Borxhi në limitin e fundit, nuk ka ulje edhe për 2 vite

Sep 12, 2012 | 13:02
Nga mbledhjet e Qeverisë

Parashikimi i qeverisë: Deri më 2015, huaja sa 59.9 për qind e PPB.

Viti 2012 pritet që të mbyllet me një stok total të borxhit publik afër limiteve të fundit, me një nivel sa 59,9 për qind e GDP-së. Qeveria ka respektuar tavanin prej 60 përqindësh të sanksionuar edhe në ligjin e buxhetit me vetëm 0.1 për qind larg. Por, ajo që bie në sy është fakti që ky borxh do të vijojë të mbetet në nivele të larta edhe për vitet në vijim. Në kuadrin makroekonomik dhe fiskal të miratuar nga qeveria gjatë muajit të kaluar, borxhi publik parashikohet që të jetë 59.9 për qind edhe për dy vitet e ardhshme, 2013 dhe 2014. Vetëm në vitin 2015 qeveria parashikon të fillojë ulje të borxhit, duke e çuar kufirin e tij në 59.6 për qind. Edhe pse në pamje të parë duket se niveli 59.9 për qind është statik dhe pa ndonjë shpresë uljeje, nëse i referohemi këtij viti, mbetet ende kohë për të ndryshuar situatën. Parashikimi i qeverisë është që borxhi të jetë 59.9 për qind në fund të këtij viti, por në parashikimet e saj, të ardhurat nga privatizimet janë zeruar të gjitha. Aktualisht janë në proces privatizimi Albpetroli dhe katër hidrocentrale, kurse finalizimi do të jetë me paketën e mbetur të aksioneve të Albtelekomit në dhjetor. Nëse të gjitha këto përfundojnë me sukses, qeveria do të ketë më shumë hapësira për ta ulur atë. Institucione ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe Banka Botërore, kanë këshilluar për një ulje të këtij niveli të borxhit publik. Argumenti i tyre ka qenë ai i problemeve që sjell mungesa e hapësirës financiare në kushte krize dhe sot situata ekonomike globale nuk është në lulëzim. FMN-ja në këshillat e saj do të propozonte ndjekjen e një rregulli matematik që parashikon uljen deri në 54 për qind të borxhit publik, e shtrirë kjo ulje në një sërë vitesh, por deri tani nuk është zbatuar asnjë rregull.

 

© Panorama.al

Te lidhura