Borxhi, do rritet kostoja e shërbimit

Aug 26, 2011 | 11:06
Ministria e Financave

Normat e interesit në tregjet ndërkombëtare kanë pasur një tendencë në rritje dhe Ministria e Financave vëren se një situatë e tillë, pa dyshim që do të ketë efektin e saj në koston e shërbimit të borxhit publik që ka vendi.Treguesit e borxhit për pjesën e parë të këtij viti, të publikuara nga Financat, informojnë se deri në fund të qershorit 2011 stoku total i borxhit arriti 7.5 miliardë dollarë, një rritje me 5 për qind krahasuar me nivelin e borxhit në dhjetor të vitit 2010. “Struktura e stokut të borxhit publik ka mbetur e njëjtë, si në fund të vitit 2010, ashtu edhe në qershor 2011. Rreth 99.97% të këtij borxhi e përfaqëson borxhi i qeverisë qendrore, ndërsa borxhi i pushtetit lokal zë vetëm 0.03% të stokut”, thuhet në raportin zyrtar të Financave për borxhin.
Rritja e borxhit
Treguesit e Financave detajojnë se nga totali i borxhit, rreth 58 për qind e tij është marrë nga tregu i brendshëm dhe 99.5 e këtij borxhi është në lekë, çka nuk e vendos qeverinë përpara ndonjë vështirësie. Sakaq, pjesa më shqetësuese mbetet borxhi i jashtëm, i cili është i ekspozuar edhe ndaj risqeve të zhvillimeve të tjera. Financat pranojnë se interesat në tregjet ndërkombëtare janë rritur, çka e bën më të lartë koston e shërbimit të borxhit të jashtëm që ka qeveria. Sipas Ministrisë, borxhi i jashtëm përfaqëson 42% të stokut të borxhit. “Përsa u përket normave të interesit në tregjet ndërkombëtare (libor, euribor), gjatë kësaj periudhe të vitit 2011 është vënë re gjithashtu tendenca në rritje e tyre, gjë që do të japë ndikimin e vet në shërbimin e borxhit të jashtëm”, shprehen Financat në raportin e treguesve të borxhit.

BSH: Shkak i deficitit në buxhet, skema e sigurimeve

Pas Bankës Botërore, e cila prej vitesh bën thirrje që skema e sigurimeve shoqërore të ndryshojë pasi është një skemë deficitare, duket se edhe Banka e Shqipërisë kërkon të vërë në dukje këtë fakt. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë, Banka bën një konstatim që lidhet direkt me skemën e sigurimeve dhe deficitin që ka në buxhet. “Deficiti buxhetor në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011 rezultoi rreth 26.3 miliardë lekë, duke u zgjeruar me rreth 69% në terma vjetorë. Vlera e deficitit të përgjithshëm buxhetor përkon plotësisht me masën e deficitit të krijuar nga skema e sigurimeve sociale”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Saktësisht, deficiti që ka vetë skema, që është diferenca mes shpenzimeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të ardhurave në buxhet që mblidhen nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore, është plot 26. 3 miliardë lekë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura