
Braçe: Naço, licenca për HEC-e drejtuesve të LSI në Vlorë e Berat
Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, denoncoi dje në Kuvend dhënien politike të lejeve koncensionare për 300 hidrocentrale në vend. Braçe gjatë një interpelance me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, deklaroi se janë dhënë në mënyrë abuzive leje për shfrytëzimin e HEC-eve, kompanive të cilat, sipas tij, nuk kanë asnjë eksperiencë në këtë fushë. “Në 8 kontrata të reja të dhëna gjatë vitit 2011, 5 kompani “fituese” janë të falimentuara, me përvojë në shfrytëzimin e pyjeve dhe bimëve medicinale, ose me kapital vetëm 100 mijë lekë. Tri të tjera i janë dhënë kryetarit të LSI-së për Vlorën dhe ortakut të tij me përvojë në fushën e lotarive sportive. Pesë HEC-e, një grupi lacash nga këta të Bllokut, ku spikasin mbiemrat e punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë dhe një mbiemër i njohur politik që merren me pasuri të paluajtshme, dizajn dhe organizim fushatash e festash. Dy HEC-e, kunatit të drejtorit aktual të pyjeve e maleve në qarkun e Beratit, ish-kandidat i PD-LSI-PR në Poliçan më 8 maj!”, theksoi nënkryetari i Grupit të PS-së. Por, për ministrin Nasip Naço akuzat e opozitës janë të pavërteta dhe të motivuara politikisht, me qëllimin e vetëm për të dekurajuar investitorët. Naço theksoi se janë evidentuar problematika në zbatimin e kontratave koncesionare, por këto për shkaqe burokratike. “Në 15 prej kontratave ka pengesa nga pronarët aktualë të trojeve që përfshijnë zonat koncensionare. Në 24 kontrata, ka pengesa të theksuara nga pushteti vendor në dhënien e lejeve të ndërtimit. Me këtë rast do të kërkoja nga ju të gjithë të ndikoni pranë komunave apo bashkive të zonave tuaja për të eliminuar çdo pengesë”, theksoi ministri i Ekonomisë.











