Bordet e mediave, PD-PS drejt paktit

Feb 13, 2012 | 10:38

Komisioni i Medias

Maxhoranca dhe opozita pritet të miratojnë me konsensus ligjin për mediat audiovizive. Asistencë nga BE e OSBE.

Dalipi: Ligji fut nocionin e barazitizmit në KKRT dhe KD të RTSH.

Historia e miratimit të një ligji të ri për mediat audiovizuale në Shqipëri është më shumë se 4-vjeçare. Ka propozime të ndryshme, por vendimi ende nuk është marrë. Ai tani duket i domosdoshëm.
Mark Marku
Vonesën më shumë se katërvjeçare maxhoranca ia “faturon” opozitës, duke e bërë atë fajtore për bojkotimin apo raportet e kushtëzuara që ka pasur me Parlamentin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Prej javësh në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit ka një klimë të ndryshme pune dhe bashkëpunimi mes deputetëve me përkatësi të ndryshme politike. Për Mark Markun, nënkryetar i komisionit dhe relator për projektligjin nga radhët e maxhorancës, ka disa elementë të cilët i japin rëndësi procesit. Sipas tij, aktualisht projektligji është duke u diskutuar me një frymë konsensusi mes pozitës dhe opozitës, por një garanci është fakti se projekti është përgatitur nga specialistë dhe ekspertë vendes në konsultim të ngushtë me specialistët dhe ekspertët nga BE-ja, OSBE-ja apo KiE. Projektligji sjell disa ndryshime thelbësore që i përgjigjen trendeve të zhvillimit, thotë dr. Marku për “Dojçe Vele”. “Ndryshon mënyrën e licencimit të subjekteve, rregullon më mirë angazhimin e institucioneve mbikëqyrëse, si KKRT, apo Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik, ka një procedurë tjetër të zgjedhjes të përbërjes së tyre, rregullon më mirë marrëdhëniet e tyre me operatorët”, shpjegon ai.
Alfred Dalipi
Relatori i projektligjit që përfaqëson opozitën në komision, deputeti socialist Alfred Dalipi, për disa vite ka qenë nëndrejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Ai thotë për DW se ky projektligj do të reduktonte në maksimum ndërhyrjet e politikës në funksionimin dhe vendimmarrjen mbi tregun elektronik në Shqipëri. “Sepse ai fut nocionin e barazitizmit dhe garantizmit në institucionet monitoruese, pra tek autoritetet, te Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, KKRT, që tashmë do të quhet AMA, Autoriteti i Medias Audiovizive dhe Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar. Kampet politike në Parlament do të emërojnë, ose promovojnë, njerëz që vijnë nga shoqëria civile dhe që plotësojnë kriteret”, tha Dalipi. Ai mendon se me miratimin e këtij projektligji do të formalizohet ai treg që aktualisht po operon në realitetin shqiptar, që janë platformat dixhitale tokësore dhe satelitore. Kjo, sipas tij, fut në rrjedhën e ligjshmërisë dhe një sërë investimesh të konsiderueshme që janë bërë nga individë apo subjekte të ndryshme në këtë sektor. “Ne si deputetë të opozitës jemi duke këmbëngulur që në projektligj të parashikohet dhe efekti negativ që shkakton te konsumatorët e thjeshtë instalimi në shkallë kombëtare i transmetimeve dixhitale, pasi për një pjesë të tyre aparatet marrës ekzistuese nuk hyjnë më në punë. Shteti duhet të ndërhyjë për t’u dhënë mundësi dhe lehtësi këtyre njerëzve, që nuk janë pak në Shqipëri, që të pajisen me aparatet marrës të përshtatshëm dhe të mos ndiejnë mungesë informimi dhe argëtimi nga vështirësitë ekonomike që kanë në zëvendësimin e aparateve. Standardi europian është se kur shteti fut në përdorim teknologji të tilla të avancuara, atëherë ai duhet të marrë përsipër dhe kostot përkatëse”, thekson ai. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e informimit publik, Mark Marku, thotë për DW se në proces është dhe tërheqja e mendimeve dhe propozimeve që vijnë nga grupet e interesit, kjo sipas tij për vetë rëndësinë që ka projektligji në mirëfunksionimin e tregut mediatik. “Në mes të muajit shkurt kemi një takim të zgjeruar me të gjithë operatorët radiotelevizivë lokalë dhe kombëtarë, me menaxherët e platformave dixhitale, si një moment shumë optimal për këtë fazë të punës ku është komisioni ynë parlamentar. Janë bërë disa takime, janë ftuar nga ne e ka pasur edhe tryeza të rrumbullakëta, dhe ky është takimi i fundit përpara se ne të kalojmë me procedurë projektligjin në komision. Ne kështu konsultohemi me grupet e interesit, duke marrë nga ata opinione, vërejtje dhe sugjerime, të gjitha opsionet që ata ofrojnë për përmirësimin e ligjit”, shpjegon Marku.

Mark Marku
Janë bërë disa takime, janë ftuar nga ne e ka pasur dhe tryeza të rrumbullakëta, e ky është takimi i fundit përpara se ne të kalojmë me procedurë projektligjin në komision.

Alfred Dalipi
Ata që do të emërojnë partitë nuk janë persona politikë, nuk bëjnë pjesë në aktivitete politike, s’janë anëtarë partie, anëtarë forumesh, d.m.th., s’kanë konflikt interesi.

Ligji i vitit 1998
Diskutimi dhe miratimi i ligjit për mediat audiovizuale, përveç faktit që ka qenë një këmbëngulje sistematike e Brukselit dhe e institucioneve ndërkombëtare, ishte dhe një domosdoshmëri që e diktonte vetë dinamika e zhvillimit të brendshëm mediatik e Shqipërisë: ligji ekzistues i vitit 1998, me gjithë “arnimet” që i janë bërë herë pas here, nuk u përgjigjet trendeve të reja.

Historia e ligjit
Parlamenti shqiptar u angazhua në vitin 2008 në një plan veprimi me Bashkimin Europian se brenda një viti do të mbushte çdo boshllëk legjislativ për median elektronike. Duke qenë se 2009-a ishte një vit elektoral mjaft i ndezur, që prodhoi me pas një raport tejet konfliktual mes maxhorancës dhe opozitës, ky plan veprimi mbeti në letër.

© Panorama.al

Te lidhura