Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor që garanton menaxhimin e borxhit, harton strategji të mira për menaxhimin e tij, ka transaksione dhe garanci të rregullta që bindin, por, kur vjen puna te transparenca, çështja ngec.Banka Botërore, në një raport të fundit të saj për borxhin e Shqipërisë, vlerëson me “sistemin e shkronjave” performancën e secilit prej mekanizmave që përbëjnë borxhin, duke filluar nga kuadri ligjor e deri te publikimi periodik i buletineve me shifrat konkrete. Vlerësimi me A është një vlerësim maksimal pozitiv, ndërkohë që sa më poshtë shkronja, aq më keq vlerësimi. Nuk janë të pakta pikat ku Shqipëria është vlerësuar për një performancë shumë të mirë, por ka edhe plot pika të dobëta që lidhen me borxhin publik dhe me transparencën rreth tij.
Vlerësim pozitiv
Për Bankën Botërore, Shqipëria ka një kuadër ligjor shumë të mirë që lidhet me borxhin publik. Cilësia e strategjisë së borxhit vlerësohet me nivelin maksimal A dhe me po të njëjtën nivel vlerësohet edhe rifreskimi i kësaj strategjie, vendimmarrja rreth saj apo publikimi. Struktura e menaxhimit të borxhit si dhe transaksionet e huamarrjes cilësohen si korrekte dhe po kështu edhe garancitë për borxhet që qeveria merr. Banka Botërore vlerëson se në proceset e huamarrjes qeveria është gjithmonë e kujdesshme që të marrë informacionin e duhur këshillues nga konsulentët legalë para nënshkrimit të çdo kontrate huaje. Në diferencën mes huamarrjes së brendshme dhe asaj të jashtme qëndron transparenca. Raporti i BB nxjerr në pah faktin që qeveria është shumë transparente në lëvizjet e saj sa i përket huamarrjes së brendshme, duke publikuar saktë paraprakisht kërkesat e saj dhe rezultatet e çdo huamarrjeje. Një tjetër pikë që është vlerësuar me A është ajo e koordinimit të politikës monetare të qeverisë me borxhin publik. Kështu, qartësia dhe ndarja e operacioneve monetare nga ajo e menaxhimit të borxhit si dhe koordinimi me informacion të rregullt duke konsultuar transaksionet aktuale dhe të ardhshme të qeverisë me Bankën Qendrore janë faktorë që ndikojnë pozitivisht. Nga ana tjetër, edhe disponimi i variablave kyçë fiskalë dhe analizave për qëndrueshmërinë e borxhit dhe frekuenca në të cilën këto analiza janë zhvilluar, janë vlerësuar gjithashtu maksimalisht.
Vlerësimi negativ
Transparenca duket se është një nga pikat problematike që Banka Botërore ka vënë re në mënyrën se si menaxhohet borxhi publik nga operacionet te publikimet e shifrave. Sipas raportit të fundit, BB thekson se cilësia dhe harku kohor i publikimit të buletinit me statistikat që mbulojnë borxhin e qeverisë është larg performancës së mirë A dhe për momentin vlerësohet me D. “Ndërkohë që statistikat e borxhit botohen në raporte në baza të rregullta, ka mungesë të informacionit për disa masa kyçe të riskut”, thuhet në raport. Një tjetër vlerësim jopozitiv është ai lidhur me një plan veprimi të qeverisë për menaxhimin e riskut operacional. Edhe në këtë pikë Shqipëria vlerësohet me D, duke theksuar se nuk ekziston asnjë plan i tillë që në kohëra të këqija mund të garantojë vijueshmërinë e aktivitetit të biznesit si dhe menaxhimin e katastrofave. Nëse mungesa e transparencës shihet si një problem i Shqipërisë nga Banka Botërore, njëlloj shihet edhe mënyra se si kontrollohet borxhi. Auditi i jashtëm, që është Kontrolli i Lartë i Shtetit, shihet si një institucion që duhet të zhvillojë më shumë kontrolle për situatën e borxhit dhe po kështu duhet të jetë edhe transparenca për huamarrjen e jashtme. “Frekuenca e auditit të brendshëm dhe të jashtëm të aktiviteteve të menaxhimit të borxhit të qeverisë, politikat e operacionet, si dhe publikimi i raporteve të auditit të jashtëm vlerësohen me C”, përcaktohet në raport. Problem, në fakt, nuk është vetëm çështja e dokumenteve apo e sigurisë së të dhënave për borxhin, por edhe stafi. Për Bankën Botërore stafi dhe menaxhimi i burimeve njerëzore janë jo në maksimumin pozitiv, por të renditur me një performancë C.
Loja e shifrave, qeveria shkel “premtimet” për borxhin
Prej dy vitesh qeveria është duke luajtur me shifrat e borxhit duke hedhur për konsum herë ulje të tij në plane disavjeçare, herë qëndrim statik pranë tavanit prej 60 përqindësh. I përcaktuar edhe me kuadrin ligjor, borxhi publik nuk duhet ta kalojë këtë tavan dhe deri këtu qeveria është në rregull, por këshillave të FMN-së dhe Bankës Botërore për t’ju larguar këtij niveli, Shqipëria i ka qëndruar indiferente. Në vizitat “tradicionale” që misioni i FMN-së zhvillon në vendin tonë, ulja e borxhit ka qenë kryefjalë e çdo takimi, madje kjo e fundit është ofruar për të sugjeruar edhe një rregull matematik që do ta çonte borxhin nga 60 për qind, në 50 për qind brenda pak viteve. Fillimisht qeveria duket se u bind për të ulur borxhin dhe në një strategji të saj parashikoi në nëntor të 2010-s që të ulte nivelin e borxhit nga 59.6% në vitin 2009, në 54 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2013. Sërish kjo u ndryshua në shkurt dhe qeveria parashikoi që borxhi të ulej gradualisht në 58.1 për qind të GDP, deri në vitin 2013. Por, së fundi, kreu i qeverisë ndryshoi sërish qëndrim duke thënë se qeveria nuk ka në plan që të rrisë borxhin, por la të nënkuptohej që deri në 2013-n borxhi do të qëndrojë në nivelin e sotshëm, 59 për qind. “Ne nuk kemi deklaruar se do ta ulim borxhin. Ne kemi deklaruar se nuk do ta rrisim borxhin, dhe ka qenë 59 për qind, ka qenë 59.4 për qind vjet dhe po kaq do të jetë sivjet”, ishte deklarata e fundit e kreut të qeverisë për borxhin. Frika se borxhi i Shqipërisë mund të kthehet në një bumerang që mund ta dëmtojë seriozisht shtetin, është lakuar shpesh, sidomos nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka vlerësuar se vendi ynë nuk ka kapacitete të përballojë një borxh kaq të lartë. Vendet që kanë nivelin ekonomik të Shqipërisë dhe një prodhim të brendshëm të përafërt kanë nivele borxhi më të moderuara sesa 60 për qind e GDP-së.
60 per qind
e Prodhimit të Brendshëm Bruto vlerësohet tavani maksimal që nuk duhet të kalohet nga Shqipëria sa i përket borxhit publik. Rritja mbi këtë nivel cilësohet si rrezik serioz për ekonominë.
59.4 per qind
është niveli në të cilin ka qenë borxhi publik gjatë vitit 2010 dhe po kaq do të jetë edhe gjatë 2011-s, sipas deklaratës së Kryeministrit, të bërë pak kohë më parë për borxhin e Shqipërisë.
58 per qind
të GDP-së parashikonte qeveria që ta çonte nivelin e borxhit publik deri në vitin 2013, sipas strategjisë së miratuar në shkurt të këtij viti, por kjo u hodh poshtë më vonë nga Kryeministri.
Borxhi, 11.7% e parave u mor nga qytetarët
Gjatë vitit 2011, qytetarët kanë financuar 11.7 për qind të deficitit buxhetor. Në buletinin e Ministrisë së Financave rezulton se gjatë tremujorit të parë të këtij viti qeveria mori borxh nga bankat e nivelit të dytë në vend, nga Banka e Shqipërisë dhe nga individët. Në shifra, financimi i deficitit u bë në nivelin 14.7 për qind nga Banka e Shqipërisë, 69 për qind nga bankat e nivelit të dytë, 3.2 për qind nga institucionet jobankare dhe 11.7 për qind nga individët. Deri në mars, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, janë marrë 18 miliardë lekë borxh, nga i cili 9.8 miliardë janë marrë përmes bonove të thesarit në lekë, kurse pjesa tjetër është borxh afatgjatë me periudhë maturimi 2-7-vjeçare dhe është në nivelin 8.3 miliardë lekë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











