Bonusi i pranverës, ja sa para do të marrin pensionistët! Si do të shpërndahet fondi prej 6.3 miliardë lekësh, 10 mijë lekë për të moshuarit që…

Jan 10, 2025 | 10:21
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar dje bonusin e pranverës për pensionistët. Përkatësisht pensionistët që marrin pension më të ulët se 20 mijë lekë do të marrin bonus 10 mijë lekë, ndërsa ata që marrin pension mbi 20 mijë lekë do të përfitojnë bonus 5 mijë lekë. Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

PENSIONISTE

“Miratuam bunusin e pranverës për pensionistët e Shqipërisë. Ky bonus do shpërndahet 10 mijë lekë për ata që marrin pension më të ulët se 20 mijë lekë në muaj dhe 5 mijë lekë do marrin pensionistët që marrin mbi 20 mijë lekë pension në muaj”, – tha Gonxhja.

Në Bankën e Shqipërisë do të krijohet një llogari speciale, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6.3 miliardë lekësh. Kryeministri Rama lajmëroi në nëntor të vitit të kaluar një bonus të dytë, pas atij të fundvitit. Ai vuri në dukje se pensionistët nuk kanë përse të presin pranverën apo periudhën zgjedhore, siç edhe akuzohet se po e bën për këtë arsye që të marrin atë që iu takon.

“Nuk do presë as ekonomia të mbarojë zgjedhjet dhe të marrë atë që i takon. Pensionistët nuk do presin të mbarojmë zgjedhjet ne, do e marrin që në shkurt. Se si e mendojnë ata që mendjen e kanë mbrapsht kjo është festa e madhe e demokracisë. Kështu që nuk kam asnjë shqetësim. Nëse i referoheni arkivave, para disa muajsh e kam thënë prisja që Ministria e Energjisë të bënte projeksionet për uljen e çmimit”, – nënvizoi kryeministri.

Rama është shprehur se qeveria vendosi shpërndarjen e bonusit për pensionistët edhe në pranverë, përveç dimrit, për shkak se ekonomia shqiptare është rritur. Komentet Rama i bëri gjatë një deklarate për mediat bashkë me zv.kryeministren Belinda Balluku, ku foli rreth vendimit të ekzekutivit për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lek për kWh. Rama tha gjithashtu gjatë fjalës së tij se bonusi i pensionistëve për Vitin e Ri dhe në pranverë nuk do të jetë vetëm për këtë vit për qëllime elektorale, por do të jetë aty edhe në vazhdim. Për këtë, as nuk i intereson çfarë thonë të tjerët, duke e konsideruar përdorimin politik.

“Për çdo gjë që kam bërë, bëj dhe do bëj, njerëzit do thonë dhe nuk më intereson se çfarë thonë. Thanë edhe që bonusi i pranverës për pensionistët është elektoral, unë vetë si qenie jam elektoral që kur dal nga shtëpia, prandaj kështu do thonë për çdo gjë që unë bëj. Por ajo që më intereson mua është që pensionistët do të marrin një bonus tjetër, sepse ekonomia po rritet dhe rritjen e duam ta kemi gjithëpërfshirëse. Pra, të gjithë të marrin pjesën e tyre nga kjo rritje. Ajo që mua më intereson është e vërteta. Bonuset e pensioneve janë aty për të qëndruar, si rezultat i projeksioneve dhe rritjes së ekonomisë. Ulja e energjisë është aty për të qëndruar”, deklaroi kreu i qeverisë nga konferenca e djeshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura