

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, del kundër kryetarit të tij Edi Rama për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, të publikuar dy ditë më parë.Në një letër të hapur 24 orë pas publikimit të dokumentit final nga ana e ndërkombëtarëve, kreu i socialistëve dërgoi në redaksitë e gazetave një e-mail me qëndrimin e selisë rozë. Në këtë letër të hapur thuhej se çdo qytetar duhet të bëjë detyrën e tij në këto orë të vështira, përfshi edhe forcën e fjalës e atë të protestës dhe të mos presë që opozita t’i zgjidhë me magji problemet e mëdha të vendit. Lidhur me këtë pjesë të letrës së Ramës, ka reaguar deputeti socialist i qarkut të Beratit, qw ka kërkuar një reagim më të ashpër të opozitës. Sipas tij, nëse një qytetar i thjeshtë paguan taksat dhe zbaton rregullat e këtij vendi, nuk mund të heshtë kur e vrasin apo e vjedhin horrat e pushtetit, siç i quajti Braçe. “Çfarë ke thënë kështu? “Protestat……i bën populli?!!!!”. Po ne çfarë jemi? Unë nuk jam rrugaç nga Totenhemi. Unë jam si të gjithë të tjerët, respektoj ligjin, rregullat, paguaj tatimet, taksat, shlyej faturat, detyrimet. Por unë nuk mund të hesht kur më vrasin, vjedhin, poshtërojnë horrat në pushtet. Ky nuk mund të jetë kursi im. Më shumë se pushtetin. dua lirinë”, thuhet në mesazhin që ai ka lënë në rrjetin social ‘Facebook’.
Përgjigjja ndaj Sequit
Gjatë darkës Erjon Braçe i është përgjigjur edhe deklaratave të Ambasadorit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi. Diplomati i huaj ka shfrytëzuar një takim në Shkodër për ti bërë thirrje sërish klasës politike të nisë punën për reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR. Por sipas Braçes nuk mund të dialogohet me kryeministrin Berisha, të cilin ai e ka quajtur ‘hajdut’. Deputeti i PS-së, është shprehur gjithashtu se pasi të jepen garancitë kushtetuese, hapi i parë është shpërbërja e KQZ-së dhe e Kolegjit. “Dialog? Ambasador Sekui si mund të dialogohet me “hajdutin”? Ju lutem na ndihmoni! Nuk është çështje namuzi. Jo! Votat janë të njerëzve, materializojnë vullnetin e tyre. Ai është cenuar rëndë! Ndaj duhen garanci kushtetuese. Deri aty, sikur ta nisim me shpërbërjen e KQZ dhe Kolegjit? Duhet patjetër!”, , thekson Braçe.
Replika me Bufin
Në faqen e tij në ‘Facebook’, deputeti socialist ka komentuar edhe intervistën e dhënë për gazetën “Panorama” të ish- kryeministrit socialist, Ylli Bufi. Ky i fundit u shpreh në një analizë të detajuar të drejtimit të PS-së nga Rama, se lideri i socialistëve është përgjegjës për humbet e njëpasnjëshme që ka regjistruar kjo parti në zgjedhje, përfshi edhe ato të tetë majit. Sipas Bufit, për lidershipin e Partisë Socialiste më shumë rëndësi ka justifikimi i humbjes, sesa nxjerrja e përgjegjësive. Pikërisht për këto deklarata të ish-ministrit të Partisë Socialiste, Braçe shprehet se edhe raporti i misionit të OSBE/ ODIHR-it foli për vjedhje të zgjedhjeve në Tiranë. Ndonëse jo në mënyrë direkte, deputeti i PS-së ka akuzuar Bufin, duke thënë se për të gjithë ish-pushtetarët vjedhja quhet fitore. “Ylli Bufi, ish-kryeministër, ish-ministër, ish-deputet, ish-anëtar i Kryesisë së PS, për 19 vjet thotë sot: Edi Rama është përgjegjës për humbjen në Tiranë!!! Për çfarë humbjeje flasin këta! ODIHR foli për vjedhje!!! Po si ka mundësi që të gjithë ish-pushtetarët vjedhjen e quajnë fitore? Sepse vjedhjen e kanë standard fitoreje!”, shprehet Braçe në faqen e tij në ‘Facebook’.
Çfarë tha Rama
Këto janë orë të vështira për të gjithë ata që s’jetojnë në oborrin e pushtetit të Saliut, edhe për opozitën pa dyshim, por në kohë si këto secili, çdo qytetar, çdo grup interesi, çdo bashkësi, duhet të bëjë detyrën ndaj vetes, duke e luftuar këtë pushtet me të gjitha mjetet e rezistencës paqësore, me të gjithë forcën e fjalës e të protestës qytetare, jo duke pritur që opozita t’i zgjidhë si me magji problemet e mëdha që na mundojnë të gjithëve apo të dalë përditë para publikut për të thënë: “Më ka çu nana me la gojën!” për çdo gjë që ndodh në këtë vend. Këtë nuk e bën asnjë opozitë askund, ashtu sikundër nuk është opozita që udhëheq revoltat në Londër, Athinë, Paris apo kudo ku qytetarët shpërthejnë në protesta të asaj natyre.
Çfarë tha Bufi
PS po e humb identitetin e saj, është e fragmentuar dhe e çorientuar, elektorati s’po e sheh atë si një alternativë të qartë dhe të besueshme qeverisëse, edhe në kushtet e një qeverisjeje problematike dhe të zhvlerësuar të maxhorancës aktuale. Rruga e bojkotit të Kuvendit dhe shpresat e stimuluara për zgjedhje të parakohshme e kanë lodhur dhe dëshpëruar akoma më shumë elektoratin. Gjithmonë e më shumë shqiptarët e perceptojnë këtë situatë të lidhur me drejtimin personal të partisë prej kryetarit të saj, që veprimin e fuqishëm opozitar e ka zëvendësuar me radikalizimin jashtinstitucional, që ka monopolizuar vendimmarrjen duke asfiksuar forumet e saj, prandaj edhe përgjegjësia për humbjet e përsëritura zgjedhore bie te kryetari i saj.











