
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, kërkon nga PS dhe opozita një reagim të fortë popullor ndaj Berishës pas shkarkimit të kreut të SHISH. Braçe kundërshton dhe Pandeli Majkon, që është shprehur këto dy ditë se vendi po shkon drejt “një shteti njëpartiak”. Duke reaguar në adresën e tij në rrjetin social Facebook, Braçe kërkon një qëndrim të prerë të PS, e cila sipas tij duhet në ndeshet dhe jo të bashkëpunojë me këtë maxhorancë. “Jemi në shtetin njëpartiak që ka në krye Sali Berishën!! Vjetërsira e vetme e regjimeve diktatoriale ende në pushtet në Evropë! Në Ballkan ka sivëllezërit e tij Nikoliç dhe Daciç. Lexova gazetat e ditës dhe më bënë përshtypje dy gjëra: E para, deklarata e një udhëheqësi të lartë socialist që vëren se ‘po shkojmë drejt shtetit njëpartiak’. Në fakt, ne jemi prej muajsh në ‘shtetin njëpartiak’. Ky stërhollimi socialist në përshkrimin e realitetit politiko-ligjor, jo po kështu-jo po ashtu, jo po rrezikojmëpo jemi pak larg akoma, jo po shkojmë drejt-po do ta ndalin ndërkombëtarët, jo po ai s’e bën dot edhe këtë se është çmenduri-ndërkohë që ai po bën çmenduri pas çmendurie, vetëm sa po i heqin nervin e reagimit, kundërshtimin, refuzimit, betejës kundër kthimit pas në një regjim autokrat deri totalitar!”, shkruan Braçe në profilin e tij. Anëtari i Kryesisë socialiste kërkon që PS t’u kthejë borxhin e ndryshimeve kushtetuese të 2008. “Po jetojmë në një shtet njëpartiak, në krye të tij ka një regjim të korruptuar e gjakatar. Ky regjim kudo ku shfaqet vetëm luftohet, politikisht, juridikisht, por mbi të gjitha në një mënyrë të provuar si e suksesshme: betejë popullore. Kjo betejë ka dy kushte: bashkim dhe mosbashkëpunim në asnjë rast, në asnjë rrethanë me regjimin. Por së pari, duhet të bindemi ne për betejë, ua kemi borxh shqiptarëve pas ndryshimeve kushtetuese që i pranuam symbyllur e që i hapën rrugën me pashë ‘shtetit njëpartiak’”, shprehet Braçe. Për numrin dy të Grupit Parlamentar në PS, çdo kritikë konsiderohet si sulm ndaj kryetarit dhe nuk vlerësohet si duhet. “Kam që prej zgjedhjeve lokale të 2011-s, vjedhjeve që flas e bërtas kudo në ambientet tona, të PS, që po shkojmë drejt kësaj të keqeje, ndaj kam propozuar ndryshime në Kushtetutë e sistemin politik. Dëgjojnë, të japin të drejtë po kaq, deri këtu, sepse më shumë e mendojnë si sulm ndaj kryetarit. Jo jo, nuk është sulm të pranosh gabimin, ta korrigjosh, për më tepër kur nga ky korrigjim varet e ardhmja demokratike e vendit! Ja ku jemi! Gjithë çfarë paralajmërova ndodhi! Tani të paktën të mbledhim mendjen se jemi nën regjim e duhet të bëjmë betejë me të”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook.











