BQE: Qeveritë të reagojnë, eurozona e paqëndrueshme

Jun 1, 2012 | 14:57
Mario Dragi, president i Bankës Qendrore Europiane

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, ka paralajmëruar të enjten se struktura e eurozonës është bërë “e paqëndrueshme” dhe i kritikoi liderët politikë që i janë përgjigjur shumë ngadalë krizës së borxhit sovran. “Konfigurimi që ne kishim prej 10 vitesh dhe konsiderohej i qëndrueshëm, tani rezulton i paqëndrueshëm në rast se nuk hidhen hapa të tjerë”, tha Dragi para Komitetit të Parlamentit Europian në Bruksel. Këto janë kritikat më të ashpra që ka bërë Dragi mbi menaxhimin e krizës në eurozonë, qëkur ai mori detyrën e të parit të Bankës Qendrore Europiane nëntorin e vitit 2011. Sipas tij, gjysmëmasat dhe vonesat nga liderët politikë e kishin përkeqësuar krizën dhe kishte ardhur koha që liderët të vendosnin se çfarë lloj eurozone duan. “Hapi tjetër u takon liderëve tanë dhe ata duhet të qartësojnë vizionin e tyre për disa vite në vazhdim. Sa më shpejt të specifikohet kjo, aq më mirë është. Shpërbëjeni mjegullën”, theksoi kreu i BQE-së. Komentet e Dragit u bënë para Komitetit Ekonomik dhe të Çështjeve Monetare të Parlamentit Europian.
Ndërsa depozitat po pakësohen jo vetëm në Greqi, por edhe në Spanjë, nga frika e falimentimit të bankave, Dragi theksoi vendosmërinë e BQE-së për të siguruar që bankat me aftësi pagimi të mos falimentojnë nga mungesa e përkohshme e fondeve. Ai shtoi se BQE ka rinisur huadhënien normale të katër bankave më të mëdha greke, pasi ato morën kapital të ri, duke pakësuar frikën e falimentimit të bankave në Greqi, epiqendra e krizës së eurozonës. Kreu i BQE-së tregoi edhe “lodhjen” e Bankës Qendrore nga vakumi politik në eurozonë dhe luftën e bankave qendrore të vendeve të grupit për të mbijetuar, si dhe përpjekjet e qeverive për t’ia deleguar këtë përgjegjësi Bankës Qendrore Europiane. Dragi tha se BQE nuk mund të plotësonte rezervat e pakësuara të kapitalit dhe as të zgjidhte problemin e tejkalimeve të borxheve qeveritare ose paaftësinë e vendeve si Greqia për të konkurruar me tregjet ndërkombëtare të eksportit. Kreu i BQE-së i bëri thirrje Bashkimit Europian që të themelojë një fond sigurimi depozitë për të risiguruar qytetarët se paratë në bankat europiane janë të sigurta.

Paralajmërimi i Olli Rehn
Olli Rehn, zv.president i Komisionit Europian, si dhe përgjegjës për çështjet ekonomike dhe financiare, por edhe euron, tha se vendet e eurozonës duhet të gjejnë mënyra për të “parandaluar përhapjen e krizës nga një vend në tjetrin dhe të përmbajnë kostot e huamarrjes nëse duan të evitojnë disintegrimin e eurozonës”. Deklarata e Rehn u bë në Bruksel gjatë një konference, duke përforcuar gjithashtu dhe kritikat e bëra më parë nga Presidenti i Bankës Qendrore Europiane për hapa më të shpejtë nga qeveritë e eurozonës kundër krizës së borxhit.

© Panorama.al

Te lidhura