e konsideroi veten me përgjegjësi politike, për shkak se humbja ndodhi në atë zonë që mbulohej nga dega socialiste që ai drejtonte.
Zgjedhjet
Zgjedhjet për drejtuesit socialistë të kryeqytetit duhet të ishin përfunduar para Kongresit të 5 nëntorit 2011. Por numri i madh i kandidaturave për kreun e PS në disa minibashki shtyu dhe zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ende nuk janë zhvilluar zgjedhjet për kryetarët e Asambleve të PS në njësitë bashkiake të Tiranës. Zgjedhja e tyre pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve për kryetarin e PS-së së kryeqytetit.
11 asamblete
e njësive bashkiake të Tiranës kanë dhënë propozimet e tyre për kryetarin e degës socialistë të kryeqytetit. Propozimet u janë marrë anëtarëve të asambleve përmes telefonit, ndërsa emrat e tyre janë dërguar në PS të Tiranës.
5 kandidate
janë në garën për kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, pas dorëheqjes së Besnik Barajt në shtator të vitit të shkuar, pas humbjes së Bashkisë së Tiranës. Kandidatët do të shqyrtohen nga Kryesia socialiste, ndërsa do të votohen nga Asambleja e zgjeruar e Bashkisë së kryeqytetit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











