Bosi i “Ndrangheta”-s, kazino në Vlorë

Aug 8, 2011 | 9:54
Giuseppe Simonelli, foto gjatë përgjimit që kryente policia

Bosi i mafies italiane “Ndragheta”, Giussepe Simonelli, i cili u arrestua në Vlorë, ka qenë gjatë gjithë kohës në survejim dhe policia shqiptare ka qenë në dijeni për mbërritjen e tij në Shqipëri.Simonelli, i njohur me pseudonimin “Paço”, është mbajtur në vëzhgim nga Policia e Vlorës dhe është lejuar të kalojë kufirin shqiptar pa i hapur probleme, edhe pse kishte informacione të saktë nga policia italiane për veprimtarinë e tij mafioze. Qëllimi i policisë ka qenë për të zbuluar planet që e lidhnin bosin mafioz me Shqipërinë dhe posaçërisht me Vlorën. Burime nga Policia e Shtetit thanë se çdo veprim i Simonellit, që prej momentit kur ka shkelur tokën shqiptare, është vëzhguar me imtësi, derisa është zbuluar se qëllimi i vizitës së tij nuk ishte turizmi dhe as fejesa e shokut të tij, siç pretendoi ai dy ditë më parë në gjykatë. Sipas Policisë, plani i “Paços” ishte të hapte një kazino në Vlorë, që do t’i shërbente jo vetëm si vendstrehim, por edhe për pastrimin e parave që vinin nga trafiku i kokainës. Ai është arrestuar pas një rakordimi veprimesh me Policinë italiane, gjatë një aksioni që u krye në Vlorë, të koduar “Due Torri Connection”. Njëkohësisht, me aksionin e Policisë shqiptare, në Itali është kryer një operacion tjetër, gjatë të cilit është arrestuar bashkëpunëtori i “Paço”-s, edhe ai pjesë e klanit mafioz “Ndragheta”. Të dy të arrestuarit e çojnë në 16 numrin e personave të vënë në pranga, në lidhje me hetimin e nisur gati një vit më parë për trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Italisë. Të gjithë të arrestuarit janë pjesë e “Ndragheta”-s kalabreze të lidhur me klanin tjetër mafioz “Mancuso” dhe të gjithë banojnë në Bolonja.
ZBULIMI I GRUPIT
Grupi prej 16 personash u zbulua nga policia italiane vitin e kaluar, pasi do të trafikonin në Itali një ngarkesë prej 1500 kilogramësh kokainë nga Kolumbia. Policia kishte arritur të infiltronte agjentët e saj, që zbuluan se ngarkesa do të transportohej me një avion privat nga Ekuadori në Spanjë e më pas në Itali. Por, në mënyrë të pashpjegueshme kolumbianët anuluan transportin e kokainës dhe më pas policia zbuloi se Giuseppe Simonelli, bashkë me dy italian të tjerë, nuk kishin rënë dakord për çmimin e kokainës. Gjatë përgjimit të telefonatave, policia zbuloi se një person që ndodhej në burg kishte biseduar me kolumbianët duke rënë dakord që të mbanin peng Simonellin dhe dy të tjerët, derisa të negocionin dhe të binin dakord për çmimin e kokainës. Pas negociatave, ata u liruan, ndërsa negociatat për çmimin dhe mënyrën se si do të trafikohej ngarkesa vazhdonin. Duke përdorur mënyrën e infiltrimit, policia italiane instaloi kamera në bodrumin e një vile tepër luksoze në Bolonja, e cila shërbente për mbledhjet që kryenin anëtarët e organizatës mafioze. Gjatë përgjimeve të kryera në bodrumin e asaj shtëpie, policia arriti të sigurojë të gjitha provat e nevojshme për arrestimet që do të kryente në vazhdim. Menjëherë më pas u lëshuan urdhër-arrestet për 16 personat e akuzuar, 14 prej të cilëve janë arrestuar në Itali në prill të vitit 2010. Ndërsa dy të tjerët u arrestuan disa ditë më parë, në dy operacione të përbashkëta në Itali dhe në Vlorë.

ARRESTIMI

“Më 4 gusht, departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë italiane, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Vlorës, organizuan operacionin “Due torri conection”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Guiseppe Simonelli, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tropea, Itali”, thuhej në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

SIMONELLI

Dy ditë më parë, në Gjykatën e Vlorës u zhvillua masa e sigurisë për shtetasin italian Giuseppe Simonelli, ku u vendos masa e sigurisë “40 ditë burg”, deri në përfundimin e procedurave për ekstradim. Gjatë seancës, Simonelli u shpreh se “unë kam ardhur për pushime së bashku me mikun tim italian. Ai ka një lidhje me një vajzë shqiptare dhe këto ditë do të bënte zyrtarizmin e lidhjes. Pas disa ditësh do të ktheheshim në Itali”.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura