BQE ndryshon lojën e euros, blerjet e bonove, pa limit

Sep 7, 2012 | 13:41

Mario Dragi gjatë njoftimit të planit të ri të BQE

Mario Dragi shpall programin e ri që tejkalon parashikimet, FMN  e mirëpret.

Banka Qendrore Europiane ka zbuluar atë që u quajt plani i saj më ambicioz deri tani për shpëtimin e eurozonës nga kriza. Në takimin e djeshëm të ekspertëve financiarë europianë, kreu i BQE-së, Mario Dragi, njoftoi vendimin e bankës për të blerë bono pa limit në një afat të shkurtër nga vendet që po luftonin me krizën e borxhit. Kjo do të thotë se vlera e bonove të tyre do të rritet, interesat do të ulen, duke u mundësuar këtyre vendeve të marrin hua me një kosto më të lirë. Plani që u paraqit dje e tejkalon paralajmërimin e BQE-së për programin e blerjeve të limituara të bonove. Ky plan, ashtu si edhe i riu, janë kundërshtuar ashpër nga ekonomistët më të lartë të vendit financues më të madh të BE-së, Gjermania. Por Dragi ka shkuar përpara me planin e tij, pasi ka marrë mbështetjen e kancelares Merkel për të bërë çdo gjë që duhet për të shpëtuar euron. Pas shpalljes së planit të BQE-së, pati një lëvizje shumë pozitive në tregje. Analistët ekonomikë e kanë quajtur vendimin e Dragit një lëvizje potenciale që ndryshon drejtimin e lojës. “Ky është një ndryshues loje potencial”, është shprehur Jakob Kirkegard, studiues në institutin “Peterson” për ekonomitë ndërkombëtare. “Kjo është hera e parë që BQE ka vendosur balancat e saj. Dhe mënyra se si është bërë, është politikisht e qëndrueshme në Europë”, shtoi ai. Por ka një “pengesë”. Vendet që do të kërkojnë ndihmën e BQE-së me borxhet e tyre, më parë duhet të kërkojnë ndihmë emergjence nga fondi i shpëtimit i menaxhuar nga 17 vendet që përdorin euron dhe t’ia paraqesin politikat e tyre Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky hap vendos presion mbi Italinë dhe Spanjën, të cilat janë përpjekur ta evitojnë kërkesën për hua nga partnerët e tyre europianë. Kristine Legarde, drejtore menaxhuese e FMN-së, e mirëpriti planin e BQE-së të enjten dhe tha se FMN është “gati për bashkëpunim”. Analistët skeptikë kanë paralajmëruar se plani i BQE do të sjellë lehtësim afatshkurtër për vendet e BE-së, por nuk lufton problemet afatgjata të krizës. Shpëtimi i qeverive nga rreziku i shpejtë thjesht blen kohë për eurozonën.

Trazirat në Greqi
Shkurtimet e pagave janë bërë arsyeja e sherrit mes forcave speciale greke, MAT dhe punonjësve të Policisë greke, të cilët po protestonin për pagat e tyre. Policët protestues bllokuan portën kryesore të shkollës së MAT, duke mos lejuar forcat speciale të drejtohen nga Selaniku, ku do të jenë pjesë e masave të sigurisë, për shkak të protestave të paralajmëruara në këtë qytet, gjatë hapjes së Panairit Ndërkombëtar. U desh ndërhyrja personale e Kryeministrit Antonis Samaras, që pas disa orësh të hiqej bllokada e policëve. Hapja e panairit gjithmonë shoqërohet me protesta dhe tensione dhe për të angazhohen mijëra forca për ruajtjen e sigurisë.

© Panorama.al

Te lidhura