
Nxitja e turizmit në luginën e bjeshkëve shqiptare.
Në 2011 erdhën 30 mijë turistë gjermanë e çekë, banorët përfituan 100 mijë euro.
Catherine Bohne, një amerikane nga Nju Jorku, braktisi vendlindjen e saj për të gjetur parajsën natyrore dhe njerëzore në luginën e Valbonës. Prej rreth 2 vjetësh, Bohne është banore rezidente e Valbonës, ku përveç njeriut të zemrës, Alfredit, gjeti dhe lirinë për të jetuar sa më afër natyrës së ashpër të bjeshkëve. Katerina, siç i thërrasin vendësit, është bërë legjenda e zonës, dhe njihet në Bajram Curri e deri në Kukës. Që në moshën 11-vjeçare, gjatë një udhëtimi me traget drejt Korfuzit me familjen e saj, Catherine i bëri përshtypje natyra e virgjër e maleve përtej detit, Shqipërisë. Me kuriozitetin fëminor, ajo do të pyeste të atin se ç’ishte ai vend. Nga goja e të atit mori një përgjigje të prerë dhe të thatë: Quhet Shqipëri, por atje s’mund të shkosh! Një gjë që ndalohet, më shumë kërkohet. Përkufizimi i të atit për Shqipërinë do të ndizte tek ajo shumë vite më vonë dëshirën për ta prekur, eksploruar dhe për ta dashuruar. Pasi u informua përmes internetit, vendosi të udhëtojë në Veri dhe të vizitojë Valbonën, udhëtim që e konsideroi më shumë si aventurë por dhe eksplorim natyre, njerëzish dhe karakteresh. Catherine e përshkon e vetme rrugën nga Durrësi për në Valbonë, por siç tregon edhe vetë sot, ajo që nga ai moment nuk do të ishte më vetëm. Natyra, bjeshkët, lumi i Valbonës, Liqeni i Zanave, por mbi të gjitha Alfredi, do ta magjepsnin për të mos u ndarë kurrë edhe sot nga ky vend. Alfred Selimaj, një 30-vjeçar nga Valbona, emigrant prej disa vitesh në Angli, do të bëhej ndër të tjera dhe motivi pse Catherine do të shiste librarinë që administronte prej vitesh në Nju Jork për t’u vendosur përfundimisht në Valbonë. Aspak romantike, Katerina nis punën bashkë me Alfredin për ta bërë të njohur këtë zonë dhe për të rritur interesin e turistëve të huaj. Përmes faqes së internetit JourneytoValbona.com, Katerina jep informacionin e nevojshëm për çdo të apasionuar të natyrës dhe malit. Ndërsa Alfredi, kryetar i Shoqatës së Akomidimit në Valbonë, përmes projekteve të ndryshme të ofruara për turizmin ka bërë të mundur informimin por dhe trajnimin e pronarëve të bujtinave, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe akomodimit të turistëve. Përmes një projekti është bërë e mundur vendosja e 24 kamerave në të gjithë zonën, me të cilat janë fotografuar kafshët e rralla që ndodhen në këtë luginë. Ndërsa një hartë e detajuar tregon shtigjet me vendet nga mund të kapësh lartësitë e bjeshkëve dhe shpellat e shumta.
Turizmi
Lugina e Valbonës ka njohur një zhvillim të papritur turistik në tri vitet e fundit. Që pas mbarimit të autostradës Durrës-Kukës, Valbona është bërë një destinacion lehtësisht i arritshëm. Vetën 23 km nga Bajram Curri, me një rrugë në rikonstruksion, por lehtësisht e kalueshme, kryesisht në verë, Valbona akomodoi verën e shkuar rreth 30 mijë turistë, kryesisht gjermanë dhe çekë, por dhe italianë e francezë. Përllogaritet që të ardhurat e banorëve të kësaj zone të jenë shtuar me 100 mijë euro nga ky fluks turistik. Ambiente akomodimi janë kryesisht ambientet private, por në dy vitet e fundit janë ndërtuar dhe 7 bujtina me 70 shtretër. Turizmi në Valbonë ka mundur të zgjojë dhe interesin e donatorëve. Një projekt pilot i financuar nga Komisioni Europian dhe i menaxhuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në shumën 1.3 milionë euro, ka mundur të zgjojë interesin turistik në qarkun e Kukësit. Rikonstruksioni i muzeut në Bajram Curri, ndërtimi i muzeut të ri në Kukës, ndërtimi i tre kampingjeve në Shishtavec, Bjeshkët e Krumës dhe Valbonë kanë ndryshuar tërësisht situatën turistike në këtë qark. Në luginën e Valbonës është realizuar trajnimi i pronarëve të bujtinave, vendosja e rreth 8 mijë treguesve të sinjalistikës turistike dhe hapja e 150 km shtigjesh malore. Por më e rëndësishme është ngritja e Qendrës së Turizmit dhe Kulturës në Valbonë, i vendosur në një fushë të gjerë në këtë luginë. Qendra e ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i kompletuar nga UNDP përbëhet nga dy shtëpi dykatëshe alpine prej druri, ku turistët do të kenë sallën e teatrit, bibliotekën, një ambient për panaire të produkteve vendëse dhe suvenirëve të zonës, por mbi të gjitha informacionin për guidat malore, të cilat përshkojnë distanca deri në 27 km ecje më këmbë për të apasionuarit e alpeve. Gjithashtu do të ketë një ambient të bollshëm për kamping. Përmes një harte të detajuar që tashmë ndodhet në duart e çdo të interesuari, grupe alpinistësh mund t’u drejtohen majave të Jezercës 2692 m, majës së Hekurave 2559 m apo Shpellës së Dragobisë, Liqenit të Xhemës, Mullirit të Vjetër etj.
Të huajt

Atraksioni në këtë zonë për të huajt është sa i veçantë për ta, aq dhe i çuditshëm për vendësit. Verën e shkuar, një turist gjerman i cili shëtiste nëpër fshat, e tërhoqi puna që bënte një i ri, që nxirrte patatet nga toka. Turisti i kërkoi të riut ta ndihmonte në këtë punë, kërkesë që dhe pse e çuditshme, u pranua nga banori i fshatit. Në fund të punës, turisti gjerman e falënderoi të riun për kënaqësinë që kishte marrë nga puna me lopatë, ndërsa kishte tentuar dhe të paguante djaloshin me 20 euro për mundësinë që i kishte ofruar, pagesë që u refuzua. Madje turisti u ftua në shtëpinë e djaloshit për të treguar dhe mikpritjen e veçantë të këtyre njerëzve. Episode nga këta banorë tregojnë me dhjetëa, ndërsa presin që verën e ardhshme të kenë më shumë turistë. Ajo që bie në sy në këtë luginë, është tendenca e të rinjve për t’u kthyer nga emigracioni e për t’iu përkushtuar shtëpive të tyre dhe turizmit malor. Kryetari i komunës Margegaj, Rexh Byberi, shprehet se shumë të rinj, që jetonin dhe punonin në Angli, Itali dhe sidomos Greqi, janë kthyer dhe po rregullojnë bujtinat e tyre. Rexha shprehet i kënaqur me projektin e financuar nga KE përmes UNDP-së për ngritjen e qendrës së Kulturës dhe Turizmit të Valbonës, për vendosjen e koshave të mbeturinave në 5 fshatra të kësaj komune, tabelave orientuese në shtigjet malore etj. Ai thotë se projekte të tjera prioritare janë mbështetja e familjeve në Valbonë për të zhvilluar turizmin familjar, ndërtimi i bar-restoranteve, nxitja e punimeve artistike artizanale lokale, rehabilitimi i shtigjeve të vjetra këmbësore, garantimi i energjisë elektrike.
1.3 milione euro është shuma e projektit të financuar nga Komisioni Europian, e zbatuar nga PNUD për zhvillimin e turizmit në qarkun e Kukësit. Në luginën e Valbonës është ngritur qendra për informimin e turizmit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











