TIRANË-Kreu i PS-së, Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për paaftësinë totale në përballimin në kohë të situatës alarmante krijuar nga bora është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me të për hartimin me urgjencë të një plani të përbashkët për ndihmën e banorëve të izoluar dhe për një tjetër krizë në derë, si e ka quajtur ai, atë energjetike.
Në një deklaratë për mediat, Rama ka theksuar se këtë radhë mijëra familje në zonat e bllokuara po provojnë në kurriz rënien e shtetit dhe pafuqinë totale të tij për ndihmë.
“Njerëzit kërkojnë ndihmë, kryetarët tanë të komunave në veri janë të angazhuar bashkë me deputetet për të bërë gjithçka por mundësitë e tyre janë shumë të kufizuara, skano as fonde e as mjete, ndërkohë që forcat e emergjencës kanë degraduar. Qeveria të mos fshihet pas fjalimeve boshe, një plan gjithpërfshirës solidariteti, organizim transparent dhe informim në kohë reale, bashkëpunim real me strukturat pa dallime partiake janë të nevojshme. Të gjithë këto mungojnë se qeveria nuk ka plan, organizim, struktura të mirëfillta për emergjencën. Ne jemi gati të kontribuojmë, të bashkërendojmë forcat, po mobilizojmë strukturat vendore edhe në zonat jashtë kërcënimi me një zinxhir solidariteti në ndihmë të të izoluarve”- tha Rama.
Rama është ndalur edhe në atë që e ka quajtur krizë energjetike, që sipas tij po troket fort në derë. “Prerjet e energjisë po ndihen kudo, borxhi i KESH është dramatik, CEZ po ashtu në gjendje të vështirë. Rreziku i kolapsit energjetik nuk duhet të konsiderohet i pamundur, por prapa derës. Në Kuvend të bëjmë përpjekje për të bashkërenduar forcat, të votojmë financim të posacëm për krizën e zonave të bllokuara dhe atë energjetike. Ndërkohë që duhet menduar që sot për të përballuar rrezikun e përmbytjeve”- tha ai.
© Panorama.al












