Mungon vetëm zyrtarizmi, por tashmë dihet që Lorik Cana do të jetë një lojtar i Lacios për sezonin e ardhshëm. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe prezenca e drejtorit Sportiv të skuadrës italiane në Zenicë, Igli Tare. Sipas informacioneve, mbrëmjen e së martës, pas takimit Bosnjë-Shqipëri, ky i fundit dhe babai i futbollistit, Agim Cana, kanë mbyllur detajet më të fundit për transferimin e Lorikut te Lacio. Por, kujtojmë se Gallatasaraji po bën një luftë mediatike për t’i rritur çmimin e kartonit të futbollistit të vet. Këtë gjë e pati pohuar për “Panorama” babai i lojtarit, i cili u duk i shqetësuar para mbylljes së tratativave me drejtuesit e Lacios në një hotel në Sarajevë, meqenëse turqit duan medoemos që të marrin sa më shumë të jetë e mundur nga shitja e kartonit të lojtarit. Por, lideri i përfaqësueses shqiptare është joshur nga oferta e Lacios dhe për më tepër nga ideja se mund të luajë në Serinë A, i konsideruar si një nga pesë kampionatet më të forta dhe prestigjiozë në botë. Ndaj, jo pa qëllim, dje nga Zenica dhe deri në Tiranë, Lorik Cana ka qenë gjithnjë në shoqërinë e sulmuesit shqiptar që luan në Itali te Çezena, Erjon Bogdani. Që të dy kuqezinjtë nuk janë ndarë thuajse fare nga njëri-tjetri, duke biseduar më së shumti për mënyrën e lojës në Itali dhe për gjithçka tjetër që lidhet me këtë kampionat. Dy lojtarët kanë qëndruar në avion së bashku, si dhe kanë zbarkuar po bashkë në Rinas, duke shkëmbyer informacionet e nevojshme që i duhen Canës para zbarkimit zyrtar në Serie A.
3 LOJTARE të Kombëtares shqiptare mund të luajnë për sezonin tjetër në Serinë A. Kështu, Bogdani luan te Çezena, Cana mund të luajë te Lacio, ndërsa pritet që në elitën e futbollit italian të ngjitet edhe Ujkani me Novarën.
5 SKUADRA deri tani kanë pasur fatin që të ketë shërbimet e Lorik Canës: Lozana në Zvicër (në fillimet e karrierës), PSG-ja dhe Marseja në Francë, Sanderlendi në kampionatin anglez dhe Gallatasaraji në Turqi.
© Panorama.al











