Sot sistemit bankar i mungojnë 200 milionë dollarë, të cilat janë peng i ekze-kutimit të kolateralit.Raporti në trinomin kolateral-kredi-ligj është diskutuar dje në një forum, ku aktorë kyçë si Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë kanë unifikuar zërin për më shumë bashkëpunim mes palëve. Për ministrin e Financave, Ridvan Bode, mosekzekutimi i kolateralit, përveçse mban peng 200 milionë dollarë, frenon edhe kreditimin e ri. “Nuk duhet të lejojmë që një proces ekzekutimi i ngathët dhe shpesh i paqartë të bëhet shkak për të alternuar negativisht vullnetin e bankave për të kredituar ekonominë. Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët e që janë çuar në procesin e ekzekutimit të kolateralit arrin në rreth 20 miliardë lekë. Ndonëse vlera e kolateralit është gati 2 herë më e lartë se vlera e detyrimit, vonesat në sistemin e ekzekutimit e bëjnë kompensimin për bankat një objektiv gjithnjë e më të vështirë për ta kapur”, tha Bode. Por, shqetësimi i ministrit të Financave duket se nuk limitohet vetëm te performanca e treguesve të sistemit bankar, sidomos kreditë e këqija, që kanë njohur rritje dhe që vetëm dje nga Shoqata e Bankave u deklarua se kreditë me probleme kanë arritur nivelin 800 milionë dollarë. Por, për ministrin Bode shqetësim përbën një tjetër aspekt, siç është efekti negativ në profilin e riskut për vendin tonë në tregjet e kapitalit. “Me rëndësi të veçantë paraqitet edhe cenimi që mund t’i bëhet perceptimit të profilit të riskut të të bërit biznes në vendin tonë, duke rrezikuar edhe reitingun tonë dhe dëmtuar daljen e radhës në tregjet e kapitalit”, tha Bode. Ky shqetësim adresohet në një kohë kur qeveria ka ndryshuar strukturën e borxhit dhe për pjesën e mbetur të vitit financimi i deficitit pritet që të bëhet më shumë me borxh të jashtëm dhe për Financat duket se nuk përjashtohet dalja për një tjetër Eurobond, edhe pse më herët është deklaruar që nuk do të ndodhë këtë vit. Ministri i Financave u shpreh dje se qeveria është e gatshme të ndërmarrë përmirësimet e nevojshme ligjore që i shërbejnë ekzekutimit të kolateralit. Të njëjtin mendim ka ndarë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duke cilësuar se kolaterali është një shtyllë kryesore e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe pengesa nuk është vetëm ligjore, por edhe burokratike. “Vështirësitë duket se nuk janë vetëm të natyrës ligjore, por shpeshherë dalin në pah në sajë të sjelljeve burokratike të institucioneve të përfshira”, tha Fullani. Ai u shpreh se nga bankat e nivelit të dytë janë konstatuar probleme të tilla, si: zgjatja e procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm, marrja e masës së pezullimit të veprimeve përmbarimore nga ana e gjykatës pa u plotësuar kriteret ligjore të depozitimit të provave, deri në injorimin e argumenteve të bankës, mosthirrja e bankave si palë të treta duke shkelur parimin e procesit të duhur ligjor. Në këtë situatë ai u shpreh se mosekzekutimi i kolateraleve ka favorizuar kredimarrësit me probleme, ndërkohë që nga ana tjetër, kreditë me probleme kanë arritur nivelin 15 për qind. Guvernatori propozoi unifikim të qëndrimit të institucioneve lidhur me ekzekutimin e kolateralit duke qenë se ai përbën edhe një kusht për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar.
15 për qind
ka arritur niveli i kredive të këqija aktualisht, sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë. Nga këto kredi, një pjesë janë të mbuluara me kolateral dhe një pjesë jo, ndërkohë që problem mbetet ekzekutimi i këtij kolaterali
Kasmi: Duhet reformë për sistemin e kolateraleve
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, u shpreh në forumin e djeshëm se problematikat kyçe për ekzekutimin e kolateralit të sektorit bankar tashmë janë të identifikuara. “Në shumë raste, gjykata ka sjellë vonesë të ekzekutimit të çështjeve gjyqësore, duke sjellë pasoja për kreditorin dhe duke cenuar ekzekutimin e titujve të ekzekutueshëm, sikurse vendimet apo kontratat, aktet noteriale që përmbajnë detyrime në të holla apo dhënien e kredive”, tha Kasmi, duke shtuar se problem mbetet edhe zgjerimi i titujve ekzekutivë apo detaje të tjera lidhur me marrëdhënien e palëve. Zëvendësministrja shprehu gatishmërinë që në të ardhmen të bëhen rregullimet e nevojshme ligjore në ndihmë të zgjidhjes së problematikës së ekzekutimit të kolateralit. “Sfida për të ardhmen është angazhimi dhe kontributi maksimal i të gjithëve, duke bashkërenduar dhe koordinuar përpjekjet tona jo vetëm për finalizimin, por dhe për implementimin e reformimit të sistemit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore”, tha ajo.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











