Braçe: Në PS po më tregojnë derën

Jul 2, 2011 | 11:28

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, iu përgjigj dje kritikave në adresë të tij nga deputetë socialistë.Përmes profilit të tij në Facebook, Braçe i përgjigjet deputetit Fatmir Toçi, i cili, letrën e tij të hapur në adresë të kryesocialistit, e cilëson “protagonizëm mediatik të Braçes”.
“Tani u bë boll! Një deputet i PS-së sot i ka thënë medias se problemet që kam ngritur unë qëndrojnë, por ky qenka ‘protagonizëm mediatik’! Është i trishtuar nga unë e më tregon derën e jashtme të PS-së! Këtu ka arritur: Këta trishtohen po të luftohet Berisha!! Në fakt nuk është deputeti, është ‘AI’! Nuk ka ndodhur në 20 vite të më tregojë njeri derën e partisë sime! Tani, koha për të marrë vendim!”, shprehet Braçe në profilin e tij në Facebook, në përgjigje të deklaratave të kolegëve të tij.
Reagimi i deputetëve socialistë vjen pas letrës së hapur që Erion Braçe i dërgoi kreut socialist, ku i kërkon reagim të menjëhershëm ndaj qeverisë në Parlament dhe përmes protestave. “Dje, nga Partia Socialiste dëgjova një deklaratë të stërbërë muajin e fundit. Duket sikur qarkullon ditë pas dite i njëjti tekst, por në folës të ndryshëm. Ne nuk duhet të bëjmë këtë! Nuk vlen më! Ne duhet të marrim përgjegjësinë që na dhanë shqiptarët me votë më 8 maj. Ne duhet të veprojmë. Kudo! Kultura e paligjshmërisë po rrënjoset, aq sa po kthehet në mënyrë jetese. Ajo buron nga Kuvendi, në çdo institucion, deri në njerëz çfarëdo. Ne duhet ta luftojmë atje. Ne po mungojmë në Kuvend dhe po e ndihmojmë kryetaren e tij të zhbëjë Gjykatën Kushtetuese, të rithemelojë trupën gjyqësore të saj mbi kritere thellësisht politike të njërës anë, ta nxjerrë Gjykatën krejtësisht nga rruga e Kushtetutës, për ta vënë në shërbim të kasolles politike të saj. Njësoj si me çdo institucion tjetër kushtetues të rënë tashmë e që na bind se premtimi kushtetues i ‘ndarjes së pushteteve’ është rrëzuar. Ajo që ndodhi në Kuvend e në Gjykatën Kushtetuese javën që shkoi, e dëshmon këtë. Ne duhet ta ndalim! Ne jemi në mes të një beteje për të rikthyer një prej premtimeve bazë të Kushtetutës sonë: ‘zgjedhjet e lira, të barabarta…’, si elementi themelor i një qeverisjeje legjitime. Po luftojmë për të të bindur se edhe ai është rrëzuar”, thuhet ndër të tjera në letrën e Braçes.

Bojkoti

Pas zgjedhjeve të 8 majit dhe nisjes nga puna të Kuvendit të Shqipërisë, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, është shprehur kundër bojkotit të Parlamentit. Duke e konsideruar joefektiv për opozitëbërjen qëndrimin e deputetëve të PS jashtë komisioneve dhe seancës parlamentare, Braçe ka kërkuar dhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, para dy javësh, që deputetët të shkojnë në Parlament.

Debati nga letra për Ramën
Toçi humb babanë, gjen kohë t’i përgjigjet Braçes

Deputeti socialist, Fatmir Toçi, është shprehur përmes një interviste, se ndoshta nuk do të jetë prezent në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare për shkak të një fatkeqësie familjare që ka ndodhur. Mësohet se pak ditë më parë, Toçi ka humbur babanë dhe për këtë ka marrë ngushëllimet e rastit nga deputetët e Parlamentit shqiptar. Por, edhe pse në një periudhë të tillë fatkeqësie, Toçi ka gjetur kohë të merret me debatin e brendshëm. Në Partinë Socialiste, ku disa deputetë kërkojnë hapje të saj ndaj intelektualëve dhe reflektim ndaj opozitëbërjes së saj. Ai vetë shprehet se fatkeqësia që i ka rënë mund ta pengojë atë që të mos marrë pjesë në Asamblenë Kombëtare, ndërsa dhe pse në një përjetim të tillë, asgjë nuk e pengon që të akuzojë kolegët e tij të Grupit Parlamentar. Malaj, Braçe dhe Harasani, që kanë folur ditët e fundit, kanë kërkuar heqjen dorë nga bojkoti dhe reflektim të partisë për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

© Panorama.al

Te lidhura