Bora bllokon katër orë në Ulzë 2 kortezhe mortore

Feb 3, 2012 | 12:49

Çonin të vdekurit në Shupenzë e Dibër. Aksion për të hapur rrugën

Dy kortezhe mortore janë vonuar disa orë në Qafë-Ulzë të rrethit të Matit. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë Policisë Rru-gore të qarkut Dibër. Mësohet se funerali me dy të vdekur, njëri nga Dibra dhe tjetri nga Shupenza e Bulqizës, janë nisur në të gdhirë të ditës së djeshme nga Tirana në drejtim të veriut të vendit. Kjo është imponuar për faktin se të afërmit dhe miqtë ishin lajmëruar për ceremonitë mortore. Ndërkohë, burime pranë Shtabit të Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe zyrtarë të Policisë Rrugore thanë se ata janë bllokuar për disa orë në vendin e quajtur Qafa e Ulzës. Nëse burimet pranë Prefekturës flasin për një bllokim të rrugës afro katër orë, burimet policore e përgjysmojnë këtë kohë, duke u shprehur se makinat e kortezhit janë vonuar afro dy orë. “Sapo e kuptuam se nuk mund të vijonim rrugën drejt Dibrës kemi lajmëruar me telefon prefektin e Qarkut Dibër, Genci Sharku dhe Policinë e Burrelit”, tha për “Panorama” njëri nga shoferët e kortezhit. “Rruga ishte totalisht e bllokuar nga bora, ndërkohë dy makina të tonazhit të lartë e kishin bllokuar atë. Pas tri-katër orësh kanë ardhur makina borëpastruese dhe fadroma, të cilat fillimisht kanë mundësuar lëvizjen tonë drejt Burrelit. Madje, në disa raste, jemi rimorkiuar nga fadroma e firmës që merrej me hapjen e rrugës nacionale. Kur mbërritëm në Burrel, e kuptuam se nuk mund të vazhdonim më tej rrugën me makinat e funeralit që kishim siguruar në Tiranë. Në këto rrethana kërkuam ndihmën e drejtuesve të Ndërmarrjes së Rrugëve nacionale dhe Policisë Rrugore. Ndërmarrja e drejtuar nga Durim Balla na vuri në dispozicion një makinë fuoristradë, në të cilën vendosëm arkivolin, ndërkohë makinat që kishim marrë në Tiranë i lamë në qytetin e Burrelit”, sqaroi shoferi që mbeti i bllokuar disa orë në rrugën nacionale Milot-Burrel.Mjetet e firmave sipërmarrëse të mirëmbajtjes së rrugëve janë vënë në lëvizje për të pastruar rrugën nacionale. Nga të dhënat që ne kemi siguruar, njëra kufomë ka mbërritur në Peshkopi rreth orës 13:30 dhe tjetra në Shupenzë rreth orës 14:00″, sqaroi për “Panorama” Policia Rrugore.

Mbyllen qindra shkolla, java që vjen e ftohtë
Qindra kopshte e shkolla në vend janë mbyllur për një afat të pacaktuar, si pasojë e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës. Bëhet fjalë për sistemin parauniversitar, kryesisht në komuna dhe fshatra malorë. Ndërkohë, sipas Meteoalb, deri në mesin e javës tjetër, territori shqiptar do të mbetet në kushtet e paqëndrueshmërisë atmosferike, por gjatë gjithë kësaj periudhe, do të ketë edhe intervale kthjellimesh, gjatë paraditeve dhe më të dukshme në zonat veriore dhe qendrore të vendit. Situata termike do të përmirësohet ndjeshëm ditën e premte dhe akoma më tepër gjatë fundjavës por dita e hënë, dhe deri të enjten e javës tjetër parashikohet sërish rënie e theksuar e temperaturave të ajrit në të gjithë territorin shqiptar.

Ngecin në Muzinë 62 pasagjerë
SARANDE – Bllokohen për 4 orë në mes të natës, në Qafë-Muzinë një autobus dhe një furgon me pasagjerë. Si pasojë e motit të keq me reshje të dendura dhe me erë, kohë kjo e pazakontë në rajonin e Sarandës, aksi rrugor Syri i Kaltër- Muzinë, që prej orëve të para të së enjtes deri në orën 13.00 të kësaj dite ka qenë i bllokuar, e madje edhe lëvizja e automjeteve me zinxhirë ka qenë pothuaj e pamundur. Në aksin rrugor Muzinë – Jergucat, që prej orës 01.00 të mëngjesit të së enjtes një autobus i linjës Sarandë – Tiranë me rreth 50 pasagjerë si dhe një mikrobus i ardhur nga Delvina drejt Tiranës me 12 pasagjerë kanë qëndruar të bllokuar deri mëngjesin e së enjtes. Edhe pse këto mjetet kanë qenë ta pajisura me zinxhirë, era e fortë që frynte ka bërë që në segmente të caktuara bora të kalonte nga një metër lartësi dhe për këtë shkak lëvizja e tyre u bë e pamundur. Të gjithë pasagjerët kanë qëndruar në autobus dhe mikrobus deri rreth orës 05.00 të mëngjesit të së enjtes. Policia rrugore dhe ajo e rendit kanë bërë të mundur nxjerrjen e gjithë pasagjerëve nga zona e bllokuar dhe mandej kanë bërë transportimin e tyre me mjete të vogla të pajisura me zinxhirë.                                    sh.d

BURREL/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura