Pensionet do të rriten mes kufirit të 4 dhe 7 për qindëshit. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se ky është propozimi që ka marrë paraprakisht miratimin si alternativa që do të zbatohet.Në kohën që qeveria ka marrë kritika të forta nga FMN-ja, që të limitohet me shpenzimet që e vënë në presion buxhetin, ka vendosur të bëjë një rritje që më shumë sesa rritje është indeksim i inflacionit, i cili për këtë vit ka qëndruar mbi 4 për qind. Ashtu sikurse dhe është vepruar tradicionalisht, rritja më e ulët pritet që të bëhet për pensionet e larta në qytet, kurse pensionet e ulëta në qytet dhe pensionet e fshatit do ta kenë më të lartë. Në buxhetin e shtetit për vitin 2011 është parashikuar një fond prej 20 milionë dollarësh. Krahasuar me një vit më parë, fondi është në të njëjtat nivele, pasi në 2010 ky fond ishte 21 milionë dollarë. Tashmë pritet që të publikohen edhe shkurtimet që do t’i bëhen buxhetit, edhe pse Financat kanë deklaruar paraprakisht më herët që fondi për pensionet nuk do të shkurtohet, miratimi i një niveli rritjeje 4-7 për qind, siç edhe është propozuar, të bën të mendosh që qeveria edhe pse mund të mos shkurtojë, kërkon të “kursejë”. Në fakt, Ekzekutivi gjatë këtij viti ndodhet përballë një zgjidhjeje të vështirë, ku nga njëra anë qëndrojnë mosrealizimi i të ardhurave në nivelin e pritur, rritje e deficitit buxhetor dhe borxhit si dhe këshillave të FMN-së për të limituar shpenzimet dhe në anën tjetër qëndron një premtim politik i saj. Pavarësisht kësaj qëndrimi i ministrit të Financave dhe vetë Kryeministrit gjatë këtyre ditëve ka qenë i qartë për një rritje të pagave dhe pensioneve ashtu sikurse është vepruar vitet e mëparshme. Në 2010-n, pensionet u rritën në kufirin e 4 dhe 10 për qind. Pensionet e larta të qytetit u rritën 4 për qind, ato të ulëtat e qyteti u rritën 6 për qind dhe pensionet e fshatit u rritën 10 për qind. Për vitin 2011 duket se “sakrifica” do të bëhet në kurriz të pensioneve të fshatit, të cilët nuk do të kenë një rritje mbi 7 për qind. Rritje e moderuar në fakt i pret edhe pagat e administratës, të cilat parashikohen që të rriten edhe ato në limitin e 4-7 për qind, me përjashtim të grupeve të veçanta që mund të kenë rritje preferenciale, sikurse ndër vite është vepruar me mjekët apo mësuesit. Fondi për rritjen e pagave për 2011-n në buxhet është 14.9 milionë dollarë.
20 milione usd
është fondi për rritjen e pensioneve, i parashikuar në buxhetin e këtij viti. Ky fond është vetëm një milion dollarë më i vogël se ai i një viti më parë
21 milione usd
ishte në 2010-n fondi i parashikuar në buxhet për rritjen e pensioneve. Vjet
pensionet e larta në qytet u rritën 4 për qind, të ulëtat, 6 për qind
4 per qind
është niveli minimal i rritjes së pensioneve të larta të qytetit për këtë vit, kurse ato të ulëtat dhe të fshatit pritet që të jenë në nivelin 7 për qind
NERTILA MAHO
© Panorama.al











