Duket se gjërat nuk po shkojnë aspak në drejtimin e dëshiruar për dollarin, ekonominë amerikane dhe borxhin e saj publik të jashtëzakonshëm. E gjithë bota ndoqi me ankth debatin disajavor ndërmjet demokratëve dhe republikanëve për rritjen e tavanit të borxhit publik në SHBA, si dhe tentativat për gjetjen e një konsensusi për ngushtimin e deficitit buxhetor. Presidenti Obama bëri çdo lloj thirrje e tentative të mundshme për t’i “bindur” të dyja kampet e politikës amerikane se kutia e Pandorës nuk duhej hapur duke vënë logjikën dhe llogaritë politike mbi racionalitetin ekonomik e financiar. Këtë radhë nuk ishin në lojë vetëm “çështjet e brendshme amerikane”, por perspektiva e ekuilibrave financiarë botërorë, interesat e shumë vendeve të mëdha e të fuqishme si Kina, vendet e eurozonës etj., interesat e mjaft bankave qendrore nëpër botë, sfida e dollarit për të mbetur monedha kryesore për tregtinë botërore apo si “rezervë vlere” për bankat qendrore, besueshmëria e borxhit amerikan dhe kostoja e ulët e tij etj. Edhe kompanitë prestigjioze të vlerësimit të cilësisë së borxhit dhe gjendjes së financave publike treguan kartelat e verdha duke lënë të kuptohet se mund ta ulnin nivelin e vlerësimit për SHBA. Por, duket se asnjë nga këto arsye nuk arriti t’i “imponohet” kalendarit dhe llogarive politike në Uashington dhe, për pasojë, u mor një vendim që “kënaqte relativisht e në mënyrë modeste” pritjet e përgjithshme, pa arritur të shkonte deri në ato limite që do ta cilësonin si “kompromisi historik” ndërmjet republikanëve e demokratëve.
Natyrisht, që vendimi i 1 gushtit e largoi fantazmën e “statusit të bllokimit të pagesave” që mund të kishin SHBA, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në gjithë historinë e saj, por nga shumë analistë, ekspertë e politikanë u cilësua si “zgjidhje problematike me shumë pikëpyetje, sidomos në perspektivën afatmesme e afatgjatë të saj”. Dhe pasoja e parë negative erdhi. Ajo që ishte paralajmëruar që disa muaj më parë, “ulja e nivelit të vlerësimit për borxhin amerikan” nga agjencia “Standard and Poor’s”, u bë publike në orët e vona të së premtes së datës 5 gusht. Për herë të parë në historinë e financave amerikane dhe në vetë historinë e vlerësimeve të “Standard and Poor’s” që nga viti 1941, cilësia e borxhit publik amerikan zbriti një shkallë duke kaluar nga niveli AAA në nivelin AA+, dhe për më tepër duke e kualifikuar si “negative” tendencën afatgjatë të tij, si dhe duke cituar “rreziqet politike” përballë sfidave të deficitit buxhetor.
Në gjuhën dhe logjikën e agjencive të vlerësimit kjo mund të përkthehet si një paralajmërim se nëse do të ketë një ndryshim tjetër të vlerësimit, probabiliteti më i madh është që ai të jetë akoma më i ulët. “Standard and Poor’s” vlerëson se debati politik në SHBA nuk u ngrit në lartësinë që kërkonte borxhi i jashtëzakonshëm publik amerikan prej 14 500 miliard USD, pothuajse i barabartë me PBB amerikan, duke e cilësuar marrëveshjen e arritur si “të pamjaftueshme në raport me domosdoshmërinë e stabilizimit të dinamikës afatmesme të borxhit”. Si rrallë ndonjëherë në historinë dhe “ftohtësinë” e vlerësimeve të këtyre lloj agjencive, këtë radhë “Standard and Poor’s” hodhi një hap të madh të panatyrshëm duke nënvizuar se shkaqet që e çuan në këtë vendim kishin të bënin dhe me “gropën e madhe, apo diferencat e jashtëzakonshme në pozicionet e dy partive…. Vështirësitë e parashikimit të vendimeve në politikën amerikane” etj., duke u bashkëngjitur kështu vlerësimeve financiare e ekonomike dhe gjykime të natyrës politike.
I menjëhershëm duket se ka qenë reagimi i Shtëpisë së Bardhë që e akuzoi agjencinë “Standard and Poor’s” “për gabime në llogaritje në shumën prej 2000 miliardë USD”, por që gjithsesi, sipas agjencisë, nuk ndikojnë në vendimin e saj për uljen e vlerësimit në AA+. Ndërkohë, kritikat e republikanëve po adresohen drejt Presidentit Obama dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012. Për Barak Obamën është ndoshta momenti më i vështirë politik që nga fillimi i mandatit të tij dhe, mbi të gjitha, i sloganit fitues të tij “Yes, we can”, që republikanët kanë filluar ta zëvendësojnë me sloganin “Downgrade Obama”. Ish-guvernatori i Massachusetts, Mitt Romney, kandidat i mundshëm republikan për President, shprehet se “e gjitha kjo është rezultat i vendimeve të dobëta të administratës ‘Obama’”, ndërkohë që John Boehner, presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, shkon akoma më tej kur shprehet se “kjo gjendje është veçse pasoja e fundit e shpenzimeve të pakontrolluara që janë realizuar në Uashington për dekada të tëra”. Gazeta “Washington Post” shkruan se tashmë rizgjedhja e Obamës do të varet nga “të dhënat ekonomike”, ndërkohë që “New York Times”, pasi konstaton se ekonomia amerikane është në vështirësi serioze, thekson “rrënjët politike të krizës ekonomike” duke e vënë gishtin te “dobësitë e lidershipit politik në SHBA”.
Po çfarë do të thotë e gjithë kjo tronditje për ekonominë dhe tregjet financiare amerikane dhe atë botërore? Përse gjithë ky alarm në mbarë bursat e botës dhe gjithë ky shqetësim nga bankat qendrore dhe qeveritë e mjaft vendeve të planetit? Për vetë SHBA pritet një rritje e përqindjeve të interesit për borxhin me efekt të menjëhershëm buxhetor. Vetëm 1% e rritjes së këtij interesi si pasojë e shtimit të nivelit të riskut për bonot e thesarit të qeverisë amerikane, përkthehet në një shtim të kostos së borxhit prej 140 miliardë USD. Perceptimi i një niveli risku më të lartë do të bëjë që blerësit ndërkombëtarë të borxhit amerikan, dhe veçanërisht bankat qendrore të jenë “më të matura” dhe më “të kujdesshme” në të ardhmen, duke vështirësuar shitjen e këtij borxhi në të ardhmen. Kinezët, që janë dhe blerësit më të mëdhenj të borxhit amerikan, e kanë rritur shumë dozën e shqetësimeve dhe kërkesave ndaj qeverisë amerikane që të jetë më e vëmendshme në raport me situatën e borxhit dhe deficitit të saj. Vetëm nga rritja prej 1% e interesit të bonove të thesarit amerikane, Kina, që zotëron 1160 miliardë bono thesari amerikane, humbet menjëherë dhjetëra miliardë USD. Pasojat mund të bien dhe mbi vetë dollarin, i cili duhet të përgatitet të mbajë mbi supe presione të tjera zhvlerësuese duke i vënë në dyshim lidershipin monetar të deritanishëm.
E thënë në mënyrë më globale, humbja e ekselencës së vlerësimit të cilësisë së borxhit dhe financave publike amerikane pritet të ketë ndikime brutale në tregjet financiare ndërkombëtare. Bonot e thesarit të qeverisë amerikane janë një referencë bazë ndërkombëtare, një instrument që shërben si garanci në shumicën e transaksioneve kryesore ndërkombëtare, një rezervë vlere për investimet dhe investitorët kryesorë të botës në periudha të turbullta financiare e monetare, një rezervë vlere për bankat qendrore në mbarë botën, për fondet e investimeve, fondet e pensioneve etj. Shumica dërrmuese e borxhit publik amerikan “qarkullon” nëpër botë duke e bërë akoma më të ndërthurur e të ndërvarur sistemin dhe tregjet financiare globale. E parë më këtë sy, vala e efekteve negative mund të përhapet në gjithë botën duke provokuar si efekte të rangut të dytë ulje të vlerësimeve të cilësisë së borxheve sovrane e financave publike në shumë vende të tjera të botës, përfshirë këtu dhe vende tradicionalisht të shëndosha financiarisht si Franca apo Anglia. E para që reagoi negativisht nga vendimi i “Standard and Poor’s” ishte bursa e Riadit në Arabinë Saudite, më e madhja dhe më aktivja e botës arabe që vetëm disa orë mbas këtij vendimi humbi 5.6% të vlerës së saj. Vlera e aksioneve e shumë bankave ndërkombëtare dhe kompanive të mëdha të naftës ranë ndjeshëm. E njëjta frikë ekziston dhe për shumë bursa aziatike, latino-amerikane etj.
Këtë lloj frike e stimulon shumë edhe gjendja e turbullt financiare në Europë dhe në zonën euro. Përtej rastit problematik grek dhe gjithë tronditjeve që ai shkaktoi për vetë të ardhmen e euros dhe BE, përtej shqetësimeve për situatën e Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës, në plan të parë ka dalë “rreziku i borxhit publik dhe financave italiane”. Por, ndërkohë nuk duhet harruar se rreziku që paraqet borxhi italian është shumë më i madh se ai i të katër shteteve të mësipërme. Ndërkohë që për Greqinë u harxhua mund e përpjekje kolosale për “vetëm 350 miliardë euro”, borxhi italian i kalon shifrat e 2000 miliardë eurove, dhe për momentin Europa duket se nuk ka kapacitetet e nevojshme për të organizuar një tjetër “plan shpëtimi për Italinë”. Fondi Europian i Stabilitetit Financiar duket i pafuqishëm dhe pa “burimet” e duhura për të luajtur rolin e ri që pritet t’i kërkohet, ndërkohë që mund të preket dhe ai nga vlerësimet e agjencive të vlerësimit, sidomos kur është fjala për cilësinë dhe nivelin e riskut të eurobondeve. Shtimi i menjëhershëm i këtij fondi është domosdoshmëri, ndërkohë që rreth 40% e burimeve shtesë të tij duhet të vijnë nga vende europiane që janë në vështirësi seriozë financiare si Italia, Spanja, Portugalia etj., pra që në një moment të parë do t’ia kalojnë këtë barrë Gjermanisë, Francës, Holandës etj. A do ta pranojnë ato këtë? Kjo perspektivë e vështirë e shpjegon më së miri nervin e tendosur të politikës europiane dhe nervozitetin e luhatjet e bursave europiane në këto ditët e fundit.
Në një këndvështrim më global, ulja e notës së vlerësimit për cilësinë e borxhit publik dhe deficitet buxhetore ka prekur shumë vendet e zhvilluara të botës të cilat po paguajnë pasojat e krizës globale financiare dhe politikave që e panë përballimin e kësaj krize tek “përdorimi i financave publike”. Ndërkohë që vendet me ekonomi emergjente apo në zhvillim duket se nuk janë prekur njësoj nga kjo epidemi financiare. 78% e uljes së notës së vlerësimit ju është bërë vendeve të Europës, ndërkohë që nga 18 ngritje të kësaj note, vetëm një vend i rajonit të Europës, Turqia ka përfituar nga Moody’s një vlerësim më pozitiv. 56% të notave më pozitive kanë shkuar për vendet e Amerikës Latine, 39% për disa vende aziatike, të Gjirit Persik etj. Me notën AA+, SHBA hyjnë tashmë në kategorinë e investimeve “me cilësi të lartë” duke u barazuar me Kinën, Japoninë, Belgjikën, Izraelin, Tajvanin, Arabinë Saudite, Kuvajtin etj. A është e mundur që SHBA t’i rikthehen shpejt vlerësimit AAA? Vende si Danimarka, Suedia, Finlanda, Kanadaja e Australia e kanë bërë këtë në të kaluarën dhe natyrisht që SHBA do të bëjnë të pamundurën për të rifituar AAA e çmuar, megjithëse detyra është e vështirë.
Me gjithë frikën dhe panikun që duket se po shtohet në bursat ndërkombëtare, shumë vende e qeveri, në tentativë “për t’i hedhur ujë zjarrit” dhe për të frenuar lëvizjet spekulative që janë edhe më të dëmshme se vështirësitë aktuale, vazhdojnë të evidentojnë qëndrime pozitive ndaj perspektivës së ekonomisë dhe financave amerikane. Japonia, e cila është blerësja e dytë më e madhe e borxhit amerikan mbas Kinës, deklaroi menjëherë se “politika e saj e blerjes së obligacioneve amerikane nuk do të ndryshojë si pasojë e uljes së vlerësimit për cilësinë e borxhit amerikan”, se Japonia vazhdonte ta konsideronte tërheqës e me interes blerjen e këtyre obligacioneve. E njëjta situatë dhe në Australi, ku kryeministrja Julia Gillard u bëri thirrje për qetësi tregjeve financiare dhe bursave duke nënvizuar se “dy agjenci të tjera vlerësimi, “Moody’s” dhe “Fitch” vazhdojnë ta kuotojnë me AAA borxhin dhe ekonominë amerikane”. Po kështu dhe ministri francez i Ekonomisë, Francois Baroin, siguroi se “Franca ka totalisht besim në soliditetin e ekonomisë amerikane”, ndërkohë që Anglia, nëpërmjet ministrit të saj të Tregtisë, Vince Cable, u shpreh se “kjo që ndodhi ishte e pritshme, si pasojë e rrëmujës së krijuar nga Kongresi Amerikan, por tashmë duket se qeveria amerikane e ka një plan dalje nga kjo situatë”. Këtë tablo “në kërkim të optimizmit” e mbyll zëdhënësja e presidencës Filipinase që vlerëson se “ulja e vlerësimit nga Standard and Poor’s” ishte si një pickim për SHBA që të fillojë seriozisht të rregullojë ekonominë e saj. Ne kemi besim në kapacitetin e tyre për ta bërë këtë”.
© Panorama.al












