Erjon Bogdani është bërë çështje te Çezena. Lojtari 34-vjeçar po kalon një formë të shkëlqyer, teksa të dielën i dha kualifikimin ekipit në Kupën e Italisë, pas golit që shënoi kundër Askolit.Megjithatë, kjo duket se nuk mjafton, pasi trajneri Marko Xhiampaulo vazhdon të mos e ketë në planet e tij. Sulmuesi kërkon një kontratë 2-vjeçare për të qëndruar, në të kundërt e ka gati destinacionin e ri. “Janë përfolur disa skuadra, por oferta më konkrete më ka ardhur nga Siena. Drejtuesit e këtij klubi duan që gjithçka të mbyllet këto dy ditë. Mund të firmos, ka thënë ndër të tjera Bogdani në një intervistë për “Panorama Sport”. Bomberi kuqezi flet edhe për ndeshjen e Kombëtares kundër Francës.
Erjon, shënuat një gol kualifikimi, ndërkohë që sipas mediave italiane keni festuar si i çmendur…
Ishte një ndeshje emocionuese ajo ndaj Askolit, teksa për fat të mirë shënova. Kur topi shkoi në rrjetë, shfryva dufin në një farë mënyrë me festimin, duke hequr edhe fanellën.
Ju dëshpëron fakti që jeni një zgjedhje e dytë për trajnerin?
Të them të drejtën, jam i mërzitur vetëm për faktin se luajta vetëm 15 minutat e fundit të shtesës. Edhe pse nuk jam në projektin e trajnerit Xhiampaulo për të qenë titullar, përsëri unë nuk e kam ulur tempin në stërvitje. Ndihem mirë fizikisht dhe kam treguar se jam profesionist. Nuk është hera e parë që shënoj për Çezenën këtë periudhë.
Çfarë ju tha trajneri Xhiampaulo pas ndeshjes?
Me trajnerin fola pak, por ai ishte i gëzuar. Natyrisht, më komplimentoi, por nuk u futëm në detaje, sepse edhe unë isha pak i nervozuar. Në ndeshjen me Askolin më ka ngrënë hakun, por këtë nuk ia shpreha. Mund të futesha shumë më përpara në fushë, por gjithsesi unë bëj punën time dhe trajneri ka idetë e tij. Për mua nuk ka asnjë lloj problemi. Nuk i kërkova llogari trajnerit, sepse e rëndësishme është t’i bind të gjithë, edhe nëse luaj 5 minuta. Duke shfrytëzuar eksperiencën që kam, jam i bindur se do të vazhdoj të shënoj. Përgjigjen dua ta jap në fushë për këdo. Kjo është jeta e një profesionisti dhe unë jam i tillë.
Nga skuadrat e interesuara këtë periudhë, cila të ka bërë ofertën më bindëse?
Ofertë konkrete kam nga Kaljari dhe Siena. Për Sienën nuk është bërë asgjë publike në mediat italiane dhe ka mundësi që kjo tratativë të mbyllet për dy ditë. Mund të firmos për 48 orë.
Të kalojmë te Kombëtarja. Si e prisni ndeshjen ndaj Francës?
Të them të drejtën, ndeshja me Francën po më mban gjallë. Jam stërvitur në mënyrë korrekte, për të luajtur sa më mirë me Kombëtaren dhe, sigurisht, të jem gati për skuadrën. Patjetër që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por në Tiranë asnjë skuadër nuk e ka të lehtë. Këtu nuk bën përjashtim as Franca.
JORGIS MEMO











