Braçe:Berisha po tenton ‘grusht shteti’ në Kuvend

Jul 6, 2012 | 16:48

TIRANE- Nismën e Partisë Demokratike me aleatët e saj për heqjen e imunitetit, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe e ka cilësuar si tentativë të kryeministrit, Sali Berisha për të bërë “grusht shteti” në Kuvend.

Në një reagim të tij në Facebook, Braçe shprehet se me propozimet e reja të PD-së, kryeministri i jep të drejtë vetës që të arrestojë deputetë të Kuvendit, me votim të hapur të maxhorancës së tij politike në Kuvend. Sipas Braçes, nëse këto ndryshime miratohen, atëherë nuk ka më Kuvend dhe as Demokraci.

“Ka vetëm një parti që ka Presidentin, që emëron Prokurorin dhe Gjykatësit e Lartë (këta akuzojnë dhe gjykojnë deputetët); ka kryeministrin që emëron ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë së Shtetit (ky eshte organi që egzekuton urdhër arrestet); ka kryetarin e Kuvendit që drejton maxhorancën politike (kjo shumicë lejon arrestimin me votë të hapur në Kuvend).”- thotë Braçe në reagimin e tij.

Braçe kërkon që kjo skemë e grushtit të shtetit duhet të ndalet me çdo kusht, pasi ndryshe nuk ka më demokraci dhe parlamentarizëm.

Më tej deputeti, Erjon Braçe ka bërë një krahasim të Nenit 73, siç është dhe si do të bëhet me propozimet e PD-së.

Neni 73/Ishte
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi per mendimet e shprehura ne Kuvend dhe për votat e dhena prej tij. Kjo dispozite nuk zbatohet ne
rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund te ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kerkohet edhe ne rastin kur ai do te arrestohet.
3. Deputeti mund te ndalohet ose te arrestohet pa autorizim kur kapet ne kryerje e siper ose menjehere pas kryerjes se nje krimi te
rende. Ne keto raste, Prokurori i Pergjithshem njofton menjehere Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend per procedim, vendos
per heqjen e mases.
4. Per rastet e parashikuara ne paragrafet 2 dhe 3 te ketij neni, Kuvendi vendos me votim te fshehte
Neni 73/e bën PD
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë, Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit te deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo që nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.

Ndërkaq, PD bashke me aleatët ka nisur sot mbledhjen e firmave për heqjen e imunitetit. Kjo nisme për ndryshimin e Kushtetutës depozitohet në Parlament, ndërkohe qe javën e ardhshme pritet shqyrtimi në komisione dhe miratimi në seancë.

© Panorama.al

Te lidhura