Bode: Shkurtimet minimale, presim rritje me 5% për 2011

Jul 8, 2011 | 11:10

Kuvendi miratoi dje me 73 vota pro shkurtimin e shpenzimeve në buxhet pa praninë e opozitës dhe të kryeministrit Sali Berisha. Në total do të shkurtohen 18.3 miliardë lekë, ose më shumë se 160 milionë euro. Deputetët e djathtë mbrojtën këto ulje shpenzimesh si garanci për stabilitet dhe ulje të borxhit publik. Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh optimist duke thënë se pritet një rritje prej 5 përqindësh këtë vit. “Zhvillimet përgjatë vitit 2011, po ashtu vërehen të jenë pozitive. Kemi tashmë të konfirmuar rritjen ekonomike për tremujorin e parë të këtij viti, e cila është 3.4% në terma pozitivë, duke përvijuar një rritje më të mirë në dy vitet e fundit dhe një shpresë për t’u rikthyer gradualisht në rritjen tonë normale prej 6%, por që duket se edhe për këtë vit nuk do të jetë e mundur. Sidoqoftë, zhvillimet në ekonominë rajonale dhe atë globale, përgjysmimi i pritshmërisë së rritjes së tyre për ekonomitë e vendeve të rajonit tonë, na bën që të jemi më realistë në versionin tonë dhe të shpresojmë që në fund të vitit 2011 të mundësojmë një rritje ekonomike rreth 5% çka do të ishte përsëri më e larta në rajon dhe nivel europian”, tha Bode. Ai tha se në tërësi shpenzimet e buxhetit të shtetit do të shkurtohen në masën 4.5% në krahasim me programin e tyre, që do të thotë se nuk është një shkurtim që do të ndikonte në ekonominë reale dhe as në funksionimin normal të punëve publike kur dihet se realizimi i tyre është në masën 90%.

18.3 miliarde leke
do të shkurtohen shpenzimet për këtë vit, të cilat zënë 4.5 për qind në total të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit të programuara në fillim të vitit 2011

© Panorama.al

Te lidhura