Bonot, interesi arrin kulmin që nga fillimviti

Jul 15, 2011 | 11:28

Interesi i bonove të thesarit me afat maturimi 1-vjeçar ka shënuar një tjetër rritje për këtë vit, duke arritur nivelin më të lartë që nga fillimi.Në ankandin e fundit, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se interesi për këto bono ka arritur 7.69 për qind. Tendenca e rritjes së vazhdueshme të interesit ka filluar qysh në fillim të vitit, kur interesi ishte 6.83 për qind. Krahasuar me muajin paraardhës, rritja është e moderuar por duket se më e rëndësishme në këtë pikë është tendenca që interesi i bonove të thesarit ka prej kohësh. Gjatë prillit, majit apo qershorit, ekspertët komentuan se rritja e interesit të bonove ka ardhur si rezultat i shpenzimeve të larta të qeverisë dhe efektit të vendimit të Këshillit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë për të rritur normën e interesit të lekut me 0.25 për qind, duke e çuar atë në 5.25 për qind nga 5 për qind që ishte. Por duket se ende ankandet e bonove të thesarit nuk kanë kaluar këto dy efekte duke ruajtur një rritje të vazhdueshme të interesit, pavarësisht se kjo rritje ka qenë e moderuar. Nëse më datë 12 korrik, kur edhe qeveria ka marrë pjesë në ankandin e fundit të bonove të thesarit, kërkesa ishte për 15.7 milionë lekë, janë marrë vetëm 14.3 milionë lekë. Kjo është edhe një ndër shumat më të mëdha që qeveria ka marrë me bono thesari me afat maturimi 1-vjeçar që nga fillimi i vitit, me përjashtim të muajit maj kur ishin ende ethet elektorale dhe që qeveria ka marrë 14.9 milionë lekë. Gjatë gjithë këtyre muajve, qeveria ka marrë borxh nga tregu vendas për të financuar deficitin buxhetor, ndërkohë që në ndryshimet që bëri në buxhet së fundmi u ndryshua edhe struktura e huamarrjes për pjesën e mbetur të vitit. Me sa duket, tashmë financimi i deficitit do të bëhet nga huamarrja e jashtme. Gjatë muajve të parë të këtij viti huamarrja ka qenë e përqendruar në tregun vendas edhe për faktin që individët dhe bizneset kanë treguar ngurrim në kërkesën e tyre për financim të investimeve nga bankat e nivelit të dytë. Në këtë pikë, qeveria ka parë të arsyeshme që të marrë borxh të brendshëm. Me rritjen e interesit të bonove të thesarit, efekti është i lidhur direkt edhe me interesin e depozitave dhe kredive që sektori bankar në vend aplikon. Në qershor, interesi i bonove 12-mujore në një ankand ishte 7.56 për qind, ndërsa te tjetri, 7.65 për qind, kurse për dy të majit interesi ishte 7.35 për qind dhe 7.40 për qind.

7.69 per qind
arriti interesi i bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor gjatë ankandit të fundit të zhvilluar më datë 12 korrik, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave

5.25 per qind
është norma e interesit për lekun, pas vendimit që mori BSH disa muaj më parë për rritjen e saj me 0.25 për qind. Kjo rritje mendohet se ka dhënë efekt edhe te bonot

21.7 miliarde leke
është niveli i huamarrjes së brendshme të qeverisë për 5-mujorin e parë të këtij viti, sipas treguesve fiskalë. Ky nivel paraqet 77 për qind të planit vjetor të parashikuar në buxhet

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura