Shqipëria vijon ende të ketë pasoja nga e kaluara komuniste, madje edhe në financat aktuale të shtetit shqiptar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje në Parlament se borxhi publik ka një rritje kohët e fundit për shkak të njohjes së borxhit të vjetër që ka bërë shteti shqiptar. Ky borxh u është marrë në kohën e diktaturës komuniste vendeve të ish-Jugosllavisë, por edhe vendeve të largëta komuniste, si Vietnami dhe Kuba. “Së shpejti do të miratohet në Kuvend edhe zgjidhja e borxhit me vendet e ish-Jugosllavisë, sipas marrëveshjeve të bëra në atë kohë, dhe mbetet vetëm Vietnami dhe Kuba. Ndërkaq nuk kemi më asnjë borxh të pazgjidhur nga koha e mëparshme. I kemi zgjidhur përfundimisht. I kemi inkluduar në borxhin publik dhe një nga arsyet në këto kohë të borxhit është për shkak të njohjes së borxhit të kohës së kaluar që kemi bërë”, tha Bode.
Deklarata e Bodes erdhi pas pyetjes së bërë nga deputeti i PS-së, Andis Harasani, në lidhje me këto borxhe. Po dje, Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës disa marrëveshje dhe projektligje. Krahas ratifikimit të dy konventave të Këshillit të Europës për të Drejtat e Fëmijëve, deputetët miratuan projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit të tretë shtesë të Konventës Europiane ‘Për ekstradimin”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për përmbushjen e detyrimeve financiare të Republikës së Shqipërisë kundrejt Federatës Ruse për balancat e llogarive të Korporatës Shtetërore, ‘Banka e Zhvillimit dhe Veprimtarisë Ekon-omike me jashtë (Vneshekonombank)’ te Banka e Shtetit Shqiptar” dhe projektligjin “Për të drejtën ndërkombëtare private”. Në seancën e djeshme deputetët miratuan dhe disa rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të ndryshme, që raportojnë në Kuvend, si për Avokatin e Prokurimeve, KLSH-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2010.
Borxhi
Shqipëria ka trashëguar një borxh të vjetër ndër vite, të marrë kryesisht nga regjimi komunist për nevojat e veta. Ndër vite Shqipëria u ka paguar borxhe mjaft vendeve ish-komuniste, ndërsa mbetet ende një borxh për disa vende, që do të shlyhet vitet në vijim.











