Braçe, përplasje me Doklen në Berat

Feb 1, 2012 | 11:57

Erjon Braçe

Të deleguarit e Kryesisë socialiste nisin takimet në qarqet e reja. Majko: Do shkoj në Dibër

Deputeti i PS, takime me strukturat: Takohemi mbledhjen tjetër

Anëtari i Kryesisë socialiste, Erion Braçe, ka refuzuar përfundimisht delegimin e tij në qarkun e Korçës. Dje, Braçe ka zhvilluar takime në qarkun e Beratit, aty ku ishte i deleguar deri tani, me strukturat vendore dhe të zgjedhurit vendorë të PS. Pasdite, në një mesazh të hedhur në adresën e tij në rrjetin social Facebook, Braçe njofton se ka zhvilluar takime me të gjitha strukturat e PS në këtë qark dhe ka marrë në mënyrë të përsëritur prej tyre mbështetjen e plotë për të qëndruar atje.
“Pas një dite të plote pune në Berat sot, dëshiroj që: Të falënderoj të gjithë kryetarët e PS të njësive vendore; Të falënderoj të gjithë kryetarët e organizatave të PS në çdo qendër votimi; Të falënderoj të gjithë delegatët e Kongresit të PS dhe kryetarët e këshilltarëve socialistë në çdo njësi vendore; Të falënderoj të gjithë drejtuesit e zgjedhur të pushtetit vendor, përfaqësues të PS; Të falënderoj të gjithë të angazhuarit e rinj në ndërtimin e strukturës së re të FRESSH në çdo njësi vendore, për detyrat e përmbushura në kohë në plotësimin e çdo strukture organizative; detyrat e përmbushura në kohë në plotësimin e regjistrave elektronikë të anëtarësisë dhe skemës së kontaktit të secilit prej tyre, etj. Natyrisht, ju detyrohem shumë për mënyrën shumë konstruktive të ngritjes së shqetësimeve, si dhe mbështetjen e konfirmuar për të tretën herë brenda pak ditëve, për të vijuar punën së bashku në përmbushje të objektivave elektoralë që kemi përpara në Berat! Ju faleminderit! Takohemi mbledhjen tjetër!”, shkruan Braçe në Facebook, duke bërë një përmbledhje të aktiviteteve partiake të tij në qarkun e Beratit. I deleguar i Kryesisë socialiste në këtë qark është anëtari i saj, Namik Dokle, i cili mësohet se gjithashtu ka nisur kontaktet e para me strukturat dhe të zgjedhurit socialistë të këtij qarku. Aktiviteti i Braçes në Berat, pas delegimit të tij në qarkun e Korçës, pritet të krijojë dyzime të qëndrimit të socialistëve të bazës ose ndërmarrjen e ndonjë lëvizjeje të tyre përmes peticioneve për të mos e larguar atë nga qarku i Beratit. Pak ditë më parë, pas një takimi që pati me strukturat socialiste të Beratit, Braçe tha se do të shkojë në Korçë, aty ku u caktua nga Kryesia socialiste. Deputeti i PS-së, gjatë një konference për mediat, kundërshtoi vendimin e marrë nga Asambleja Kombëtare për ta zhvendosur nga qarku i Beratit e për ta dërguar në degën e qarkut të Korçës. “Për asnjë arsye, për asnjë moment dhe natyrisht për asnjë ofiq, nuk do të lëviz nga plotësimi i mandatit nga qarku i Beratit. Do vazhdoj të qëndroj këtu çdo javë, për çdo problematikë që tashmë është kalendarizuar në 12 muaj të vitit”, deklaroi Braçe.
Delegimet
Anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste kanë nisur nga puna në rrethet që u caktuan nga mbledhja e fundit e saj. Shumica e të deleguarve të Kryesisë socialiste në 12 qarqet e vendit janë tashmë në rrethet ku kanë marrë kontaktet e para me strukturat e bazës, ndërsa bien në sy disa mungesa. Ben Blushi ka nisur punën në qarkun e Elbasanit si dhe Ditmir Bushati e Mimi Kodheli, të cilët kanë qenë në rrethet e Shkodrës dhe Pukës. Edhe Valentina Leskaj e Fatmir Xhafaj kanë nisur takimet në qarkun e Vlorës. Armando Subashi dhe Bashkim Fino kanë nisur punën në qarkun e Fierit, ndërsa Eglantina Gjermeni ka marrë kontaktet në rrethin e Krujës. Pandeli Majko tha dje se, ndonëse është në pritje të përgjigjes për një nga postet e larta në OKB, do të zhvillojë aktivitetin politik në qarkun e Dibrës. Dëbora e madhe dhe rrugët e bllokuara të ditëve të fundit kanë penguar dhe delegimin e Arben Malajt dhe Besnik Barajt në qarkun e Kukësit, por Baraj shprehet se ka marrë kontakte me personalitete të kësaj treve në Tiranë.

Sekretarët e Kryesisë, takime me strukturat
Sekretarët e Kryesisë socialiste, të ndarë në tri grupe, kanë nisur takimet në të gjitha rrethet e vendit. Të nëntë sekretarët që u zgjodhën 2 muaj më parë, përmes një grafiku po takojnë të gjithë të zgjedhurit e PS në pushtetin vendor, por dhe në strukturat e partisë. Blendi Klosi, Armando Subashi dhe Erjon Veliaj kanë nisur takimet me asambletë e plota të rretheve, ku kanë kërkuar zbatimin e axhendës së miratuar nga Asambleja Kombëtare, zgjedhjen drejtuesve të PS në 117 njësi vendore, por dhe shtimin e anëtarësisë socialiste. Ilir Beqja, Fatmir Xhafaj dhe Ndre Legisi janë një tjetër grup, të cilët kanë marrë kontakte me disa nga personalitetet e strukturave vendore, për të detajuar çështjet e koalicioneve, por dhe aleancave të ardhshme. Ndërsa një tjetër grup, ai që përbëhet nga Arben Ahmetaj, Bashkim Fino dhe Damian Gjiknuri, po kontaktojnë të zgjedhurit socialistë në pushtetin vendor. Ky tur pritet të përfundojë brenda dy javëve të para të shkurtit, ndërsa do të jenë kontaktet e vazhdueshme të të deleguarve që do të plotësojnë etapat e aksionit opozitar të PS, të përcaktuar në axhendën e Asamblesë Kombëtare.

Klosi, tur në të gjitha qarqet

Blendi Klosi

Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, ka zhvilluar ditët e fundit takime me asambletë e PS në rrethet kryesore të vendit. Klosi ka nisur nga Elbasani, për të vazhduar me Korçën, Shkodrën, Dibrën, ku ka pasur në krah dhe anëtarët e Kryesisë të deleguar në këto rrethe. Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, së bashku me dy deputetët, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi, bëri prezantimin e strukturave të reja në qarkun e Dibrës. Në takimin me elektoralin e majtë, sekretari Organizativ u bëri thirrje strukturave të përgatiten, pasi viti 2012 mund të jetë një vit zgjedhjesh të parakohshme. Klosi pohoi se PS-ja duhet të jetë e gatshme për të qeverisur vendin, pasi Kryeministri aktual po bie. “Zgjedhjet e reja politike mund të mbahen këtë vit, kësaj nuk i dihet. Ne duhet të jemi të përgatitur për të qeverisur vendin. Dihet se Berisha nuk e lëshon lehtë pushtetin, por ky pushtet i ka bërë shumë të këqija vendit. Ne jemi një strukturë e organizuar mirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’i fituar këto zgjedhje në të gjithë vendin”, është shprehur Klosi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura