Bogdani: Marrim 1 pikë dhe më pas ëndërrojmë

Jun 5, 2011 | 10:52

Erjon Bogdani mundohet të tregohet realist për shkallën e vështirësisë së ndeshjes me Bosnjën.Në konferencën e djeshme për shtyp, sulmuesi kryesor i Kombëtares renditi disa arsye pse Shqipëria do e ketë shumë të vështirë në stadiumin e Zenicës. Sipas 33-vjeçarit, humbja e Bosnjës në Rumani nuk e favorizon përfaqësuesen kuqezi. Sulmuesi parashikon “luftë” në fushë, ndërkohë që është i kënaqur nëse arrihet të merret një pikë. Për Bogdanin, fitorja ndaj Bosnjës do të ishte vërtet një mrekulli. “Marrim një pikë dhe më pas ëndërrojmë për të kapur vendin e dytë,”- u shpreh ndër të tjera lojtari 33-vjeçar i kuqezinjve.
Erjon, Shqipëria vjen pas një fitoreje historike ndaj Bjellorusisë. A jemi në gjendje të bëjmë një paraqitje të ngjashme edhe në Bosnjë?
Jemi përgatitur seriozisht për këtë ndeshje, kushtëzuar edhe nga impenjimi në tërësi i të gjithë ekipit. Për Kombëtaren është pak të thuash se takimi me Bosnjën duket i vështirë. E dimë fort mirë se po të marrim rezultat pozitiv, hapen rrugë e mundësi të reja për të pretenduar më tej dhe se i vëmë në vështirësi konkurrentët tanë më të afërt, Bjellorusinë, Bosnjën dhe Rumaninë, në synimet e tyre. Do të ishim me fat të përsërisnim në Zenica një “Bjellorusi” të dytë.
Para kësaj sfide të rëndësishme, përveç jush, sulmuesit e tjerë kanë probleme…
Shpresoj që Salihi dhe Kapllani të rikuperohen sa më parë, sepse janë të domosdoshëm për ekipin. Nëse mjekët do ta konfirmojnë Salihin si të pamundur, i kërkoj që tani futbollistit që do ta zëvendësoj, të japë maksimumin e forcave dhe energjive të tij. Forca jonë qëndron tek harmonizimi dhe veprimet në grup. Individë aktivë dhe të fuqishëm i japin qëndrueshmëri dhe kompaktivitet grupit. E theksoj se ndeshja me Bosnjën është shumë e rëndësishme për ne. Rezultati në këtë sfidë deri diku përcakton edhe pozicionimin tonë të mëtejshëm.
Në humbjen ndaj Rumanisë, u vunë re gabime të shumta në mbrojtjen boshnjake. Mendoni se mund të përfitoni edhe ju?
Është e vërtetë që boshnjakët nuk luajtën mirë, por humbja e tyre nuk e lehtëson punën tonë, përkundrazi e vështirëson më tepër. Për të larë këtë humbje, duke ditur se Bosnja luan para publikut të saj shumë të zjarrtë, vështirësia e depërtimit tonë bëhet më e madhe. Kjo do të jetë një ndeshje krejt ndryshe, nga ajo që luajti Bosnja ndaj Rumanisë. Janë tri versione që i bëjnë boshnjakët të kërkojnë fitoren ndaj nesh: e para, humbja e thellë 3-0, e dyta, se luajnë para publikut të tyre dhe, e treta, nevoja për të përligjur vlerat e kualiteteve që ata kanë në skuadër.
Është momenti që Shqipëria të bëjë hapin e madh?
Ne do të kërkojmë ta hedhim këtë hap, ndonëse na takon të evidentojmë vlerat dhe mundësitë e kundërshtarit që e kthejnë atë në favorit. Nuk i heq presjen ecurisë nga më të mirat të skuadrës sonë, deri tani dhe perspektivës që pritet prej saj se mund të ndodhë. Ndodhemi pranë vendit të dytë dhe i kemi mundësitë që në ndeshjen e fundit me Rumaninë të jemi në valle për të bërë kapërcimin e madh drejt kualifikimit. Fitorja me rumunët do të na rendisë përfundimisht në vendin e dytë. Plotësimi i këtij synimi e kërkon angazhimin tonë të tejskajshëm në ndeshjen me Bosnjën.
E konsideroni më të vështirë apo më të lehtë këtë transfertë, në krahasim me sfidën e parë eliminatore ndaj Rumanisë?
Çdo ndeshje analizohet në kohën kur zhvillohet. Vështirësia me Bosnjën qëndron në faktin se renditja po kristalizohet gjithnjë e më shumë. Bosnja, duke humbur me Rumaninë, të vetmen mundësi për të shpresuar e mendon në fitoren me Shqipërinë. Edhe për ne, mundësia për të ecur, kërkon të shpresojmë në rezultatin pozitiv. Me Rumaninë kemi barazuar herët, ndërsa tani gjërat janë shtrënguar ndjeshëm dhe nuk jemi në fillim të eliminatoreve.
Barazimi me boshnjakët do të ishte e vetmja alternativë që shpresohet?
Për mua, fitorja është ideale, por tani që po flasim dhe shpresojmë për rezultat pozitiv, është e qartë që me këtë nënkuptojmë edhe barazimin. Na takon të jemi shumë të përqendruar dhe të vëmendshëm për ta marrë këtë lloj rezultati.
Si ndiheni më mirë, si sulmues i vetëm me dy ndihmës nga pas apo me Salihin në krah?
Dua të sqaroj se te Çezena, ku luaj tani, jam i vetëm si sulmues,  ndërsa në ekipin kombëtar kam bashkëpunuar me një sulmues të dytë, i cili ka qenë Salihi. Të them të drejtën, për mua kjo nuk përbën ndonjë problem. E rëndësishme është që të luaj sa më mirë, siç kam bërë në ndeshjet e fundit me ekipin kombëtar. Duhet të japim maksimumin, pasi është ndeshje shumë delikate për ne. Personalisht do të jap ndihmesë aktive për ta çuar lojën drejt një rezultati që të na interesojë. Dëshira ime është të luaj me Salihin, por kjo është në dorë të trajnerit. E përsëris që për mua nuk përbën asnjë lloj problemi, sido që të luajmë.

GRUPI D

TE LUAJTURA
Rumani-Shqipëri     1-1
Shqipëri-Luksemburg    1-0
Shqipëri-Bosnjë    1-1
Bjellorusi-Shqipëri    2-0
Shqipëri-Bjellorusi    1-0

07/06/2011
Bosnjë-Shqipëri

02/09/2011
Shqipëri-Francë

06/09/2011
Luksemburg-Shqipëri

07/10/2011
Francë-Shqipëri

Renditja

Ekipi    N    F    B    H    P
Franca    6    4    1    1    13
Bjellorusia    6    2    3    1    9
Rumania    6    2    2    2    8
Shqipëria    5    2    2    1    8
Bosnja    5    2    1    2    7
Luksembu.    6    0    1    5    1

© Panorama.al

Te lidhura