Bossi: Distancohem, s’kam qenë kurrë në Shqipëri

May 10, 2012 | 20:40
Diploma e Renzo Bossit

ITALI -“Distancohem plotësisht nga ajo diplomë universitare”. Kështu është shprehur Renzo Bossi djali i ish kreut të Lidhjes së Veriut në Itali, Umberto Bossi, për të cilin thuhet se është diplomuar në Shqipëri në Universitetin Kristal, brenda një viti me një diplomë 3 vjeçare.

Në një reagim për mediat, Renzo Bossi ka mohuar të ketë qenë në Shqipëri si dhe të ketë qenë në dijeni të diplomës.

“Nuk kam qenë asnjëherë atje, nuk flas shqip, nuk kam pretenduar kualifikime akademike dhe kurrë nuk kam qenë në dijeni të atij dokumenti që daton në vitin 2010” – ka thënë Bossi.

Bossi Junior ka thënë se nuk ka reaguar deri sot pasi i  beson drejtësise, dhe se u përgjigjet vetëm atyre.

“Unë e gjej veten i detyruar të dal në publik, kundër vullnetit tim, për të ndalur mediat, të cilat kanë ndërmarrë një fushatë masakruese kundër meje, gazetat shumë herë vitet e fundit kanë zëvendësuar gjykatat.”- ka thënë ai.

Më tej Bossi ka thënë se të gjitha këto akuza dhe sulme ndaj tij bëhen për të trembur babain e tij.

“Unë kam parë dhe dëgjuar shumë njerëz që më akuzojnë në mënyrë të padrejtë, duke më përdorur mua si një armë kundër babait tim”- eshte shprehur ai.

© Panorama.al

Te lidhura