Bombola që nxehte ziftin në mes të ditës mbi tarracën e hotelit shkrumboi teatrin “Skampa”. Policia e Elbasanit zbardhi ngjarjen e plotë, duke vënë në pranga dhe autorët, babë e bir. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ata po punonin për izolimin me katrama të tarracës së hotelit “Guri”, i cili ndodhet ngjitur me teatrin “Skampa”. Gjatë punës, Ali Meçe, 55 vjeç dhe i biri 36-vjeçar Gentian Meçe, kanë ndezur një bombol gazi, e cila shërben për ngrohjen e ziftit. Ciflat e gazit në temperaturën e lartë mbi 35 gradë celsius mbi tarracë kanë provokuar zjarrin, fillimisht mbi hotel e më pas në tarracën e teatrit “Skampa”. Grupi hetimor, i cili kreu veprimet procedurale, bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin në flagrancë të babë e bir nga qyteti i Elbasanit, që të dy specialistë në profesionin e tyre. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se si pasojë e rënies së zjarrit është djegur plotësisht salla e teatrit “Skampa”, si dhe pjesërisht hotel “Guri”, ku dëmi arrin në një vlerë të konsiderueshme. Aktualisht policia etiketon si përgjegjës së djegies së teatrit këta dy shtetas, edhe pse hetimet ende nuk kanë përfunduar. Ekspertë të policisë, me të marrë informacionin për djegien e teatrit “Skampa” në qendër të qytetit, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet kur flakët ende nuk ishin shuar. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, mësohet të kenë marrë në pyetje edhe shumë qytetarë dhe persona që ndodheshin aty në momentin kur zjarri pushtoi teatrin. Në cilësinë e provës u bllokua një bombol gazi, e cila shërbente për ngjitjen e katramasë. Ndaj babë e bir rëndojnë akuzat e “shkatërrimit të pronës me zjarr, e kryer në bashkëpunim”, si dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Një ditë pas ngjarjes, mëngjesi i djeshëm në teatër ishte një heshtje e plotë. Teatri ndodhej në qiell të hapur pasi zjarri ka shkatërruar të gjithë tavanin e punuar me llaç dhe dru pishe, ndërsa e shkrumbuar ishte skena, lozha dhe gjithçka që ndodhej e punuar me dru. Fatmirësisht ka mbetur pa u djegur pjesa e punuar me beton e teatrit ku ndodhej arkiva, gardëroba si dhe disa nga zyrat, e për çudi, pa djegur është edhe salla e baletit dhe teatri i kukullave. Qytetarë të ndryshëm kanë preferuar që të mos kalojnë atë pjesë bulevardi ku ngrihet godina e teatrit, e cila nga jashtë vazhdon të jetë e bukur, ndërsa brenda saj fatkeqësisht gjithçka është e shkrumbuar. Shpresa e vetme është që të bëhet rikuperimi në kohë i ngritjes së ndërtesës së teatrit. Ajo u ndërtua në vitet ’30 me variantin e “La Scala” në Itali, me akustikën më të mirë në Shqipëri. Në hollin e teatrit “Skampa” ishin mbledhur aktorë, qytetarë, të cilët nuk mund të afroheshin për të parë katastrofën që ndodhej brenda godinës 73- vjeçare. Mes tyre syri të zë Artistin e Popullit Demir Hyskja. “Nuk gjej fjalë që të shprehem. Është katastrofë e vërtetë. Më vjen keq për këtë godinë ku kemi investuar kaq moralisht dhe materialisht, por ajo që nuk ndreqet është ana morale”. Ndërsa instrumentisti, këngëtari Rustem Serica, thotë se nuk mund ta përshkuajë këtë ngjarje. “Sikur edhe shtëpia ime të ishte djegur, nuk do ta kisha kaq problem e nuk do të më vinte keq. Këtu jam rritur që në moshën 13-vjeçare. Kam filluar të këndoj si amator, u edukova me muzikën, dhashë kontributin tim si profesionist si muzikant si këngëtar, si dirigjent i orkestrës së Estradës së Elbasanit. Prej 35 vjetësh kam dhënë kontributin tim si artist dhe kjo që ndodhi është një humbje e madhe jo vetëm për Elbasanin, por për mbarë Shqipërinë”.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU











