Bora, Braçe: Komunitetet fetare të kthejnë paratë

Feb 17, 2012 | 10:18

Tension dhe debate në Kuvend për situatën e emergjencave në Veri.

Patozi: Kuvendi s’miraton plane si Kongreset e PPSH.

Parlamenti u përfshi dje në debate të ashpra për planin e masave të marra nga qeveria në ndihmë të banorëve të zonave të Veriut dhe Juglindjes që janë të bllokuara nga dëbora. Seanca plenarë ka nisur me tensione midis kreut të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi të majtët kanë kërkuar që në Kuvend të ishte i pranishëm Kryeministri Sali Berisha. Topalli ftoi opozitën që të kërkonte mocion apo interpelancë me Kryeministrin, gjë të cilën, sipas saj, të majtët nuk e kanë shfrytëzuar. Tonet e larta bënë që seanca të ndërpritet për rreth një orë. Seanca plenare ka rinisur pas mbledhjes që kanë bërë grupet e deputetëve të PS-së dhe PD-së, të cilët vendosën të flasin në emër të grupit, vetëm deputetët Erjon Braçe dhe Astrit Patozi.
Replikat PD-PS
Nënkryetari i Grupit të PS-së kërkoi nga Kuvendi që të miratojë planin e emergjencave të hartuar nga opozita, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur situatën e përkeqësuar nga moti. “ Në kushtet kur ngjarjet e dy ditëve të fundit dëshmojnë mungesë dramatike të një plani ndërhyrjeje funksional, konkret, efikas, duke refuzuar çdo lloj përfitimi politik nga kjo situatë dhe duke këmbëngulur në mënyrë të përsëritur në ofrimin e bashkëpunimit tonë si forcë politike përkundrejt qeverisë për një ndërhyrje konkrete në terren, ne kemi menduar t’ju paraqesim ju si Kuvend, por edhe Kryeministrit të vendit, këtë plan konkret masash”, deklaroi Erjon Braçe. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit të PD-së, Astrit Patozi, i cilësoi si demagogjike propozimet e PS-së dhe si një tentativë për të fituar vota. “Kuvendi i Shqipërisë nuk miraton plane, kanë qenë kongreset e Partisë së Punës ato që e bënin këtë. Më gjeni një vend në rajon apo në Europë, ku shefi i opozitës përpiqet të përfitojë nga metrat e dëborës dhe nga uljet e temperaturave që kanë pllakosur pa mëshirë të gjithë kontinentin. Njerëzit nuk ndihmohen as në Twitter dhe as në Facebook”, pohoi Patozi. Ndërkaq, nënkryetari Braçe u bëri thirrje edhe krerëve të besimeve fetare që të kthejnë mbrapsht fondet e përfituara një ditë më parë nga vendimi i qeverisë. Këto fonde, sipas Braçes, duhet të përdoren për banorët dhe emergjencat. Demokrati Patozi ka ironizuar ngritjen e shtabit të emergjencave alternativ nga strukturat e PS-së, duke e quajtur si qëndrim absurd. “Çfarë opozite është kjo që ngre shtab të vetin, zyrë informacioni të vetën, madje edhe parashikimin e motit e ka të ndryshëm, a thua se qeveria, pushteti lokal, Ushtria, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera janë të një shteti armik”, deklaroi Patozi.

Debati në Kuvend
Gramoz Ruci:
Vendi po kalon një situatë jonormale si rezultat i fatkeqësisë. Në një situatë të tillë, kreu i ekzekutivit të vendit duhet të vinte në Parlament dhe të informonte për situatën në të cilën ndodhemi dhe të kërkonte edhe mendimin e deputetëve majtas dhe djathtas. Fatkeqësia duhet të na bashkojë.
Jozefina Topalli: Je jashtë rendit të ditës zoti Ruçi. Po ta kishit seriozisht, do ta kishit shfrytëzuar me të gjitha të drejtat që ka opozita, për të bërë pyetje, interpelancë, për të bërë mocion. Asnjërën prej këtyre nuk keni bërë.
Gramoz Ruçi: Zonjë, është fatkeqësi e madhe.
(Debate në sallë) Jozefina Topalli, deputetëve të PS:
Mos bëni ciu-ciu! Po thyen Rregulloren e Parlamentit zoti Ruçi.
Gramoz Ruçi: Bora që ka rënë nuk pyet për procedurën.
Jozefina Topalli: Je jashtë rendit. Ndërpritet seanca.
Taulant Balla: Sali Berisha ka tre muaj që fshihet dhe nuk vjen në Parlament. Ne nuk dimë kinezçe, por shqip dimë. Po ta them shqip Sali Berisha, nuk ke pse hakmerresh me këtë popull, duke treguar barcaleta me kinezë apo me azerbajxhanezë. Ne duam sot të vish në Parlament të na japësh përgjigje, qoftë për kullotat, qoftë për fondet kullosore. Por, sot jemi më të interesuar për fondet njerëzore. Na jepni helikopterët, se ndihmat do i çojmë vetë.
Jozefina Topalli: Hyni në temë, se je jashtë, fol për projektligjin. Në dorën tënde mbeti Shqipëria.
Taulant Balla: Po mi zonjë, po. Ti nga shtatë ditë të javës, t’i bësh nga 4 ditë në Liban dhe 3 ditë në Bejrut, kështu do flasësh ti.
Jozefina Topalli: Po ti nuk di ku është Bejruti mor zotëri, të duket Libani tjetër.
Genc Ruli: Sigurisht ne do votojmë projektligjet e Berishës, se është Kryeministër, por programet anti-krizë të Ramës që nuk ka as iniciativë legjislative, nuk i votojmë. Plani juaj është nga përmbajtja kodra pas bregut, ndërsa nga qëllimi ka vetëm përbaltjen.
Namik Dokle: Deputetët tanë janë gjithmonë brenda rendit të ditës dhe kur marrin fjalën, shikoj ministra dy e nga dy dhe deputetë të PD-së që qeshin. Mos qeshni me fatkeqësinë e njerëzve.
Jozefina Topalli: Namik është rasti me çu zanin. Unë të respektova dhe pse ishe jashtë procedurës. Po në qoftë se deputeti thotë që unë dua helikopter, normalisht që është për të qeshur. Në qoftë se thotë që bora u ka zhdukur fondin kullosor, normalisht që të vjen për të qesh. Mos e bëni debatin qesharak.

Imami: Janë shpërndarë 10 mijë tonë ushqime
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje në Kuvend se çdo ditë në operacionet e shpëtimi dhe ndihmave janë angazhuar rreth 360 forca ushtarake dhe në gatishmëri janë rreth 800 të tjera. Gjatë diskutimeve me deputetët e opozitës në Parlament, Imami tha se janë kryer 70 operacione shpëtimi dhe janë shpërndare gjatët këtyre ditëve për qytetarët në zonat e bllokuara nga dëbora 10 tonë ushqime. “Parimi parësor është përqendrimi te emergjencat shëndetësore. Mbajtja hapur e akseve rrugore si prioritet i dytë, dhe shpërndarja e ndihmave si prioritet i tretë. Detyrat kryesore të grupeve operacionale janë: mbështetja e autoriteteve lokale, evakuimi i qytetarëve që ndodhen në rrezik; Hapja e mbajtja hapur e rrjetit rrugor dhe shpërndarja e ndihmave”, theksoi ministri Imami.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura