Bogdani, një rikthim i frikshëm te Siena

Feb 27, 2012 | 13:03

Erjon Bogdani dje pas golit

Sulmuesi shqiptar luajti si titullar dhe shënoi në fitoren ndaj Palermos.

“Golin, djalit tim që më ndoqi në shkallët e stadiumit”

Erjon Bogdani shënon golin e tij të parë në debutim me skuadrën e tij të re, Siena. Sulmuesi shënoi golin e dytë për vendësit në minutën e 34-t në përballjen ndaj Palermos. Me Sienën Bogdani ka luajtur edhe në sezonet 2005-2007, ku pat shënuar 14 gola, ndërsa u rikthye në mënyrën më të mirë duke shënuar që në debutim. 34-vjeçari realizoi golin e dytë në fitoren 4-1 ndaj Palermos, skuadër kjo e cila luajti që nga minuta e 2-të me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Federiko Balzaretit. Trajneri Xhuzepe Sanino e aktivizoi Bogdanin nga minuta e parë dhe ky i fundit ia shpërbleu me një gol perfekt për nga realizimi pas një asisti të Destros: një e djathtë e fuqishme në formë volej dhe tokazi, në qendër të portës. Në minutën 41-të të pjesës së dytë, Bogdani u dëmtua, madje qëndroi për pak kohë i shtrirë në fushë, por për faktin se Siena i kishte bërë të tre zëvendësimet, ai nuk u zëvendësua nga trajneri. Gjithsesi, referuar mediave italiane, dëmtimi nuk është i gradës për t’u shqetësuar. I kontaktuar nëpërmjet telefonit nga “Panorama Sport”, Bogdani thotë se ia ka dedikuar këtë gol djalit të tij. “Golin ia dedikoj djalit tim, pasi sot (dje) ka qenë për herë të parë në stadium, natyrisht së bashku me bashkëshorten time”, ka theksuar Bogdani. Ndërsa kujtojmë se Bogdani nuk shënonte në kampionat që prej 22 majit 2011 (Xhenoa-Çezena 3-2). Ndërsa në kupë, që prej 30 nëntorit 2011 (Çesena-Gubio 3-0). Me këtë fitore, e 6-ta në 25 ndeshje për Sienën, skuadra e Bogdanit u ngjit në kuotën e 26 pikëve, duke dalë për momentin nga zona e rënies në Serinë B, pasi pa poshtë vetes Leçen, Novarën dhe Çezenën.

Miqësorja U-17
Kombëtarja U-17 e Shqipërisë ka fituar 2-0 miqësoren e djeshme kundër Bullgarisë, të zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë e vegjël kanë shkëlqyer në pjesën e parë, teksa shënuan që në minutën e 11-të me anë të Bejkos. Ky i fundit goditi me kokë, pas krosimit në zonë të Çekiçit. Më pas, në minutën e 31-të është Murati që dyfishon shifrat. Ka qenë një aksion spektakolar i kuqezinjve, me protagonist Çekiçin dhe Ymerajn, që ishte lojtari më i mirë në fushë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura