
Sa u rrit evazioni në vitin 2012. Që nga 2009, rënia e parë e të ardhurave.
Ligji: NJMLF raporton për veprimtarinë te ministri.
Ministri Ridvan Bode ka dështuar personalisht në strategjinë e tij për mbledhjen e parave nga lojërat e fatit. Administrimi i bixhozit është në varësinë e tij direkte dhe shifrat e llogaritura të të ardhurave që ai duhet të mbledhë tregojnë qartë se ministri i Financave ose ka dështuar, ose është pjesë e një evazioni fiskal në shifra të frikshme. Sipas llogarive, administratori i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit mbledh aq para, sa minimumi që lejohet me ligj. Ja si funksionon skema e lojërave të fatit dhe si qartësohet neglizhenca, paaftësia ose evazioni i lejuar nga ministri. Gazeta bën edhe krahasimin e shifrave që mblidhen nga lojërat e fatit dhe llojet e tjera të bixhozit nga muaji në muaj, ku vërtetohet se NJMLF është duke e përkeqësuar punën e saj.
Rënia e të ardhurave
Të ardhurat nga lojërat e fatit në Shqipëri, sipas statistikave të Ministrisë së Financave, kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Kurba e grumbullimit të detyrimeve pëson rënien e parë pas emërimit në këtë detyrë të drejtorit të ri, Besnik Çobaj. Sipas të dhënave, nga viti 2009 ecuria e të ardhurave të mbledhura nga NJMLF ka qenë në rritje. Por e kundërta ndodh me administratorin e ri të ministrit Bode. Kështu, në muajt janar-shkurt të vitit 2009, nga NJMLF janë certifikuar 456,035 milionë lekë të ardhura. Shifra është rritur ndjeshëm në vitin 2010, kur për të njëjtët muaj janë grumbulluar 753,515 milionë lekë të ardhura. Në vitin 2011 trendi rritës ka bërë që të grumbullohen 880,554 milionë lekë të ardhura. Por, administratori i ri, çuditërisht, në vitin 2012, për të njëjtët muaj, grumbullon 860,709 lekë të ardhura, duke thyer kështu trendin rritës. Më e keqe bëhet situata po të kihen parasysh të dhënat zyrtare të vetë NJMLF. Pasi gjatë muajve janar-shkurt të vitit 2012 janë shtuar edhe pikat e basteve, edhe pikat e kazinove apo lojërave të fatit. Në vitin 2011, për dy muajt e parë ishin të regjistruara 172 pika të lojërave të fatit. Në vitin 2012 janë të regjistruara zyrtarisht: në janar 177 pika dhe në shkurt 181 pika. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pikat e basteve. Në vitin 2011, në janar kishte 1524 pika bastesh, ndërsa në shkurt 1508 pika. Në vitin 2012 shtohet numri. Në janar janë të regjistruara 1529 pika, ndërsa në shkurt 1543 pika. Pra, qartësisht rritet numri i pikave dhe rrjedhimisht i interesit për bixhoz, dhe ulet sasia e parave që duhet të grumbullojë shteti. Dhe kjo për herë të parë që nga viti 2009.
Pse faji i Bodes
Ndryshe nga shumë drejtori të tjera të mëdha të administrimit fiskal, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka lidhje direkte me ministrin e Financave. Në pikën 2 të nenin 14 të ligjit për lojërat e fatit qartësohet se: “Titullari i NJMLF-së emërohet nga ministri Financave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Pra, emërimi i Besnik Çobajt është bërë direkt me firmën e ministrit të Financave. Por jo vetëm kaq. Përfshirja e Bodes në këtë amulli evazioni është edhe më e thellë. Ligjërisht Bode është njeriu që duhet të kontrollojë direkt punën e NJMLF-së. Në nenin 15 të ligjit parashikohet se “NJMLF raporton për veprimtarinë e saj te ministri i Financave. NJMLF raporton, në afate të përcaktuara dhe sa herë i kërkohet, para ministrit të Financave për rregullsinë e zhvillimit të veprimtarisë së subjekteve të licencuara në fushën e lojërave të fatit, për kontrollet e ushtruara, rezultatet e tyre, si dhe për sanksionet e vendosura”. Pra, Bode është në dijeni direkte se si po shkojnë punët në këtë njësi. Ai është në dijeni se nga viti 2011 në vitin 2012 po i shtohen pikat e licencuara dhe po i ulen të ardhurat që duhet të grumbullohen në buxhetin e shtetit. Ai është në dijeni se për herë të parë pas 2009-s (gazeta disponon të dhëna nga ky vit deri sot), po shtohet evazioni. Në pikën tre të nenit 15, thuhet: “NJMLF paraqet te ministri i Financave, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin vjetor të veprimtarisë për vitin pararendës”. Në vitin 2010 janë grumbulluar 5.184 miliardë lekë nga lojërat e fatit. Në vitin 2011 janë grumbulluar 5.029 miliardë lekë. Bode, zyrtarisht, sipas ligjit, është në dijeni të kësaj shifre. Ose nuk do ta lexojë evazionin, ose ka ndonjë arsye tjetër që bën sikur nuk e shikon.
LIGJI PËR LOJËRAT E FATIT
Neni 14“Titullari i NJMLF-së emërohet nga ministri i Financave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Neni 15
“NJMLF raporton për veprimtarinë e saj te ministri i Financave”.
“NJMLF raporton, në afate të përcaktuara dhe sa herë i kërkohet, para ministrit të Financave për rregullsinë e zhvillimit të veprimtarisë së subjekteve të licencuara në fushën e lojërave të fatit, për kontrollet e ushtruara, rezultatet e tyre, si dhe për sanksionet e vendosura”.
“NJMLF paraqet te ministri i Financave, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin vjetor të veprimtarisë për vitin pararendës”.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











