Erjon Bogdani është gati për ndeshjen e sotme, edhe pse pritet që ta nisë nga stoli. I pyetur nëse do të mërzitej nëse qëndronte sërish në pankinë, bomberi kuqezi ka dribluar, duke ia lënë topin në derë trajnerit. “Unë mund të them vetëm se jam gati. Ndihem mirë fizikisht, kam besim te skuadra dhe te vetja ime. Për të tjerat nuk vendos unë. Vendos trajneri, sepse skemat i bën ai. Në çdo moment që do të hyj, ju siguroj se do të jap gjithçka mundem në fushë”, tha sulmuesi kuqezi pas seancës së djeshme stërvitore në stadiumin e Luzernës. Kundër Qipros realizoi një nga golat më të bukur gjatë karrierës së tij me fanellën kuqezi. “Ëndërroj të shënoj një gol të madh edhe kundër Zvicrës. Kush nuk do ta donte! Duke parë rëndësinë dhe interesin e madh që ka kjo ndeshje, të gjithë do të donin të shënonin. Gjithsesi, mirë do të ishte që të mos dilnim pa pikë. Ky është objektivi primar i gjithë skuadrës”, ka deklaruar bomberi që aktivizohet në Serinë A me Sienën. Ndërkohë ish-fantazisti i përfaqësueses, Ervin Skela, ka shoqëruar nga afër gjatë gjithë pasdites skuadrën. Ai ka pohuar se Zvicra është një skuadër e vështirë për t’u mundur, pasi vitet e fundit ka pësuar një rritje të ndjeshme në nivelin e lojës, por ai ka thënë se, nëse skuadra do të luajë pa shumë emocione, mund t’ia dalë. “Në ndeshje të tilla duhet optimizmi dhe vetëbesimi dhe unë e shoh se skuadrës nuk i mungojnë këto”, tha ish-fantazisti.











