Anëtari i Kryesisë, Braçe: Listat e deputetëve me skemë tjetër, jo nga Rama

Jul 1, 2012 | 11:41

Anëtari i Kryesisë së PS reagon ndaj mënyrës aktuale të seleksionimit të përfaqësuesve në zgjedhjet e ardhshme.

“Kandidatë anonimë, pa personalitet do na çojnë në humbje”

Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, kërkon që lista e ardhshme e deputetëve të mos bëhet vetëm nga kryetari i PS, por as dhe nga Kryesia.
Në një komunikim me shumë miq të tij në rrjetin social “Facebook”, Braçe, në përgjigje të komenteve të bëra nga miqtë e tij, shprehet se një listë me kandidatë anonimë, pa personalitet dhe kontribute, listë e vendosur nga kryetari, do ta çonte sërish PS në dështim. “Nisur edhe nga sistemi tërësisht i papërshtatshëm nga pikëpamja e përfaqësimit dhe meritës, politikisht, numerikisht-elektoralisht domethënë, relativizimi i rolit të deputetit si ‘deputet liste’ – anonim – pa personalitet, pa kontribute, pa meritë profesionale, politike e përfaqësimi, zgjedhur thjesht nga një oligarki partiake, do të jetë gabimi më i madh që do të kushtojë në mënyrë të përsëritur në zgjedhje!”, shprehet Braçe në adresën e tij. Për nënkryetarin e Grupit Parlamentar socialist, opozita nuk duhet të mjaftohet në zgjedhjet e ardhshme vetëm për të zgjedhur Kryeministrin e ri të vendit. “Orientimi i zgjedhësve, nga socialistë deri në opozitarë të tjerë, të paanë gjithashtu, vetëm te ‘zgjedhja e Kryeministrit të ardhshëm’, nuk mjafton; edhe pse është e qartë epërsia e kandidatit të opozitës për Kryeministër ndaj një plaku të rrjedhur, të dhunshëm, gjakatar e të korruptuar si Sali Berisha; shpresa e zhbën të shkuarën!”, shkruan Braçe në adresën e tij në Facebook, në përgjigje të komenteve që i shkruajnë miqtë e tij. Për Braçen, Partia Socialiste duhet të krijojë një front të madh opozitar, dhe jo të kufizohet vetëm te një kategori i limituar mbështetësish. “Përfshirja e sa më shumë njerëzve, socialistë së pari, opozitarë së dyti, aktivistë në shoqërinë civile apo grupe sociale interesi, në mendimmdhënie e në vendimmarrje, është jetike jo vetëm për një ekip fitues kandidatësh, por edhe krijimin e një fronti të madh, të gjerë, përfshirës e aktiv në betejën finale elektorale”, shkruan Braçe.
Seleksionimi
Në komentet e tyre, miqtë e anëtarit të Kryesisë në Facebook kërkojnë që deputetët në PS të mos zgjidhen sipas listës së kryetarit, por të përfshijnë një mënyrë të re dhe të paaplikuar në partitë politike shqiptare. “Në mënyrë unanime: të mos i zgjedhë një njeri i vetëm, por vendimi të mos jetë edhe atribut i një grupi të vogël njerëzish në drejtimin qendror apo vendor të partisë; në mënyrë unanime: të pyetet anëtarësia e PS, në rang kombëtar apo qarku, por duke nisur nga anëtari i thjeshtë, në organizatë, komunë, bashki, rreth; të votohen në anëtarësi me ‘një anëtar, një votë’, madje të mund të organizohen primare, në rang kombëtar apo qarku”, shkruan Braçe në adresën e tij në Facebook. Por, sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë duhet parë puna e deritanishme e deputetëve aktualë dhe figura e pastër morale e tyre. “Të analizohet puna e çdo deputeti aktual në raport me përfaqësimin e zgjedhësve në Kuvend e jashtë tij, kontaktin me zgjedhësit e në shërbim ndaj tyre, përfshirjen në betejën politike të gjatë në 8 vite të një opozite të vështirë; të krijohet hapësira për djem e vajza të shkolluar jashtë me një kulturë e frymë tjetër nga kultura e antiligjit e korrupsionit; t’i jepet prioritet përfaqësimit të zonave vendore duke kufizuar përfaqësimin me njerëz të importuar e pa asnjë lidhje me zonën ku kandidohen”, shkruan Braçe.

Morali
Anëtari i Kryesisë socialiste kërkon që deputetët e ardhshëm të PS të kenë moral të fortë dhe të mos i kushtëzojnë interesat e tyre të biznesit me politikën. “Kandidatët duhet të jenë me moral të pacenuar, të ndershëm, të pakonsumuar në raport me ligjin, moralin, politikën, të papërfshirë qoftë edhe në një rast të vetëm në afera korruptive, profesionistë, të angazhuar politikisht me PS në mënyrë konstante, të ndarë nga aktiviteti i tyre ekonomik-biznesi”, shprehet Braçe.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura