
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, në profilin e tij në Facebook, ka përsëritur edhe një herë se mbetet përfaqësues i socialistëve të qarkut të Beratit. Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë socialiste, e cila do të diskutonte dhe refuzimin e tij për të shkuar si i deleguar në qarkun e Korçës, Braçe reagoi duke thënë se do të përfaqësojë gjithnjë interesin e socialistëve të këtij qarku. “Prioriteti është gjithnjë i njëjtë: Beteja me regjimin e korruptuar, kriminal e antipopullor të Sali Berishës; ndërtimi i një alternative të re, konkrete, të ndershme e gjithëpërfshirëse, veçmas për shqiptarët e rinj dhe, përfaqësimi çdo minutë i beratasve, kuçovarëve, skraparllinjve të mi”, shprehet Braçe në profilin e tij. Deputeti socialist falënderoi dhe ata që e propozuan për garën për kreun e PS-së së Tiranës. “Dua të falënderoj të gjithë ata socialistë, anëtarë të thjeshte partie apo kryetarë të organizatave socialiste në Tiranë, që menduan, diskutuan dhe propozuan në forumet e tyre emrin tim si kandidaturë në një konkurrim për detyrën e kryetarit të PS për kryeqytetin! Ju jam mirënjohës! Ju kuptoj të gjithëve, lexoj me shumë seriozitet çdo mesazh që më keni adresuar nga dje në mbrëmje e deri tani, ndaj dua t’ju them: Unë jam socialist! Për të bërë punën e militantit në këtë parti, ashtu si secili prej jush dhe si çdo ditë deri më sot, nuk më duhet ofiqi apo karrigia! Socialist je, nuk të bën karrigia!”, shprehet Braçe.
Refuzimi i Kryesisë
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, ka refuzuar të shkojë si i deleguar në qarkun e Korçës për t’u kujdesur për fushatën zgjedhore atje dhe diskutimin e programit të ri të PS. Ky veprim i Braçes pritej të diskutohej dhe në mbledhjen e Kryesisë që u mblodh dy ditë më parë, por Braçe mungoi në atë mbledhje, duke e shtyrë diskutimin për delegimet e Kryesisë për në mbledhjen e radhës.











