Borxhet, CEZ i pret dritat Aeroportit të Kukësit

Jun 23, 2011 | 10:05

KUKES – Debitorë ndaj arkës së CEZ në Kukës nuk janë vetëm familjarët, por dhe firma ndërtuese të klasifikuara si “VIP” apo biznese në Kukës që kanë të ardhura të larta. Nga burime të njësive të CEZ-it, që po bëjnë ndërprerjet ndaj debitorëve, mësohet se janë të shumta ndërmarrjet shtetërorë që nuk kanë shlyer detyrimet. Rekordin e mban aeroporti i Kukësit, me 1.8 milionë lekë. Ky aeroport, i pavënë ende në punë, ndez dritat natën për të ndriçuar fushën dhe për të ruajtur objektin. Burime të CEZ-it thanë se pak ditë më parë ishte ndërprerë energjia elektrike, por një stërvitje treditore me helikopterët e Farkës, bëri që sërish dritat të lëshohen. Nga biznesi privat kryeson “Bechtel ENKA”, me 2.8 milionë, pasi rezulton se firma e ndërtimit të autostradës Durrës-Morin nuk ka paguar për kampingun në fshatin Kolsh, kamping që tashmë nuk ekziston më. Debitor rezulton sipas CEZ edhe firma tjetër “Albuilding”, e cila ka ndërtuar segmentin Kolsh–Mamëz në autostradë dhe tani punon në rrugën e Shishtavecit. Ajo ka 1.4 milionë lekë të papaguara dhe kanë detyruar kompaninë që të mos i lidhë më kontratën. Edhe një tjetër nënkontraktor, që punon për dyfishimin e urave në segmentin Kukës-Morin, ka afro 600 mijë lekë borxhe. Kukësi si rajon vijon të jetë në fund të listës që shlyen detyrimet për energjinë. Niveli i arkëtimeve tek familjarët nuk shkon as tek 10%. Pretendimet për pronat e përmbytura në Fierzë dhe gjendja e rëndë ekonomike i mbajnë ende larg kuksianët nga pagesat e dritave. Njësitë e CEZ-it këto ditë po bëjnë stakimet për debitorët dhe kanë paralajmëruar masa ligjore ndëshkuese për ta.                       j.h

© Panorama.al

Te lidhura