
Qeveria siriane e Bashar al Asad nuk e ka frenuar dhunën kundër protestuesve të vendosur kryesisht ne qytetin Homs, dhe vazhdon bombardimet në këtë pjesë të vendit, ku dje humbën jetën 80 vendës dhe 2 gazetarë të huaj. Qeveria franceze konfirmoi lajmin. Në Paris, zëdhënësja e qeverisë franceze, Valerie Pecresse, tha se viktimat janë fotoreporteri Remi Ochlik dhe gazetarja veterane amerikane e luftës, Marie Colvin, që po punonte për britaniken “Sunday Times”. Dhjetëra vendës dhe dy gazetarë të tjerë janë plagosur. Ministri i Jashtëm francez, Alain Jupe, tha se sulmet tregojnë “represionin e patolerueshëm në rritje” nga regjimi sirian. Qeveria siriane i ka dyfishuar sulmet në Homs gjatë ditëve të fundit, me qëllimin për të rimarrë nën kontroll disa lagje, që tashmë janë në duart e rebelëve opozitarë. Administrata Obama i ka hapur pak derën asistencës ndërkombëtare ushtarake për rebelët e Sirisë, me zyrtarët që thonë se mund të eksplorohen taktika të tjera nëse Presidenti Bashar al Asad vazhdon të sfidojë presionin për të ndaluar vrasjet brutale të disidentëve, mijëra në 11 muajt e fundit.











