Borxhi, Italia fal 20 mln euro për arsimin e shëndetësinë

Aug 25, 2011 | 13:24
Ministri i Financave Ridvan Bode dhe ambasadori italian në Tiranë Saba D'Elia

Rreth 20 milionë euro borxh që Shqipëria i detyrohej shtetit italian janë “falur” duke u konvertuar në fonde për zhvillim, që do të mbështesin fushat e arsimit, shëndetësisë dhe politikat e punësimit.Marrëveshja për konvertimin e këtij borxhi për zhvillim u nënshkrua dje nga ministri i Financave Ridvan Bode dhe ambasadori i Italisë, Saba D’elia. Borxhi prej 20 milionë eurosh që përfshinte principal dhe interesa, tashmë do të ndahet në njëmbëdhjetë këste, të cilat do të depozitohen në një Llogari Fondi Kundërparti. Çdo këst do të konvertohet në lekë sipas kursit të këmbimit në datën e depozitimit, ndërkohë që kësti i parë pritet që të depozitohet shumë shpejt. Ky këst do të ketë vlerën 500 mijë euro dhe do të depozitohet në llogarinë e fondit brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmëvjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë euro, do të depozitohen çdo 31 tetor dhe 30 prill të viteve në vijim. Të gjitha fondet që do të mblidhen në këtë llogari do të shkojnë për projekte në fushat e arsimit, shëndetësisë apo punësimit, të cilat do të identifikohen si nga pala shqiptare, ashtu dhe nga ajo italiane. Lidhur me këtë është menduar që të funksionojë edhe një strukturë, siç është Komiteti Menaxherial i përbashkët, që do të ketë edhe autoritetin e përzgjedhjes së projekteve. Koha e lënë në dispozicion për përdorimin e këtyre fondeve në projekte të ndryshme është 2 vjet nga data e depozitimit dhe në rast se këto fonde nuk përdoren, atëherë ato i kthehen qeverisë së Italisë. “Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese dhe të përdorura për projektet përkatëse do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt qeverisë së Republikës së Italisë. Fondet e papërdorura deri në afatin e vendosur prej dy vitesh do t’i kthehen qeverisë italiane”, thuhet në njoftimin e Financave. Marrëveshja e nënshkruar dje, që i hapi rrugë programit të konvertimit të një pjese të borxhit që vendi ynë ka ndaj Italisë, është parashikuar në protokollin e bashkëpunimit dypalësh.

20 milione
euro është shuma e borxhit që përfshin principal, plus këste kredie, që Shqipëria duhet t’i paguante qeverisë italiane. Nëpërmjet marrëveshjes së djeshme u vendos që borxhi të orientohej si fond për projekte në disa sektorë socialë, si arsimi, shëndetësia dhe punësimi.

500 mije euro
do të jetë kësti i parë që do të depozitohet në llogarinë e fondit që do të përdoret për projektet. Ky këst duhet të depozitohet në këtë llogari brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e marrëveshjes së nënshkruar nga Bode dhe ambasadori italian.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura