Bora, helikopteri transporton 3 të sëmurë nga Tropoja e Hasi

Feb 6, 2012 | 11:24

Në zonat me dëborë, temperaturat e ulëta po vështirësojnë nga dita në ditë jetesën e banorëve. Problematike janë jo vetëm komunat, por dhe qytetet, të cilat lidhen me qendrat e qarqeve. Rruga nacionale që lidh Shkodrën me Pukën është bllokuar dje disa orë në vendin e quajtur Luf, për shkak të trashësisë së dëborës dhe ortekëve që binin nga lartësitë. Ortekët e shfaqur dhe në zonën e Malësisë së Madhe në Shkodër kanë shkatërruar mbrëmjen e së shtunës një banesë, në komunën e Kelmendit, fatmirësisht pa të lënduar. Këtë fakt e bën të ditur Shtabi i Emergjencave Civile në qark, i cili po shikon mundësinë për të ofruar ndihmë për familjen. Një tjetër qark problematik është ai i Kukësit, ku vetëm në qytet bora për pak po arrin 1 metër trashësi. Të izoluara janë thuajse të gjitha komunat, si Shishtaveci, Kalisi, Arrni, Grykë-Çajë, Ujmishti, Zapodi, Lekbibaj, Bytyçi etj. Dje, situata më e vështirë ishte në Tropojë, ku dhe prefekti i Qarkut, Elez Maçi, ka shpërngulur mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile. Kështu, qyteti i Bajram Currit është izoluar nga të gjitha anët. Rruga nacionale Bajram Curri-Qafë Morini, që lidh Tropojën me Kosovën, është e bllokuar nga dëbora, dhe ka një masiv gurësh që ka rënë në rrugë. Vetëm në mbrëmje u mundësua lëvizja me zinxhirë. Tri raste emergjencash pati dje nga komuna e Tropojës dhe Hasi. Pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë u arrit të kryhej transportimi i tyre drejt Tiranës.                                     j.h

Rrugët problematike
Në qarkun Kukës:

Morinë-Kalimash, me zinxhirë,
Kukës-Krumë, me zinxhirë,
B.Curri-Qafë Morinë, me zinxhirë
B.Curri-Fierzë i pakalueshëm,
B.Curri-Valbonë i pakalueshëm,
Krumë-B.Curri i pakalueshëm,
Krumë-Qafë Prushi i pakalueshëm
Kukës-Topojan, me zinxhirë,
Ujmisht-Lusen-Bushtricë-Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë i pakalueshëm
Shëmri-Qafë Shllak i pakalueshëm
Topojan-Shishtavec i pakalueshëm

Në qarkun Dibër:
Peshkopi-Bulqizë-Klos, me zinxhirë
Klos-Burrel-Ulëz, me zinxhirë
Bulqizë-Shupenzë-Ostren, me zinxhirë,
Krastë-Bulqizë, me zinxhirë
Peshkopi-Sllovë-Kala e Dodës në drejtim të Kukësit,
i pakalueshëm,
Peshkopi-Muhur-Aras, me zinxhirë
Arras-Zall Dardhë-Reç, me zinxhirë,
Ostren-Stërblevë-Librazhd, i pakalueshëm,
Arras-Lurë i pakalueshëm

Në qarkun Shkodër:
Qafë Çelë-Pukë-Fushë Arrës, me zinxhirë,
Fushë Arrës-Qafë Mali-Qafë Shllak, i pakalueshëm,
Fushë Arrës-Gjegjan-Shpal i pakalueshëm
Koplik-Razëm, me zinxhirë
Bogë-Theth, Selcë-Vermosh të pakalueshme
akset në drejtim te Dukagjinit të pakalueshme
Qafë Mali-Dardhë-Fierzë i pakalueshëm
Fushë Arrës-Iballë i pakalueshëm

Në qarkun Lezhë:
Mirditë-Shpal-Fushë Arrës i kalueshëm me zinxhirë

Në qarkun Elbasan:
Librazhd-Bulqizë i bllokuar

Në qarkun Korçë:
Boboshticë-Dardhë, me zinxhirë
Korçë-Voskopojë, me zinxhirë
Korçë-Ersekë-Leskovik, me zinxhirë

Në qarkun Gjirokastër:
Përmet-Çarshovë, me zinxhirë

© Panorama.al

Te lidhura