Siena ishte skuadra që Bogdani dëshironte, dhe gjërat shkuan sipas planit. Fakti që u fut në mes tij dhe klubit bardhezi një emër i madh si Filipo Inzagi, nuk e shqetësoi sulmuesin shqiptar. Ai kishte disa zgjedhje në dispozicion, ndonëse nuk donte kurrsesi që të humbte shansin për të firmosur me një ekip si Siena për një vit e gjysmë. “Jam i lumtur, sikur të kisha ardhur sot në Itali. Duhet ta pranojmë, në moshën time nuk të ofrojnë kontrata një vit e gjysmë”, është shprehur futbollisti për “Panorama Sport”. Te Siena ndihem si në shtëpinë time. E njoh ambientin, skuadrën dhe tifozët. Jam i lumtur, sepse kam ardhur në një ekip me shumë nivel dhe nënshkrova për një vit e gjysmë. Nuk kam ndër mend ta mbyll karrierën këtu. Qëllimi im është që të luaj të paktën edhe për një vit e gjysmë në nivele të larta. Më pas mund edhe të largohem nga Italia. Inzagi? Nuk u shqetësova që po kërkonin edhe atë. Isha i qetë, sepse kisha mundësi zgjedhjeje. Ose do të rrija deri në fund te Çezena, ose do kisha zgjedhur një skuadër tjetër. Ofertat nuk më mungonin, ndaj isha i qetë. Për më tepër isha i bindur se mund t’i bëja më shumë punë Sienës se Inzagi, me gjithë respektin që kam për këtë lojtar të madh. Ai, ndryshe nga unë, nuk është mësuar të vuajë në fushë, sepse luan prej më shumë se një dekade në skuadra të mëdha që ia servirin topat para portës pambarimisht. Kurse sulmuesit si unë, që luajnë në skuadra të vogla, sakrifikojnë gjithë ndeshjen edhe duke mbrojtur, apo duke u kthyer në mesfushë për të marrë topin. Janë më produktivë pra, në ekipe si Çezena”, ka thënë Erjon Bogdani.











