Braçe: Berisha të rrëzohet

Aug 28, 2012 | 13:34

Erjon Braçe

Nënkryetari i Grupit Parlamentar i përgjigjet vëzhgimit të Pandeli Majkos.

“Që të mos përsëritet ‘96, jo bashkëpunim me të”

Në komunikimin virtual mes tyre, deputetët socialistë replikojnë me njëri-tjetrin për mënyrën se si duhet të sillet opozita me maxhorancën dhe qeverinë aktuale. Në një reagim të tij në rrjetin social “Facebook”, Erjon Braçe i përgjigjet një vëzhgimi të Pandeli Majkos, botuar edhe ai në faqen e tij në këtë rrjet, duke thënë se Sali Berisha duhet rrëzuar dhe jo mundur.
“Do vidhen zgjedhjet si në ’96-n” -Alarmi. Po pra! Ndaj, Sali Berisha nuk duhet “mundur”, por duhet rrëzuar! Rrëzimi i tij nis nga mosbashkëpunimi, kundërshtimi, beteja e përditshme kundër praktikave të tij autoritariste, korruptive, plaçkitëse, antipopullore. Sado të vogla qofshin, kudo ku ka njerëz që vuajnë e janë të gatshëm të kundërshtojnë e ta rrëzojnë”, shkruan Braçe në përgjigje të vëzhgimit të Majkos, botuar një ditë më parë në gazetën “Panorama”. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, për të rrëzuar Berishën nga pushteti nuk duhet të ketë frikë. “Nuk është i fortë, bie si fije kashte! Si në ’96-n! Pa frikën e atëhershme. Frika e bën Berishën të fortë! Me shpresën e madhe të një ndryshimi që s’e kthen më”, shprehet Braçe. Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, në një analizë për situatën politike aktuale dhe parashikimin për atë që pritet të ndodhë deri në zgjedhjet e 2013-s, paralajmëron rrezikun e përsëritjes së fenomeneve të zgjedhjeve të 1996-s. Në të njëjtën ditë me daljen pas shumë kohësh para mediave të kreut të PS-së, Majko shprehet se “në politikën shqiptare po shfaqet sindromi i Arturo Ui-së”… “Ekonomia ka marrë të tatëpjetën dhe ka nevojë urgjente për një audit ndërkombëtar. Falsifikimet për ekonominë janë të nivelit të “piramidave” të viteve ‘96-‘97 dhe niveli i borxhit ka fshehje të qartë zyrtare. Mjafton të mirëkuptosh uljen drastike të shpenzimit të energjisë elektrike, për të vlerësuar situatën dramatike në ekonomi. Rendi publik në udhëkryq dhe zjarret pa fund në vend janë pamja e një qeverisjeje të drobitur nga vetja dhe mungesa e dëshirës. Daljet e Berishës me ritualin e tij ‘energjitik’ bën më të dukshme mungesën e të ‘tjerëve’…”, shkruante Majko në rrjetin social “Facebook”. Sipas Majkos, “rideklarimet e Kryeministrit për ‘grushtin e shtetit’ të 21 janarit janë të paimagjinueshme për t’i konsideruar serioze. Ato po marrin pamjen e “djegies se Rajhshtagut”. Të akuzuar janë të gjithë kundërshtarët politikë të qeverisë. Dhe historia nuk ka për të mbaruar me kaq. Këto sinjale po marrin ngadalë pamjen e një kohe të vështirë, e cila po troket jo vetëm për ata që bëjnë opozitë në Shqipëri”.

© Panorama.al

Te lidhura