Ndërsa në Bosnjë u përkujtua dje 17-vjetori i masakrës më famëkeqe në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore, asaj të Srebrenicës, ku humbën jetën rreth tetë mijë burra e djem myslimanë boshnjakë, të ekzekutuar nga trupat serbe të Bosnjës, e gjithë bota e përmendi këtë ditë. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, tha dje se emri i Srebrenicës do të jetë gjithnjë i lidhur me ngjarjet më të errëta nga shekulli i 20-të. “SHBA hedhin poshtë përpjekjet për shtrembërimin e përmasave të këtij krimi, arsyetimin e motivit për këtë krim, fajësimin e viktimave dhe përpjekjet për të mohuar gjenocidin e pamohueshëm”, tha ai. Në qendrën memoriale në Potoçari afër Srebrenicës, dje u bë edhe varrimi i mbetjeve mortore të identifikuara të 520 personave të vrarë në vitin 1995. Në përkujtimoren e djeshme në Bosnjë morën pjesë rreth 7000 veta.











