Bogdani: Ta mbyllim me 14 pikë Euro 2012

Aug 9, 2011 | 12:14
Erjon Bogdani

Erjon Bogdani u lëshon sfidën malazezëve dhe shpreson që Shqipëria të bëjë një kthesë të rëndësishme pas dy humbjeve të fundit me Bosnjën dhe Argjentinën.Bomberi thotë se miqësorja më 10 gusht është veçse një test në kuadër të përgatitjeve kundër Francës, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012-s. Në konferencën e djeshme për shtyp, qendërsulmuesi i Kombëtares ka folur edhe për të ardhmen e tij dhe nuk e përjashton mundësinë që të largohet nga Çezena.
Në ndeshjet e fundit zyrtare kemi humbur me Bosnjën, vazhdojmë të mbetemi entuziastë?
Miqësorja me Malin e Zi është një test. Trajneri ka thirrur atë grup lojtarësh që mendon se do ta përballojnë dhe ndeshjen zyrtare me Francën dhe me Luksemburgun. Kjo ndeshje miqësore do ta na shërbejë shumë për të përgatitur atë kundër Francës pas dy javësh. Megjithatë, ne në çdo ndeshje kemi synuar të luajmë sa më mirë. Edhe kundër Malit të Zi synojmë të marrim rezultat pozitiv. Ju siguroj se ne do të hymë në fushë për të fituar.
Kanë mbetur edhe katër të tjera nga kualifikueset e Euro 2012-s. A ka ndonjë objektiv të ri Kombëtarja jonë?
Objektivi i Kombëtares ka qenë që në çdo ndeshje të jepte maksimumin. Tani na kanë ngelur edhe katër ndeshje. Dëshirojmë ta mbyllim grupin me një rekord pikësh. Do të luftojmë të marrim sa më shumë pikë. Pavarësisht se luajmë me Francën dhe me Luksemburgun, ne dëshirojmë t’u marrim pikë të plota të dyjave. Si ekip Kombëtar, synojmë të paktën të marrim 14 pikë në grup, dhe të bëjmë një ndeshje dinjitoze me Rumaninë në Shqipëri.
Cili është mendimi juaj për grupin tonë në “Brazil 2014”?
Unë besoj se është një grup ku të gjitha ekipet kanë shanse të barabarta. Pavarësisht se kemi humbur me Slloveninë 2-1, dua të them se Shqipëria zhvilloi një ndeshje të mirë dhe se humbi me një gol në minutat shtesë. Mund të kishte dalë shumë mirë barazim, apo të kishim fituar edhe ne, pasi patëm më shumë raste. Ndaj të gjitha ekipeve që na kanë rënë në shortin e Kampionatit Botëror, Shqipëria mund të pretendojë ndaj çdo ekipi për fitore, të paktën për të marrë tri pikët në Tiranë. Kjo pasi në “Qemal Stafa” kemi luajtur me skuadra shumë më të forta dhe kemi bërë ndeshje të mira duke marrë dhe pikë. Për mendimin tim, duhet të mobilizohemi, kur luajmë jashtë Shqipërisë, pasi kur luajmë në Tiranë jemi shumë të fortë, ndërsa jashtë sikur kemi druajtje, nisur nga unë i pari. Nëse do ta korrigjojmë këtë, atëherë ne do të jemi me të vërtetë pretendentë. Shqipëria kur luan me ekipe të nivelit tonë, apo pak më të forta në letër, kemi vështirësi. Duhet të luajmë si në ndeshjen kundër Bjellorusisë, që për mendimin tim ka qenë ndër më të mirat në grup. Nëse luajmë në atë mënyrë, unë them se ndaj çdo ekipi ne mund të marrim tri pikë.
Cila është gjendja juaj për momentin? A keni vendosur për të ardhmen tuaj, pasi tani flitet edhe për një transferim te Novara?
Për momentin nuk jam në formën time më të mirë, pasi jemi akoma në fazën përgatitore dhe kampionati italian nis më 28 gusht. Kam bërë shumë stërvitje, ndërkohë që dhe fazën përgatitore ende nuk e kemi mbaruar. Kemi dhe një javë tjetër. Gjithsesi, me ekipin tim aktual, Çezenën, kam luajtur në ndeshjet miqësore. Forma ime është në rritje, gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk jam në formë. Për sa i përket të ardhmes sime, unë kam një kontratë shumë të mirë me ekipin e Çezenës. Kam dhe një vit kontratë. Kam folur me trajnerin dhe presidentin, pasi me të dy kam raporte shumë të mira dhe direkte. Trajneri më njeh mirë, pavarësisht se ai mund ta ndryshojë taktikën dhe të luajë me tre sulmues. Në një rast të tillë, unë jam i ndërgjegjshëm se nuk mund të jem një pikë referimi. Megjithatë, do ta gjejë mundësinë që unë t’i shërbej ekipit, pasi shpesh jam pikë referimi, kur skuadra ka vështirësi.

4 seanca
stërvitore ka programuar trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për ndeshjen miqësore ndaj Malit të Zi: dy ditën e djeshme (paradite dhe pasdite) dhe dy ditën e sotme.

Mali i Zi kerkon hakmarrje

Mali i Zi kërkon të hakmerret kundër Shqipërisë për humbjen që i ka shkaktuar skuadra kuqezezë në Podgoricë në maj të vitit të kaluar. “Do të japim maksimumin për t’u hakmarrë ndaj Shqipërisë. Të gjithë e kemi në kokë humbjen e vitit të kaluar dhe nuk e kemi harruar aspak. Mbaj mend se pas asaj ndeshjeje, tifozët dhe media na kritikuan më shumë se kurrë dhe mendoj se kishin të drejtë sepse ne nuk bëmë një paraqitje të mirë”, ka thënë mesfushori Mladen Kashçelan për mediat malazeze. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe portieri Sërgjan Blazhiç. Ky i fundit ka thënë se Shqipëria ka sulmues dhe mbrojtje solide, por ka probleme të mëdha në mesfushë.

 

JETMIR HALILI

© Panorama.al

Te lidhura