Braçe: Atdheu po shitet. MM: Akuza të pabaza

Jul 19, 2012 | 17:52
Godina e Ministrise se Mbrotjes

Ministria e Mbrojtjes ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe për tjetërsim të pronës publike në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri i quajti të pabaza deklaratat e Braçes, ndërsa tha se; Shkolla e Bashkuar, Spitali Ushtarak, Baza e Bishtit të Pallës do të mbeten në planin e Forcave të Armatosura të Republkikës së Shqipërisë.

Ai shtoi se tuneli i Porto Palermos mund të kthehet në një muze të Luftës së Ftohtë, si dhe ish shkolla e Marinës, e cila nuk përdoret më nga FA-të i është dhënë për shfrytëzim Universitetit të Vlorës.

Lidhur me pronat të cilat janë jashtë planit të Forcave të Armatosura, Kulluri sqaroi se një numër i konsiderueshëm i tyre që nuk përdoren nga FA i është dhënë pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera publike.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes nuk bën privatizime, ndërsa ai i bëri thirrje deputetëve që të konsultojnë praktikat që përdorin ministritë e vendeve të tjera  anëtare të NATO-së në kuadër të ristrukturimit të Forcave të Armatosura.

Deputeti socialist, Erjon Braçe është shprehur se “1.2 milion metër katrorë prona publike të ushtrisë kanë dalë në shitje! 1 milion metër katrorë të tjera po bëhen gati”- duke përfshire ketu Spitalin Ushtarak dhe Shkollën “Skëndërbej”.

“Une mesova dje se jashte planit te perhapjes ka dale nje pjese e madhe e Shkolles se Bashkuar, Shkolles se Marines ne Vlore, Spitalit Ushtarak ne Tirane, Baza e Bisht Palles, Tuneli i Porto Palermos!”- shkruan Braçe ne Facebook.

Braçe ka lëshuar alarmin se atdheu po shitet, duke akuzuar për këtë kryeministrin, Sali Berisha

© Panorama.al

Te lidhura